Horizontet digjitale: Gjenerata Z dhe mediat sociale në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026 në SHBA

Autor: Gajur Memeti

Si iu qasën fushatat politike votuesve të rinj? 

Gjenerata Z po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në zgjedhjet amerikane. Ndërsa votuesit e rinj kalojnë më shumë kohë në platformat digjitale, fushatat politike janë detyruar të përshtatin mënyrën se si komunikojnë me ta. Zgjedhjet e mesmandatit (midterm elections) të vitit 2026 në SHBA ishin një tjetër shembull se si mediat sociale janë bërë pjesë e rëndësishme e fushatave politike bashkëkohore. 

Shkruan: Gajur Memeti, foto nga arkivi i tij privat
Shkruan: Gajur Memeti, foto nga arkivi i tij privat

Ndryshe nga brezat e mëparshëm, shumë votues të rinj informohen për politikën përmes TikTok-ut, Instagram-it, YouTube-it dhe platformave të tjera digjitale, në vend të lajmeve televizive tradicionale apo gazetave të shtypura. Në këtë ekosistem digjital, përmbajtja politike shfaqet krahas përmbajtjeve argëtuese, përvojave personale dhe diskutimeve të përditshme. Për rrjedhojë, fushatat politike po përdorin gjithnjë e më shumë video të shkurtra, krijues të përmbajtjes në internet dhe reklama digjitale për të arritur tek audiencat e reja. 

Ky ndryshim mund të lidhet me konceptin e «paradoksit të bollëkut» (paradox of profusion), të trajtuar nga W. Russell Neuman në veprën The Digital Difference. Neuman shqyrton se si sasia gjithnjë e më e madhe e informacionit në mjedisin digjital krijon sfida të reja në mënyrën se si njerëzit përzgjedhin mesazhet dhe u kushtojnë vëmendje atyre. Edhe pse njerëzit kanë qasje në më shumë informacion, kjo nuk nënkupton se çdo mesazh arrin të tërheqë vëmendjen e tyre. 

Ky koncept lidhet drejtpërdrejt me «ekonominë e vëmendjes» (attention economy), e cila shpjegon se si vëmendja bëhet një burim i vlefshëm dhe i kufizuar në një mjedis të mbushur me informacion. Për fushatat e vitit 2026, të dallohesh mes gjithë këtij fluksi informacionesh kërkonte shumë më tepër sesa reklama të zakonshme. Kërkonte përmbajtje të krijuar posaçërisht për formatin dhe veçoritë e secilës platformë. Kjo perspektivë nxjerr në pah edhe një sfidë qendrore të komunikimit digjital: ndërsa sasia e informacionit rritet, vëmendja që audiencat mund t’i kushtojnë secilit mesazh mbetet e kufizuar. Me fjalë të thjeshta, kur njerëzit janë të rrethuar nga një sasi e madhe përmbajtjesh, mesazhet e ndryshme konkurrojnë për të tërhequr vëmendjen e tyre. 

Këto perspektiva janë veçanërisht të rëndësishme për zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026 në SHBA. Fushatat politike përdorën video virale, influencues dhe reklama me pagesë në mediat sociale për të tërhequr audiencat e reja në një mjedis digjital gjithnjë e më të ngarkuar. Megjithatë, tërheqja e vëmendjes në internet nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshimin e bindjeve politike të dikujt apo nxitjen e tij për të votuar. 

Në këtë kontekst, ky studim rasti shqyrton mënyrën se si fushatat politike dhe organizatat qytetare përdorën mediat sociale për të arritur votuesit e rinj gjatë zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2026 në SHBA. Fokusi vihet te roli i influencuesve, informimi i votuesve përmes mjeteve digjitale dhe përmbajtja politike e gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA). Studimi ngre gjithashtu një pyetje të rëndësishme: edhe pse mediat sociale mund të rrisin ndërgjegjësimin dhe angazhimin politik, a i nxisin ato realisht të rinjtë të marrin pjesë në zgjedhje? 

