Ja librat që botoi Shtëpia Botuese ”Rezna’’ gjatë vitit 2023

Portalbi ka planifikuar të sjellë për ju botimet e shtëpive botuese të Maqedonisë së Veriut të cilat tashmë duhet edhe t’i gjeni në libraritë e Tetovës. Përditësojuni me botën letrare, pavarësisht shijeve tuaja. Sot ju sjellim botimet e Shtëpisë Botuese “Rezna” nga Tetova.

Shtëpitë botuese secilin vit realizojnë planifikimet e tyre vjetore, libra të cilët dalin në dritë, por që ne nuk u kushtojmë vëmendje. Të botosh një libër, nuk është punë e lehtë e aq më pak të drejtosh një shtëpi botuese. Ndaj, kujdesin më të vogël me të cilin ne mund t’i shpërblejmë shtëpitë botuese është, që tu kushtojmë pakëz vëmendje se çka kanë botuar, ç ‘thonë ato libra, ose të tjerët për to. Kështu, mbase dhe më lehtë arrijmë të pasurohemi me dije të reja dhe të pasurojmë dhe raftet tona, duke i kërkuar në libraritë e qytetit.

Shtëpia Botuese “Rezna” për sivjet ka botuar këto tituj si më poshtë.

Kopertinë libri
Kopertinë libri

Zonja pa emër- Roman, – Virion Graçi

Agron Tufa shkruan për romanin: “Zonja pa emër (2005) – është ndoshta postskriptumi i shumë temave të prozës së shkurtër të Virion Graçit (tregimeve) me theks përditshmërinë traumatike socpsikologjike. Romani nis me një gjuhë skrupuloze që befas shprishet, bymehet, bëhet e lëngët, derisa poetizohet në pentagramet më elegjiake. Rrëfehet në përgjithësi por devijohet nga digresionet lirike që janë trauma të një shpirti të ndrydhur, një mall transhendental për arrati nga sinoret e egra, banale dhe fyese të përditshmërisë. Në thelb gjithë proza e Virion Graçit, me gjithë dëshirën e madhe për të krijuar tablo realiste, mbetet tipike një tradhëtare e realizmit ngase qysh në zanafillë ajo është e mbrujtur me genin e poetikës avangardiste të tij. Kështu, për shembull, vetë romani “Zonja pa emër” është një poemë e dhimbshme pikëllimi dhe malli botëror për arrati.’’

Kopertinë libri
Kopertinë libri

Frikë nga barbarët, Roman- Petar Andonovski

E përktheu Ahmet Selmani

“Shpikja e historive vjen nga vetmia, nevoja për dialog. Ai që e shpiku tregimin duhet të ketë qenë shumë i vetmuar”, shkruan autori maqedonas Petar Andonovski (1987) në fund të veprës së tij, romanit Frikë nga barbarët, që shkon në të kaluarën me të tillë realitet fatkeq që ai mund të parashikonte të ardhmen. Historia e treshes ruse, dy burra dhe një grua, për të cilët ishulli grek i Gavdos bëhet shtëpia dhe streha e tyre pas fatkeqësisë bërthamore të Çernobilit, u botua fillimisht në vitin 2018 dhe fitoi Çmimin e BE-së për Letërsi dy vjet më vonë, kështu që Andonovski, ndryshe nga kolegët e tij, arritjet distopike dhe apokaliptike të të cilëve të botuara në mes të një pandemie, nuk duhet të justifikojnë, shpjegojnë motivimin e shkrimtarit apo të heqin ndonjë ngjashmëri me ngjarje reale. Megjithatë, ai përmbahet të mos e quajë romanin e tij “profetik” dhe është pikërisht kjo jehonë që ka bërë jehonë në skenën letrare evropiane që nga shkurti i vitit 2022. A.Selmani

Republika, Antologji – hartoi Vlora Ademi

Kopertinë libri
Kopertinë libri

Republika , Antologji- Vlora Ademi

Të gjitha poezitë janë publikuar në shqip dhe anglisht.

Përfshihen poezi nga : Adem Gashi, Ahmet Selmani, Blerina Rogova Gaxha, Curtis Bauer, Dalila Hiaoui, Emin , Z. Emini, Halil Matoshi, Lucilla Trapazzo, Ndue Ukaj, Nerimane Kamberi, Primo Shllaku, Timo Flloko, Vlora Konushevci, Xhevat Latifi.

‘’Kjo antologji asht e thjeshtë. Ajo nuk ka pretendimin të kualifikojë ose të krijojë ndonji hierarki. Qëllimi ynë ka qenë të regjistrojmë në kujtesën solide të letrës nji event publik dhe festiv, por edhe artistik dhe solemn njëherësh, në mënyrë që të prapësohet efekti dramatik i shlyemjes nga kujtesa i një ngjarje që u përshëndet gjanësisht nga publiku.

Pjesëmarrja relativisht e gjanë e poetëve të kësaj “Republike”, ardhja e tyne nga tre kontinente, Europë, Amerikë dhe Afrikë, tregon se ky event jo vetëm po e fitonte statusin e qenies i përvitshëm, por edhe atë ma ambiciozin, i qenies i përbotshëm.’’ Vlora Ademi

Kopertinë libri
Kopertinë libri

Ќе стасам како смртта, Песни- Доника Дабишевци

Ahmet Selmani

Përkthyes dhe autor i parathënies së librit Kam me ardhë si deka , në botimin maqedonisht të Rezna Ќе стасам како смртта:

‘’Vëllimi poetik “Kam me ardhë si deka” i D. Dabishevcit na shpie në një rrafsh të zgjedhur motivor i cili mund të perceptohet si një trini e përbërë nga uni (femëror), dashuria (ndenja) dhe erosi (epshi). Kjo do të thotë se qasja është kryekëput vetanake dhe intime, gati si një lloj ditari lirik për dashurinë personale. E gjithë kjo kundrohet nga aspekti psikologjik, filozofik dhe poetik, duke e shpalosur sipas një shkallëzimi të vazhdueshëm përplot drithërima e shkundullima të fuqishme. E gjithë forca e kësaj dashurie identifikohet nëpërmjet subjektit femëror që i flet të dashurit (burrit), duke ia shpalosur vrullshëm të gjitha shqetësimet dhe trazimet që i sillen vërdallë brenda shpirtit, duke ia treguar dëshirat e zjarrta erotike, por edhe vizionin filozofik për dashurinë në kuptimin e plotë kozmogonik.’’

 

Hashim Baftiari, drejtues i shtëpisë botuese ‘’Rezna’’ gjatë vitit 2023 botoi edhe:

Antologji e tregimit humoristik dhe satirik–   Shkrimtarët shqiptarë,

Gjejnë vend në këtë antologji:Tregtar flamujsh e Ernest Koliqit, Sokrat i vujtun apo derr i kënaqun, Novelë mbi krizë, nga Migjeni, Kur piqet Muhamti me Krishtin nga Nonda Bulka, Mysafir ke hallë Remja e Mustafa Greblleshit, Njeriu me katër vula dhe Vaianti Sallatë i Ndini Bardhit, Gjeli i detit i Miço Kallamatës, Në prag të harakiri i Qamil Buxhelit, Abrakadabra e Ramiz kelemndit, Jus primae noctis dhe Kunati i shokut Xhemal të Paulin Selimit, Stuhi në pjatë nga Vangjush Saro dhe Një dhuratë për dashnorin nga Luan Laze.