Pendarovski për zhvillimet në M-NAV: Dënoj sjelljen e dhunshme, mbështes iniciativën e Qeverisë

Presidenti Stevo Pendarovski dënon sjelljen e dhunshme në M-NAV nga ana e punonjësve të atij institucioni dhe personave të tjerë të cilët pa autorizim kanë hyrë në objektet e tyre. Në të njëjtën kohë, mbështet iniciativën e Qeverisë, e cila njoftoi ndryshimin e plotë të të gjitha strukturave drejtuese në M-NAV, të cilat janë drejtpërdrejt përgjegjëse për situatën në institucion dhe puna e të cilave është thelbësore për funksionimin e sigurt të trafiku ajror, thuhet në reagimin e kabinetit të Presidentit, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka edhe mbështetjen e plotë të presidentit Pendarovski për zbardhjen sa më të shkurtër të ngjarjeve të ndodhura në M-NAV dhe duke pasur parasysh se ato kanë ndodhur në një objekt që është pjesë e infrastrukturës kritike në vend, kualifikimi i veprimeve të paligjshme duhet të marrë parasysh kërcënimin e mundshëm për sigurinë në trafikun ajror ndërkombëtar. Presidenti Pendarovski edhe një herë thekson se interesi i askujt personal apo politik nuk mund të jetë mbi rendin juridik dhe funksionimin normal të institucioneve”, thuhet nga kabineti i presidentit.

Kronologjia e ngjarjeve

Sulmi i 4 janarit nga të dyshuarit në krye me Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë ndodhi pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjetë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.

Nuk është hera e pare që Bekim Neziri sulmon të punësuarit në këtë institucion, ai në vitin 2010 ka rrahur edhe një kontrollor të trafikut ajror.

Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, ka bërë që Qeveria e RMV-së të njoftojë se në seancën e radhës, më 9 janar, t’i shkarkojë të gjitha strukturat drejtuese. Sindikata pret që qeveria ta përmbushë premtimin e saj në të kundërtën  10 janar do të mbyllet hapësira ajrore e vendit.

Nga ana tjetër, drejtori i Kontrollit të Fluturimeve Civile, Fahrudin Hamidi në konferencë për media më 5 janar, tha se “hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut është e sigurt” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e rrezikuar. Ai theksoi se “personat që e kanë mbështetur grevën, janë të mashtruar nga kryetari sindikatës”, të cilin Hamidi e akuzon për “sabotim të punës” në kohën kur, sipas tij, ky institucion ka kaluar një krizë të rëndë financiare dhe është kompletuar me “kuadër të kualifikuar”.

Përplasjet në M-NAV filluan në dhjetor 2023, kur sindikata akuzoi menaxhmentin për punësime partiake. Shpalljet, siç deklaruan nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, janë joligjore, ndërsa personat që punësohen janë të përzgjedhur paraprakisht nga partitë politike. Ata disa herë kërkuan tërheqjen e shpalljeve, për të cilat drejtori Fahrudin Hamidi tha se ato shpallje janë “padyshim ndonjë gabim”.

Në faqen e Agjencisë së Punësimit u publikuan dy shpallje nga M-NAV, të cilat ishin për dy ditë nga 14 deri më 16 dhjetor dhe nga 15 deri më 17 dhjetor 2023, përkatësisht për “këshilltar të pavarur për çështje të personelit” dhe për “navigator të aviacionit”.

Për shpalljet në fjalë, Sindikata kërcënoi se do të hyjë në grevë gjatë periudhës së festave, mirëpo e njëjta u anulua “për disa arsye operacionale”.