Pas ftesës në polici për kërcënim të dy drejtorëve të M-NAV, kryetari i Sindikatës paralajmëroi dorëheqje të kontrolluesve të fluturimeve

Kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimit, Aleksandar Tasevski, sot në konferencë për shtyp konfirmoi se është thirrur në Polici, pasi që paraprakisht është paraqitur për kërcënim nga drejtori ekzekutiv i M-NAV, Fahrudin Hamidi dhe një prej tre drejtorëve, Hasim Deari. Tasevski sot tha se nuk i ka kërcënuar drejtorët, ndërkaq paralajmëroi dhe dorëheqjen e kontrolluesve të fluturimeve. Hamidi nga ana tjetër paralajmëroi se do të ketë reagim zyrtar për ndodhitë e fundit, njofton Portalb.mk.

“Ju them me përgjegjësi se përmbajtja e e-mailit as ka ndonjë gjë që asocon në kërcënime. Vlerësoj se në mënyrë tendencioze dhe qëllimisht ajo të interpretohet ashtu që informatat të shfrytëzohen kundër meje si lloj trysnie me qëllim që të heqim dorë nga aktivitetet tona”, kështu deklaroi Tasevski, një ditë pasi ishte në polici për bisedë informative.

Sipas tij, hapat e fundit të ndërmarra nga ana e inxhinierëve dhe teknikëve të cilët kanë dhënë dorëheqje nga pozitat dhe funksionet e tyre, definitivisht te drejtori kanë treguar, siç tha ai frikë, për kolltukët e tyre.

“Kjo plotësisht tregon se ne jemi në rrugë të vërtetë. Dhe kjo që ndodhi dje definivisht nuk do të na frikësojë”, shtoi ai.

Ai paralajmëroi se prej sot do të fillojë me deponimin e dorëheqjeve të kontrollorëve dhe zëvendësve të tyre të cilët kanë pozita udhëheqëse dhe nuk e përjashton mundësinë për organizim të grevës.

“Normalisht që greva nuk do të jetë në disa ditët e ardhshme, por këtë herë greva nuk do të jetë vetëm e kontrollorëve të fluturimit, por e të gjithë të punësuarve në navigacionin maqedonas. Duhet të tregojmë se nuk mundet kështu të vazhdojë dhe drejtorët të punojmë me trysni ndaj të punësuarve dhe sindikatës. Me këtë mënyrë të punësimit, le të vazhdojnë vetë nëse janë të shkathët për diçka të tillë. Kjo që po ndodh nuk do të na frikësojë dhe të na largojë nga ideja jonë”, shtoi Tasevski.

Në lidhje me paraqitjen në polici për kërcënim, Portalb.mk, kërkoi qëndrim nga drejtori Fahrudin Hamidi dhe të ofrojë dëshmi për kërcënimin eventual, por ai na tha që do të ketë reagim zyrtar.

Nga Policia dolën me reagim zyrtar pasi që nëpër disa portale u shkruajt se është arrestuar Tasevski. Siç njoftojnë prej MPB-së, ndaj Tasevskit është vepruar sikur ndaj të gjitha paraqitjeve tjera, gjegjësisht nëse ka ndonjë paraqitje për kërcënim, policia, personin e paraqitur e fton në bisedë informative.

Ngjarjet e këtilla kanë ndodhur pasi që Tasevski ka akuzuar se në M-NAV po punësohen persona partiak dhe familjarë në pozita të shpikura, nëpërmjet shpalljeve të dyshuara. Kontrollorët disa herë janë kërcënuar me grevë, ndërkaq së fundmi dhanë dorëheqje 7 inxhinierë nga Sektori për Teknikë Ajrore, pasi që sipas tyre, janë pranuar në punë kuadro jopërkatës për inxhinierë dhe instruktorë.

Pretendimet e këtilla i ka hedhur poshtë drejtori Hamidi dhe kompania M-NAV.

Mosmarrëveshje mes Sindikatës dhe drejtorit Hamidi ka pasur edhe në vitin 2022, kur Sindikata akuzoi se Hamidi dëshiron ta shfuqizojë shpalljen për kontrollues të fluturimit, pasi prej 270 të paraqiturve, vetëm 8 kandidatë e kanë kaluar testimin, në mesin e të cilëve nuk janë edhe fëmijët e disa prej funksionarëve partiak të BDI-së. Edhe këtë akuzë, asokohe e mohoi Hamidi.

LEXO: RMV, shefat e inxhinierëve në kontrollin ajror dhanë dorëheqje, pasi u punësuan kandidatë pa test përzgjedhjeje