Prokuroria do të dorëzojë ankesë ndaj Gjykatës se nuk i paraburgosi por u dha “Masë kujdesi” Bekim Nezirit dhe të tjerëve për incidentin në M-NAV

Prokurori Publik do të dorëzojë ankesë ndaj vendimit të gjykatësit përgjegjës të Gjykatës Themelore Penale – Shkupi 1, me të cilin u refuzua kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për katër të dyshuarit për veprën penale “Rrezikimi i sigurisë së komunikacionit ajror” dhe u caktoi vetëm masë kujdesi, njoftoi sot Prokuroria Themelore, transmeton Portalb.mk. 

Prokuroria njoftoi sot se do të ankimojë vendimin e gjykatësve përgjegjës Pajazit Pajaziti dhe Sandra Krstiç në Gjykatën Themelore Penale Shkup që cili mbrëmë vonë kanë caktuar masë kujdesi për katër persona të dyshuar për rrezikim të sigurisë së komunikacionit ajror, për sulmin në Agjencinë e Aviacionit Civil – Maqedoni (M-NAV).

Në mesin e këtyre personave është edhe Bekim Neziri, ish-ministër, këshilltar aktual i drejtorit të M-NAV-së dhe kryetar i BDI-së në Çair.

Pas ankimimit do të vendosë Këshilli Penal prej tre gjyqtarësh të Gjykatës Penale. 

Siç njoftuam më herët, Prokuroria Themelore Publike për këtë vepër, për të cilën është paraparë dënim me burg prej së paku 5 deri në 20 vjet, kërkoi masë paraburgimi për të katër të dyshuarit, për shkak të rrezikut të ndikimit te dëshmitarët dhe hetimet, si dhe për ekzistimin e shkaqeve të dyshimit për arratisje.

Por, gjykatësi Pajaziti dhe Krstiç caktuan masë më të lehtë kujdesi.

Sipas vendimit të tyre, katër të dyshuarit do të mbeten pa pasaporta, do të duhet të paraqiten në gjykatë, nuk mund të largohen nga Shkupi apo vendbanimi i tyre dhe nuk mund të komunikojnë me viktimën të cilën e kanë sulmuar.

Sipas Tv Telma, një nga çështjet më të problematike është se Neziri do të mund të vazhdojë të punojë në M-NAV, duke hapur kështu rrezikun e ndikimit mbi dëshmitarët dhe provat.

Kujtojmë se sipas akuzës së Prokuorisë, të dyshuarit më 4 janar, kanë kryer vepër penale me të cilën kanë rrezikuar sigurinë e Aeroportit të Shkupit.

“Në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të kryerjes së veprës penale të dhunës ndaj një personi ata i kanë penguar shërbimet në aeroport. Me veprimet e tyre, ata kanë rrezikuar sigurinë e trafikut ndërkombëtar ajror në momentin kur në hapësirën ajrore mbi shtetit, po zhvilloheshin 28 fluturime nën kontrollin e M-NAV, me çka janë të dyshuar se kanë kryer vepër penale me të cilën parashikohet dënim me burg prej më së paku pesë viteve”, njoftuan mbrëmë nga Prokuroria kur të dyshuariot u sollën në Gjykatën Penale me gjashtë vetura në Gjykatën Penale, mes tyre dhe Neziri.

Prokuroria është në kërkim edhe të katër anëtarëve të tjerë të grupit të dhunshëm.

Nikolla Gruevski/ Foto: Facebook
Nikolla Gruevski/ Foto: Facebook

Pajaziti dhe Krstiç, të njohur për rastin e Gruevskit dhe Grujovskit

Gjykatësi Pajaziti ka qenë nënkryetar i Gjykatës Penale për disa vite. Emri i tij u përmend në opinion kur ishte gjyqtar për zbatimin e sanksioneve për arrestimin e ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili u arratis para se të hynte në burg.

Ndërsa Krstiç, përveç që ishte një nga gjyqtaret në rastin e “Mashinoprometit kundër Shipoviqit” (ish-kryetar i këshillit në Komunën Qendër), mediat shkruajnë se ka qenë pjesë e Këshillit Penal që ia ndryshoi paraburgimin me arrest shtëpiak ish-shefit të policisë Goran Grujovski në rastin “Target-Fortesa” të ish Prokurorisë Speciale Publike në RMV. Grujovski iku në Greqi.

Kronologjia e ngjarjeve

Sulmi i 4 janarit nga të dyshuarit në krye me Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë ndodhi pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjetë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.

Kontrolli i fluturimeve, foto: Ministria e Transportit dhe Lidhjeve
Kontrolli i fluturimeve, foto: Ministria e Transportit dhe Lidhjeve

Nuk është hera e pare që Bekim Neziri sulmon të punësuarit në këtë institucion, ai në vitin 2010 ka rrahur edhe një kontrollor të trafikut ajror.

Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, ka bërë që Qeveria e RMV-së të njoftojë se në seancën e radhës, më 9 janar, t’i shkarkojë të gjitha strukturat drejtuese. Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski e ka përkrahur vendimin e Qeverisë ndërsa Sindikata pret që qeveria ta përmbushë premtimin e saj në të kundërtën  10 janar do të mbyllet hapësira ajrore e vendit.

Nga ana tjetër, drejtori i Kontrollit të Fluturimeve Civile, Fahrudin Hamidi në konferencë për media më 5 janar, tha se “hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut është e sigurt” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e rrezikuar. Ai theksoi se “personat që e kanë mbështetur grevën, janë të mashtruar nga kryetari sindikatës”, të cilin Hamidi e akuzon për “sabotim të punës” në kohën kur, sipas tij, ky institucion ka kaluar një krizë të rëndë financiare dhe është kompletuar me “kuadër të kualifikuar”.

Fahrudin Hamidi. Foto printscreen nga video-live e MIA-s
Fahrudin Hamidi. Foto printscreen nga video-live e MIA-s

Përplasjet në M-NAV filluan në dhjetor 2023, kur sindikata akuzoi menaxhmentin për punësime partiake. Shpalljet, siç deklaruan nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, janë joligjore, ndërsa personat që punësohen janë të përzgjedhur paraprakisht nga partitë politike. Ata disa herë kërkuan tërheqjen e shpalljeve, për të cilat drejtori Fahrudin Hamidi tha se ato shpallje janë “padyshim ndonjë gabim”.

Në faqen e Agjencisë së Punësimit u publikuan dy shpallje nga M-NAV, të cilat ishin për dy ditë nga 14 deri më 16 dhjetor dhe nga 15 deri më 17 dhjetor 2023, përkatësisht për “këshilltar të pavarur për çështje të personelit” dhe për “navigator të aviacionit”.

Për shpalljet në fjalë, Sindikata kërcënoi se do të hyjë në grevë gjatë periudhës së festave, mirëpo e njëjta u anulua “për disa arsye operacionale”.