RMV, është anuluar greva e kontrollorëve të trafikut ajror

Është anuluar greva e kontrollorëve të trafikut ajror e paralajmëruar për 25 dhjetor dhe 31 dhjetor të këtij viti, njoftoi sot kryetari i Sindikatës së Pavarur të Kontrollorëve të Trafikut Ajror (SPKTA) Aleksandar Tasevski, transmeton Portalb.mk.

Sindikata në mbledhjen e sotme ka vendosur të pranojë shpalljen e punësimit që e ka kontestuar për shkak të disa pozitave që i konsideron jo thelbësore dhe që kanë qenë arsyeja e riaktivizimit të vendimit të grevës nga tetori i këtij viti.

“Ne vendosëm të anulojmë grevën për disa arsye operacionale. Kemi parë që me aktivitetin tonë kemi çuar në faktin se përzgjedhja e personelit të nevojshëm operativ është prolonguar dhe nuk mund të bëhet nëse vazhdojmë të këmbëngulim për 10 ditë pune për konkursin, ndërsa edhe më tej vazhdojmë të qëndrojmë në atë se ato dy kandidatë jo thelbësorë për punësim duhet të pezullohen. Kishim opsionin ose t’i anulojmë plotësisht të gjitha punësimet ose të pranojmë, gjegjësisht ta “gëlltisim” keqfunksionimin nga drejtorët që ndoshta kanë luajtur në një kartë të tillë që të mos kemi mundësi të manovrojmë”, tha Tasevski.

Më 15 dhjetor, nga Sindikata e Kontrolluesve të Trafikut Ajror i kanë dërguar njoftim drejtorit të M-NAV, Fahrudin Hamidi, se do të organizojnë grevë nga 31 dhjetori, festa e Vitit të Ri, deri më 2 janar, nëse nuk i tërheq dy konkurset e punës që i ka shpërndarë fshehurazi.

Sipas Aleksandar Tasevski, kryetar i Sindikatës së Kontrolluesve të Trafikut Ajror, menaxhmenti nën udhëheqjen e drejtorit Fahrudin Hamidi e ka shkelur marrëveshjen e nënshkruar para ministrit të transportit Blagoj Boçvarski, pasi që ka shfrytëzuar hapësirën që ka krijuar turma para festave dhe ka shpallur konkurs për punësim me kërkesa jo përkatëse.