Studimi mbështetet në burime dytësore kërkimore, duke përfshirë vlerësimet zgjedhore të Qendrës për Informim dhe Hulumtim mbi Edukimin dhe Angazhimin Qytetar (CIRCLE), gjetjet e anketave të Pew Research Center dhe raportimet mbi strategjitë digjitale të fushatave. Ai shqyrton raste të përzgjedhura të komunikimit politik dhe bën dallimin ndërmjet shtrirjes së përmbajtjes në internet, preferencave elektorale dhe pjesëmarrjes në zgjedhje. Studimi nuk vërteton se ekspozimi ndaj përmbajtjes në mediat sociale ka shkaktuar vendime të caktuara elektorale. Për krahasimet statistikore, termi «votues të rinj» u referohet personave të moshës 18–29 vjeç, grupmoshë e përdorur nga CIRCLE në raportimet e veta, dhe jo një përkufizimi të saktë të të gjithë pjesëtarëve të gjeneratës Z. 

Ndryshimi i mënyrës se si të rinjtë i përdorin mediat 

Platformat digjitale kanë ndryshuar mënyrën se si të rinjtë ndjekin zhvillimet politike dhe angazhohen në fushatat zgjedhore. Mediat sociale nuk janë më vetëm një vend ku gjendet informacioni, por edhe një hapësirë ku të rinjtë ndajnë mendimet e tyre, diskutojnë çështje politike dhe ndërveprojnë me përmbajtje politike krahas përmbajtjeve argëtuese, përvojave personale dhe temave të jetës së përditshme. Kjo ka ndryshuar edhe mënyrën e komunikimit të partive politike dhe kandidatëve, të cilët përdorin gjithnjë e më shumë forma më të drejtpërdrejta, krijuese dhe tërheqëse për të komunikuar me votuesit e rinj. 

Sipas Katerina Eva Matsa, 39% e amerikanëve të moshës 18–29 vjeç informohen rregullisht përmes TikTok-ut. Kjo shifër dëshmon rëndësinë që kanë marrë platformat digjitale në zakonet e përditshme të informimit të audiencave të reja. 

Këto platforma ndryshojnë edhe mënyrën se si paraqitet informacioni politik. Në vend që të lexojnë një artikull të plotë informativ, përdoruesit mund ta marrin informacionin përmes një videoje të shkurtër, shpjegimit të një krijuesi të përmbajtjes apo një diskutimi në seksionin e komenteve. Si rezultat, komunikimi politik nuk kufizohet më vetëm te politikanët, gazetarët dhe llogaritë zyrtare të fushatave. Krijuesit e përmbajtjes në internet janë bërë gjithashtu zëra të rëndësishëm në diskutimet politike. 

Ky zhvillim krijon mundësi të reja për fushatat politike. Duke komunikuar përmes platformave dhe personaliteteve të njohura për të rinjtë, organizatat politike mund t’i arrijnë këto audienca në mënyrë më të qasshme dhe joformale. Megjithatë, kjo ngre edhe pyetje mbi besueshmërinë e informacionit dhe ndikimin e algoritmeve në përmbajtjen që shohin të rinjtë. 

Prirjet e votimit të të rinjve në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026 

Preferenca politike 

Votuesit e rinj (18–29 vjeç) 

Kandidatët demokratë për Dhomën e Përfaqësuesve 

66% 

Kandidatët republikanë për Dhomën e Përfaqësuesve 

30% 

Tabela 1. Si votuan amerikanët e rinj në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026 në SHBA. Burimi: Paraqitje grafike e realizuar nga autori, bazuar në CIRCLE (2026a), duke përdorur vlerësimet paraprake të projektit Civic Health & Elections të NORC.

Grupi i votuesve të rinj (18–29 vjeç) 

Votuan për demokratët 

Gratë e reja 

70% 

Burrat e rinj 

59% 

Të rinjtë me prejardhje aziatike dhe nga ishujt e Paqësorit (AAPI) 

82% 

Të rinjtë me ngjyrë 

80% 

Të rinjtë latinë 

71% 

Të rinjtë e bardhë 

61% 

Tabela 2. Mbështetja për demokratët ndër grupet e votuesve të rinj në vitin 2026. Burimi: Paraqitje grafike e realizuar nga autori, bazuar në CIRCLE (2026b), duke përdorur vlerësimet paraprake të NORC.

