Hamidi: Kontrollorët ajror të mos hyjnë në grevë, shpallja për këshilltar që zgjati dy ditë ka ndodhur gabimisht

Drejtori i M-NAV, Fahrudin Hamidi, shpreson se greva e kontrollorëve të trafikut ajror nga 31 dhjetori deri më 2 janar, e paralajmëruar nga Sindikata e Kontrollorëve për të parandaluar një valë të re të punësimeve partiake, nuk do të realizohet. Ai pretendon se nuk është e vërtetë që ka bërë shpallje për këshilltar të pavarur në departamentin e burimeve njerëzore, transmeton Portalb.mk.

Mirëpo, në faqen e Agjencisë së Punësimit janë të publikuara dy shpallje nga M-NAV, të cilat janë vetëm për dy ditë nga 14 deri më 16 dhjetor dhe nga 15 deri më 17 dhjetor, përkatësisht për “këshilltar të pavarur për çështje të personelit” dhe për “navigator të aviacionit”.

Drejtori Hamidi thotë se ato shpallje janë “padyshim ndonjë gabim” dhe se ai do të verifikojë me Agjencinë të hënën sepse adresa e emailit që është vendosur për kontakt është e një zonje që doli në pension në 2016. Mirëpo, të hënën tashmë do të ketë skaduar afati për regjistrimin e këtyre dy shpalljeve.

Sindikata e Kontrollorëve të Qarkullimit Ajror ka parë të premten këto shpallje të postuara në faqen e Agjencisë së Punësimit dhe menjëherë i ka paralajmëruar se nëse nuk i tërheq menjëherë, nuk do të ketë fluturime për Vitin e Ri. Të gjithë kontrollorët do të hyjnë në grevë.

Drejtori Hamidi thotë se janë të vlefshme vetëm shpalljet e publikuara në gazetat “Veçer” dhe “Koha” të publikuara javën e kaluar. Në një shkresë ai sqaron se “shpalljet e publikuara janë në përputhje me planin financiar për vitin 2023, të miratuar me vendim të Qeverisë dhe pëlqimin e marrë nga Ministria e Financave. Janë respektuar afatet ligjore të përcaktuara në ligjin për marrëdhëniet e punës dhe shpalljet kanë afat 10 ditë për regjistrim, e jo afat prej 2 ditësh siç ia prezantoi opinionit kryetari i Sindikatës Aleksandar Tasevski”.

Por për Sindikatën kontestuese është edhe shpallja për 10 vende pune të publikuar në gazeta, e cila zgjat 10 ditë, ndonëse në pesë orë negociata më 11 tetor, për të parandaluar grevën e paralajmëruar më 12 tetor, drejtori Hamidi u pajtua që tani e tutje shpalljet të zgjasin së paku dy javë, në mënyrë që të gjithë qytetarët e interesuar të mund të shohin dhe të kenë kohë për të mbledhur dokumentet dhe regjistrimin, jo vetëm kandidatët e përcaktuar të dërguar nga partitë.

Hamidi thotë se do të pranohen vetëm personel me rëndësi thelbësore për MNAV, sepse kanë nevojë për kandidatë nga profili profesional, operativ, inxhinierë, teknikë dhe staf meteorologjik, operator në qendrën e miratimit të fluturimeve, si dhe përkthyes nga maqedonishtja në shqip. që është detyrim ligjor.

“Nevoja për një asistent biznesi në departamentin e navigacionit ajror dhe një kontabilist-këshilltar i pavarur në departamentin e financave është i domosdoshëm për funksionimin e vazhdueshëm të M-NAV”, thuhet në përgjigjen e Hamidit ndaj akuzave të Sindikatës se po shpikeshin vende pune me pagesë të lartë.

Lidhur me konkursin e publikuar në faqen e Agjencisë së Punësimit për pozitën “konsulent për çështjet e personelit”, për të cilin Hamidi thotë se është gabim, kryetari i Sindikatës Tasevski thotë se është ngritur për ish-drejtorin Migjen Selmani, i cili ishte një nga arsyet e shpalljes së grevës së kontrollorëve në fluturim në tetor të këtij viti.

Tasevski akuzon se menaxhmenti nën drejtimin e drejtorit Fahrudin Hamidi e ka shkelur marrëveshjen e arritur para ministrit të transportit Blagoj Boçvarski.

Nga ana tjetër, drejtori thotë se pas ardhjes në këtë detyrë pas sistematizimit, ka pezulluar 90 vende pune që nuk ishin thelbësore për institucionin. “Në vitin 2022 kam nënshkruar një numër me Sindikata për një numër përfundimtar prej 333 punëtorësh, ndërsa pas sistematizimit paraprak kanë qenë 423”, thotë Hamidi dhe shton se këto punësime të reja janë brenda këtij numri të parashikuar.

“Nuk do të funksionojë, nëse ai nuk tërheq shpalljet, do të hyjmë në grevë në Vitin e Ri”, shprehen decid nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.

Ministri Blagoj Bocvarski në dhjetor tha se personalisht do të sigurohet që të respektohet marrëveshja ndërmjet Sindikatës së Kontrollorëve dhe menaxhmentit të M-NAV.

Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga Ministria e Transportit lidhur me paralajmërimin e fundit për grevë treditore të kontrollorëve.