Hamidi: Nepotizëm ka te Tasevski me punësimin e tij dhe të vëllait, nuk është vënë në rrezik siguria e fluturimeve

M-NAV garanton se siguria asnjëherë nuk ka qenë dhe as do të jetë e kërcënuar, thotë drejtori ekzekutiv i Navigacionit maqedonas, Fahrudin Hamidi, duke mos dashur të komentojë mbi incidentin e djeshëm. Ai tha vetëm se bëhet fjalë për incident mes dy kolegëve që njihen prej vitesh. Lidhur me kreun e Sindikatës Aleksandar Tasevski, thotë se ai derisa për nepotizëm është vetë i përfshirë, pasi ai në M-NAV është punësuar kur babai i tij ka qenë shef i kontrollorëve dhe se edhe vëllai i tij është kontrollor, transmeton Portalb.mk.

“Tasevski flet për nepotizëm dhe punë partiake, vetëm për të defokusuar opinionin. Demagogjia është në vetvete nepotizëm. Nuk është tipike për mua të them, por ai tashmë i ka kaluar të gjithë kufijtë – babai i tij ishte shef i kontrollit të trafikut ajror, pastaj u pranua edhe ai. Në të njëjtën kohë, vëllai i tij punon si kontrollor i trafikut ajror. Tre nga një familje. Ka 5-6 klane në M-NAV. A jam unë ai që llogaris në klane të tilla në kompani, për të punësuar sërish fëmijët e tyre? Në këtë vend, sipas Kushtetutës, të gjithë kanë të drejtë të punësohen, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare. Të gjithë jemi qytetarë të kësaj republike të vogël por të bukur”, theksoi drejtori i M-NAV.

Hamidi tha se kryetari i Sindikatës Profesionale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski, vepron nga motivet dhe interesat e tij personale dhe, siç tha ai, “nuk na lë të bëjmë punën tonë dhe reputacioni i kompanisë është në pikëpyetje për shkak të shpifjeve të rrejshme”

Sipas Hamidit, ata që kanë plotësuar kushtet e konkursit për të cilin Sindikata është përgjigjur janë pranuar, e disa nuk janë për shkak të statusit të paorganizuar. Ata janë të hapur, siç tha ai, për të gjitha procedurat e mundshme nga institucionet, Antikorrupsioni, Policia Financiare.

Hamidi tha se është i gatshëm të japë dorëheqje, por siç ka theksuar, Qeveria tashmë ka njoftuar se do ta shkarkojë menaxhmentin.

“Ne e vlerësojmë punën e ekspertëve tanë, e dimë se çfarë do të thotë të kesh staf që është shumë i rëndësishëm për kompaninë tonë. Ishte famoz një sistem që është i vjetër, por sado i vjetër të jetë, është në gjendje të mirë dhe komplimente për teknikët që e mirëmbajnë. Me të bëjmë mirëmbajtjen e të gjithë aviacionit. Tani kemi një sistem të ri, i cili fillon të testohet javën e ardhshme dhe besoj se bashkë me ekspertët tanë dhe ekspertët e Eurokontrollit do të vihet në përdorim dhe do të rritet kapaciteti me 60 për qind”, tha Hamidi,

Ky Bord Drejtues, sipas tij, përkundër krizës së rëndë financiare, nuk është ndalur së trajnuari kontrollorë të rinj të trafikut ajror.

“Ne kemi dhënë tetë kontrata me afat të pacaktuar. Kemi staf të ri, por edhe staf me përvojë. Fatkeqësisht, gjatë gjithë kohës ishim të sulmuar nga sindikalisti Tasevski. Nuk donim të dilnim para mediave dhe ndoshta gabuam këtu. Ai na lëndon të gjithëve dhe nuk na lë të punojmë për shkak të interesave të tij personale. Reputacioni është vënë në dyshim për shkak të shpifjeve. Siguria nuk është cenuar dhe as nuk do të cenohet. Për fat të keq, kolegët e tij dolën pas tij, megjithëse i kuptoj mirë, sepse në fund do të qëndrojnë pas tij edhe pse janë të mashtruar në këtë rast. Unë nuk i lë vetëm kontrollorët e mi. Tasevski flet për nepotizëm dhe gjëra të tjera. Ai vetë është në nepotizëm, babai i tij ka qenë shef, ka qenë i punësuar në të njëjtën kohë, edhe vëllai i tij është i punësuar si kontrollor”, tha Hamidi.

Ai thotë se kërkesa që studentët të punojnë ka qenë nga teknikët, jo nga bordi drejtues që drejtohet nga vetë Hamidi. Ai thotë se është krenar për atë që ka bërë për M-NAV, duke shtuar se është gati të japë dorëheqjen, sepse beson se ka bërë gjëra pozitive.

“Nuk dua të jap dorëheqje sot sepse qeveria tashmë ka njoftuar se do të na shkarkojë”, ka theksuar Hamidi.

Paraprakisht, kryetari i Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror M-NAV, Aleksandar Tasevski, paralajmëroi se nëse Qeveria nuk i shkarkon drejtorët e M-NAV, të mërkurën do të mbyllin hapësirën ajrore, duke kërkuar edhe mirëkupimin.

Kronologjia e ngjarjeve

Sulmi i 4 janarit nga të dyshuarit në krye me Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë ndodhi pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjetë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.

Nuk është hera e pare që Bekim Neziri sulmon të punësuarit në këtë institucion, ai në vitin 2010 ka rrahur edhe një kontrollor të trafikut ajror.

Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, ka bërë që Qeveria e RMV-së të njoftojë se në seancën e radhës, më 9 janar, t’i shkarkojë të gjitha strukturat drejtuese. Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski e ka përkrahur vendimin e Qeverisë.

Përplasjet në M-NAV filluan në dhjetor 2023, kur sindikata akuzoi menaxhmentin për punësime partiake. Shpalljet, siç deklaruan nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, janë joligjore, ndërsa personat që punësohen janë të përzgjedhur paraprakisht nga partitë politike. Ata disa herë kërkuan tërheqjen e shpalljeve, për të cilat drejtori Fahrudin Hamidi tha se ato shpallje janë “padyshim ndonjë gabim”.

Në faqen e Agjencisë së Punësimit u publikuan dy shpallje nga M-NAV, të cilat ishin për dy ditë nga 14 deri më 16 dhjetor dhe nga 15 deri më 17 dhjetor 2023, përkatësisht për “këshilltar të pavarur për çështje të personelit” dhe për “navigator të aviacionit”.

Për shpalljet në fjalë, Sindikata kërcënoi se do të hyjë në grevë gjatë periudhës së festave, mirëpo e njëjta u anulua “për disa arsye operacionale”.