Siç paraqitet në tabelën 1, rezultatet tregojnë se votuesit e rinj shfaqën një preferencë të theksuar për kandidatët demokratë për Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026. Sipas CIRCLE, 66% e votuesve të moshës 18–29 vjeç mbështetën demokratët, krahasuar me 30% që mbështetën republikanët. Të dhënat demografike në tabelën 2 tregojnë gjithashtu se mbështetja ndryshonte sipas gjinisë dhe përkatësisë racore apo etnike. Gratë e reja dhe të rinjtë nga grupet e pakicave shënuan diferencat më të mëdha në favor të kandidatëve demokratë. Për kandidatët demokratë për Dhomën e Përfaqësuesve votuan 70% e grave të reja dhe 59% e burrave të rinj. Këto shifra paraprake pasqyrojnë prirjet e votimit, por nuk vërtetojnë se fushatat në mediat sociale i kanë përcaktuar këto zgjedhje të votuesve. 

Pjesëmarrja e të rinjve në votime është një tregues i ndryshëm nga preferenca partiake. CIRCLE vlerësoi se 27% e amerikanëve të moshës 18–29 vjeç me të drejtë vote morën pjesë në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026, një shifër përgjithësisht e përafërt me vlerësimin fillestar për vitin 2022. Shifra për vitin 2026 është paraprake, me një marzh të vlerësuar gabimi prej ±2 pikësh përqindjeje. Vetëm ky tregues nuk mund të dëshmojë nëse mediat sociale i kanë nxitur njerëzit të votojnë. 

Pse vota e të rinjve u zhvendos në favor të demokratëve në vitin 2026? 

Zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026 në SHBA treguan një ndryshim të dukshëm në preferencat politike të votuesve të rinj krahasuar me vitin 2024. Sipas CIRCLE, kandidatët demokratë kishin një epërsi prej 36 pikësh përqindjeje ndër votuesit e rinj në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së në vitin 2026, krahasuar me një epërsi prej 14 pikësh përqindjeje në vitin 2024. Edhe pse viti 2024 ishte vit i zgjedhjeve presidenciale, votuesit zgjodhën gjithashtu anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, gjë që mundëson krahasimin e mbështetjes për kandidatët e kësaj dhome në të dyja zgjedhjet. Shifrat vijnë nga burime të ndryshme për secilin vit zgjedhor dhe duhet të interpretohen me kujdes. Ky ndryshim nuk nënkupton domosdoshmërisht se të njëjtët votues të rinj kanë ndryshuar bindjet e tyre politike, pasi në secilat zgjedhje mund të kenë marrë pjesë grupe të ndryshme votuesish. 

Viti i zgjedhjeve 

Epërsia e demokratëve ndër votuesit e rinj (18–29 vjeç) 

2024 

+14 pikë përqindjeje 

2026 

+36 pikë përqindjeje 

Ndryshimi 

+22 pikë përqindjeje 

Tabela 3. Epërsia e demokratëve ndër votuesit e rinj në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, 2024–2026. Burimi: Paraqitje grafike e realizuar nga autori, bazuar në CIRCLE (2026d); diferenca për vitin 2024 është marrë nga të dhënat e Edison Research, ndërsa ajo për vitin 2026 nga NORC.

Një nga faktorët kryesorë ishte ekonomia. Çështje si kostoja e jetesës, punësimi dhe strehimi përbënin shqetësime të mëdha për amerikanët e rinj. Sipas Alec Dent, demokratët i përqendruan mesazhet e fushatave të tyre te çështjet ekonomike, duke përfshirë inflacionin dhe kostot e strehimit, për të krijuar një lidhje me votuesit e rinj. Pakënaqësia me drejtimin politik të vendit gjithashtu mund të ketë ndikuar në vendimet e tyre elektorale. 

Në të njëjtën kohë, demokratët bënë ndryshime në strategjitë e tyre të komunikimit. Siç raportojnë Dent dhe Merica, partia u kushtoi më shumë rëndësi platformave digjitale, krijuesve të përmbajtjes dhe mesazheve që adresonin shqetësimet e përditshme të votuesve të rinj. Në vend që të mbështeteshin vetëm te reklamat tradicionale politike, fushatat përdorën gjithnjë e më shumë video të shkurtra dhe përmbajtje në internet për të arritur gjeneratën Z. 

