Nuk është e saktë se infektimi me grip është më i sigurt sesa vaksinimi kundër gripit
Pretendimi në njoftim se është më e sigurt të kalosh gripin sesa të marrësh vaksinën kundër gripit është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me provat shkencore dhe qëndrimet e institucioneve kryesore shëndetësore globale dhe vendase. Gripi sezonal nuk është një ftohje e padëmshme, por një sëmundje serioze e frymëmarrjes që mund të shkaktojë komplikacione të rënda. Nga ana tjetër, vaksinat kundër gripit sezonal kanë një profil sigurie të provuar dhe janë përdorur për dekada në të gjithë botën, shkruan Vërtetmatësi.
Ne analizojmë një postim në rrjetin social Facebook që thotë:
Një gjë është e sigurt: Ta kalosh gripin është shumë më e sigurt sesa të marrësh vaksinën kundër gripit
Njoftimi i dekurajon qytetarët që të marrin vaksinën kundër gripit sezonal, duke argumentuar se marrja natyrale e sëmundjes është një mundësi më e sigurt. Për më tepër, njoftimi nuk ofron asnjë konfirmim apo referencë mjekësore për pretendimin dhe “argumentimin” e tij. Pretendimi se është më e sigurt të kalosh gripin sesa të marrësh vaksinën kundër gripit është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me provat shkencore dhe qëndrimet e institucioneve kryesore shëndetësore globale dhe vendase.
Gripi sezonal nuk është një ftohje e padëmshme, por një sëmundje serioze e frymëmarrjes që mund të shkaktojë komplikacione të rënda si pneumonia, inflamacion i muskulit të zemrës, përkeqësim i sëmundjeve kronike, shtrim në spital dhe madje edhe vdekje, veçanërisht tek të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe të sëmurët kronikë.
Nga ana tjetër, vaksinat kundër gripit sezonal kanë një profil sigurie të provuar dhe janë përdorur për dekada në të gjithë botën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), reaksionet negative ndaj vaksinës janë zakonisht të lehta dhe afatshkurtra (dhimbje në vendin e injektimit, ethe e lehtë ose lodhje), ndërsa efektet anësore serioze janë jashtëzakonisht të rralla. Rreziku i sëmundjeve të rralla, siç është sindroma Guillain-Barré, vlerësohet në 1 deri në 2 raste për milion doza të dhëna, që është dukshëm më i ulët krahasuar me rrezikun e të njëjtave ose ndërlikimeve më të rënda nëse një person infektohet me vetë virusin e gripit. Përveç kësaj, rishikimet shkencore të botuara në revistën mjekësore JAMA konfirmojnë se vaksinimi ul ndjeshëm shtrimet në spital dhe vdekshmërinë në grupet e rrezikut, pa rritur rrezikun e ngjarjeve të rënda negative.
E njëjta gjë konfirmohet edhe nga Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut (ISHP), i cili thekson se vaksinimi është masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e gripit dhe mbrojtjen nga format e rënda të sëmundjes.
Vaksinimi rekomandohet për të gjithë popullatën, veçanërisht për kategoritë e qytetarëve në rrezik. Në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, grupet prioritare përfshijnë personat mbi 65 vjeç, fëmijët e moshës gjashtë deri në 59 muaj, personat mbi gjashtë muaj me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, thuhet në rekomandimet e ISHP-së.
Meqenëse virusi i gripit mbart një rrezik shumë më të madh dhe më real të pasojave serioze shëndetësore sesa vetë vaksina, ne e konsiderojmë të pavërtetë pohimin se është më e sigurt të infektohesh me grip.