Megjithatë, ky ndryshim nuk mund të shpjegohet vetëm përmes mediave sociale. Shqetësimet ekonomike, pakënaqësia politike dhe ndryshimet në përbërjen e elektoratit që mori pjesë në zgjedhje mund të kenë kontribuar gjithashtu në rezultatet zgjedhore. Kjo sugjeron se fushatat digjitale ishin vetëm një pjesë e një konteksti më të gjerë politik dhe shoqëror. 

Si komunikuan fushatat zgjedhore me gjeneratën Z në vitin 2026? 

Gjatë zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2026 në SHBA, fushatat politike përdorën gjithnjë e më shumë strategji të komunikimit digjital për të arritur audiencat e reja. Videot e shkurtra, krijuesit e përmbajtjes në mediat sociale dhe diskutimet në internet u bënë mjete të rëndësishme për të tërhequr vëmendjen dhe potencialisht për të nxitur pjesëmarrjen politike. 

Një shembull ishin përpjekjet e Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC) për të arritur votuesit e rinj përmes krijuesve të përmbajtjes në internet dhe përmbajtjeve në mediat sociale. Sipas Dent dhe Merica, Komiteti Kombëtar Demokrat raportoi se krijuesit që merrnin pjesë në programin e tij kishin së bashku mbi 75 milionë ndjekës, ndërsa përmbajtjet e krijuara duke përdorur materiale nga llogaritë e partisë u shfaqën mbi 100 milionë herë në ekranet e përdoruesve (impressions) nga mesi i vitit 2025 deri në mesin e vitit 2026. Këto shifra matin shpërndarjen dhe ekspozimin potencial ndaj përmbajtjes, jo numrin e votuesve të rinj individualë të arritur apo bindjen e tyre të dëshmuar nga mesazhet politike. 

Kjo qasje tregon se si organizatat politike kanë filluar të shkojnë përtej reklamave tradicionale të fushatave. Në vend që të komunikojnë vetëm përmes llogarive zyrtare, ato angazhojnë gjithnjë e më shumë krijues të përmbajtjes që tashmë kanë audiencat e tyre dhe e njohin mënyrën e komunikimit në platformat digjitale. Videot e shkurtra, diskutimet politike dhe përmbajtjet e përshtatura me trendet e njohura në internet mund t’i bëjnë mesazhet politike më të afërta për përdoruesit e rinj. 

Një shembull tjetër ishte bashkëpunimi i TikTok-ut me Democracy Works për zgjedhjet e vitit 2026 në SHBA. Përmes qendrës zgjedhore të TikTok-ut (Elections Center), përdoruesit mund të kishin qasje në informacione mbi regjistrimin e votuesve, vendvotimet, votimin e parakohshëm dhe kushtet për të votuar. Kjo iniciativë synonte të lehtësonte qasjen në informacione zgjedhore nga burime autoritative përmes platformës. 

Këto iniciativa tregojnë se mediat sociale mund të shërbejnë edhe për qëllime të tjera, përtej promovimit politik. Ato mund të ofrojnë informacione praktike dhe t’i ndihmojnë të rinjtë të kuptojnë se si të marrin pjesë në zgjedhje. 

Megjithatë, arritja e të rinjve në internet nuk do të thotë automatikisht se ata do të votojnë. Efektiviteti i fushatave digjitale nuk mund të vlerësohet vetëm nga numri i personave që shohin përmbajtjen politike; nevojiten gjithashtu të dhëna mbi veprimet që ndërmarrin më pas. 

Raste konkrete të fushatave politike: përdorimi i inteligjencës artificiale, viraliteti organik dhe promovimi me pagesë 

Zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026 në SHBA treguan se si fushatat politike përdorën mediat sociale në mënyra të ndryshme, duke ndërthurur përmbajtjen virale me reklamat digjitale me pagesë për të tërhequr vëmendjen dhe për të komunikuar me votuesit. 

Një rast i tillë i përmbajtjes virale ishte një video satirike, e gjeneruar me inteligjencë artificiale, e publikuar në tetor 2026 nga Marsha Blackburn, kandidatja republikane për postin e guvernatores së shtetit të Tennessee-t. Videoja rikrijonte performancën e këngës «Not Like Us» të Kendrick Lamar në Super Bowl, si një formë komenti politik, dhe arriti mbi 2,1 milionë shikime në platformën X brenda dy ditësh. Edhe pse tërhoqi vëmendje të konsiderueshme, shumë nga reagimet në internet ishin negative. Ky rast ilustron se si një video politike mund të përhapet përmes reagimeve të publikut, kritikave dhe shpërndarjes në internet, megjithëse mbetet e paqartë shkalla e shpërndarjes pa pagesë. Sipas raportimit të Christopher Wieduwilt, rasti tregon gjithashtu se dukshmëria e gjerë nuk përkthehet domosdoshmërisht në angazhim pozitiv të publikut apo mbështetje politike. 

Një qasje tjetër u përdor nga Abdul El-Sayed, kandidati demokrat për Senatin e SHBA-së nga shteti i Michigan-it, fushata e të cilit investoi ndjeshëm në reklama me pagesë në mediat sociale. Siç raporton Lucy Greider, rreth 94% e shpenzimeve të fushatës për reklama gjatë periudhës së analizuar nga Sensor Tower, nga 1 shtatori deri më 20 tetor, u drejtuan në Facebook dhe Instagram. Raporti vëren se shfaqjet e reklamave në këto platforma zakonisht kushtojnë më pak sesa në televizionin tradicional. Një shembull konkret i përmbajtjes digjitale me pagesë të kësaj fushate ishte një reklamë e sponsorizuar në platformat e Meta-s, e dokumentuar nga agjencia Middle Seat, ku Barack Obama dhe Kamala Harris paraqiteshin krahas El-Sayed dhe votuesit nxiteshin të merrnin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit. Ky rast ilustron një strategji të përqendruar kryesisht në shpërndarjen digjitale me pagesë; të dhënat nuk vërtetojnë se sa votues të gjeneratës Z i kanë parë reklamat apo nëse preferencat e tyre kanë ndryshuar. 

Këta shembuj nxjerrin në pah dy qasje të ndryshme ndaj fushatave politike. Ndërsa videoja e Blackburn tërhoqi vëmendjen përmes qarkullimit në internet, fushata e El-Sayed përqendroi një pjesë të madhe të buxhetit të reklamave në platformat sociale. Të dyja rastet tregojnë rëndësinë e dukshmërisë digjitale në zgjedhje. Megjithatë, shtrirja në internet dhe ekspozimi ndaj reklamave nuk përkthehen domosdoshmërisht në mbështetje politike apo pjesëmarrje zgjedhore ndër votuesit e gjeneratës Z. 

Sfidat: përmbajtja e gjeneruar nga inteligjenca artificiale dhe keqinformimi politik 

Përdorimi në rritje i inteligjencës artificiale në fushatat politike ka ngritur shqetësime mbi besueshmërinë e informacionit që shpërndahet në mediat sociale. Ndërsa inteligjenca artificiale ofron mënyra të reja për krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes politike, ajo gjithashtu mund ta vështirësojë dallimin ndërmjet informacionit autentik dhe atij të manipuluar. 

Sipas raportimit të Loreben Tuquero për PolitiFact, gjetjet e Wesleyan Media Project tregojnë se gjatë ciklit zgjedhor të vitit 2026, rreth 300 reklama politike u gjeneruan ose u përpunuan me ndihmën e inteligjencës artificiale. Rreth 187 milionë dollarë amerikanë u shpenzuan për promovimin e këtyre reklamave në platformat digjitale dhe në televizion. 

Megjithatë, jo e gjithë përmbajtja politike e gjeneruar nga inteligjenca artificiale është mashtruese, pasi teknologjia mund të përdoret edhe për qëllime krijuese dhe legjitime të fushatave politike. 

Për audiencat e reja, të cilat shpesh ndeshen me informacionin politik përmes videove të shkurtra dhe postimeve në mediat sociale, identifikimi i përmbajtjeve të gjeneruara artificialisht apo të manipuluara mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm gjatë vlerësimit të mesazheve politike. 

Këto sfida nxjerrin në pah rëndësinë e transparencës, komunikimit të përgjegjshëm politik dhe edukimit mediatik, për t’i ndihmuar votuesit të vlerësojnë në mënyrë kritike informacionin me të cilin ndeshen në internet. 

Mësime për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore 

Zhvillimet e vërejtura gjatë zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2026 në SHBA ngrenë gjithashtu çështje të rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Juglindore. Mediat sociale mund t’u ofrojnë të rinjve mundësi për të ndjekur aktualitetin, për të diskutuar çështje politike dhe për t’u informuar mbi çështjet me interes publik, megjithëse ky studim nuk mat zakonet e përdorimit të mediave në rajon. 

Ndërsa partitë politike dhe kandidatët në rajon përdorin gjithnjë e më shumë strategji të komunikimit digjital, ata mund të përballen me disa nga të njëjtat sfida. Bashkëpunimi me influencuesit dhe krijimi i videove të shkurtra mund të ndihmojnë në zvogëlimin e hendekut ndërmjet aktorëve politikë dhe audiencave të reja, por këto strategji mund të krijojnë edhe mundësi për përhapjen e informacionit mashtrues. 

Këto çështje kërkojnë vëmendje të veçantë në mjedise si Ballkani Perëndimor, ku besimi i publikut te institucionet apo mediat është i brishtë. Imazhet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale, videot e manipuluara dhe pretendimet e rreme politike mund të përshkallëzojnë tensionet ekzistuese, veçanërisht gjatë periudhave të ndjeshme zgjedhore. Këto janë implikime të nxjerra nga rasti amerikan dhe jo efekte të matura në Ballkanin Perëndimor. 

Përvoja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ofron, për rrjedhojë, një mësim të vlefshëm për rajonin: komunikimi politik digjital nuk duhet të përqendrohet vetëm në tërheqjen e vëmendjes dhe rritjen e angazhimit në internet. Ai duhet t’i japë përparësi edhe saktësisë së informacionit, transparencës dhe besimit të publikut. 

Për Ballkanin Perëndimor, forcimi i edukimit mediatik, mbështetja e gazetarisë së pavarur dhe përmirësimi i aftësisë së institucioneve për t’iu përgjigjur përmbajtjeve mashtruese në internet janë çështje të rëndësishme për mbrojtjen e pjesëmarrjes demokratike dhe integritetit të informacionit. 

Zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026 në SHBA tregojnë si mundësitë, ashtu edhe kufizimet e mediave sociale në fushatat politike. Përmes videove të shkurtra, krijuesve të përmbajtjes në internet dhe shërbimeve digjitale për informimin e votuesve, organizatat politike gjetën mënyra të reja për të komunikuar me audiencat e reja. 

Përdorimi në rritje i këtyre strategjive tregon se mediat sociale janë bërë një pjesë e rëndësishme e komunikimit politik bashkëkohor. Megjithatë, të dhënat në dispozicion nuk vërtetojnë nëse angazhimi në internet ka çuar në një pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje. Arritja e votuesve të rinj është vetëm një pjesë e procesit; nxitja e tyre për të marrë një rol aktiv në demokraci mbetet po aq e rëndësishme. 

Në të njëjtën kohë, përdorimi gjithnjë e më i gjerë i reklamave politike të gjeneruara nga inteligjenca artificiale nxjerr në pah nevojën për t’i kushtuar më shumë vëmendje besueshmërisë së informacionit dhe edukimit digjital. 

Për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore, këto zhvillime ofrojnë mësime të vlefshme. Ndërsa komunikimi politik bëhet gjithnjë e më digjital, sfida do të jetë përdorimi i teknologjive të reja për të informuar dhe angazhuar të rinjtë, pa lejuar që keqinformimi të cenojë besimin e publikut. Në fund të fundit, suksesi i komunikimit politik digjital nuk duhet të matet vetëm me numrin e shikimeve, ndjekësve apo reagimeve në internet, por edhe me kontributin e tij në një pjesëmarrje demokratike të informuar dhe kuptimplotë. 

Artikulli fillimisht është publikuar në gjuhën angleze në faqen e Institutit Max van der Stoel (MVDSI).