Qeveria e RMV-së në seancën e ardhshme do të vendosë për shkarkimin e gjithë anëtarëve të Bordit drejtues  të M-NAV

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e ardhshme, më datë 9 janar, me iniciativë të kryeministrit Dimitar Kovaçevskit dhe në konsultim me Ministren e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska dhe Ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski do të vendosin për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit drejtues të M-NAV, të hapet procedura për anëtarë të rinj si dhe do të kërkojnë revizion të punës së deritanishme të M-NAV nga institucionet përkatëse, shkruan Portalb.mk

“Ju njoftojmë se me iniciativë të kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në konsultim me Ministren e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska dhe Ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski, në seancën e ardhshme të Qeverisë, të caktuar për të martën, 09.01.2024, do të propozohen dhe miratohen disa vendime për zgjidhjen e situatës ekzistuese në M. -NAV:

  1. shkarkohet i gjithë menaxhmenti dhe të gjithë anëtarët e Bordit Drejtues.
  2. Të hapet një procedurë urgjente për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të menaxhmentit dhe të Bordit Drejtues në një proces publik, transparent dhe të përcaktuar me ligj.”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Nga aty shtojnë se Kovaçevski do t’i bëjë thirrje Prokurorisë Publike, Komisionit Shtetëror për parandalimin e Korrupsionit, Entit Shtetëror i Revizionit (ESHR) , Policisë Financiare dhe organeve ndërkombëtare të kontrollit të trafikut ajror që të bëjnë revizion të punës së mëparshme të M-NAV.

Përndryshe, më 4 janar, në orët e pasdites kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimit, Aleksandar Tasevski,  ka alarmuar që disa persona kanë ardhur me vetura në hapësirat e punës, pa u penguar nga sigurimi, kanë hyrë në objekt duke shkaktuar probleme. Ndërkaq, në konferencë për shtyp konfirmoi se është thirrur në Polici, pasi që paraprakisht është paraqitur për kërcënim nga drejtori ekzekutiv i M-NAV, Fahrudin Hamidi dhe një prej tre drejtorëve, Hasim Deari. Tasevski sot tha se nuk i ka kërcënuar drejtorët, ndërkaq paralajmëroi dhe dorëheqjen e kontrolluesve të fluturimeve. Hamidi nga ana tjetër paralajmëroi se do të ketë reagim zyrtar për ndodhitë e fundit.

Ngjarjet e këtilla kanë ndodhur pasi që Tasevski ka akuzuar se në M-NAV po punësohen persona partiak dhe familjarë në pozita të shpikura, nëpërmjet shpalljeve të dyshuara. Kontrollorët disa herë janë kërcënuar me grevë, ndërkaq së fundmi dhanë dorëheqje 7 inxhinierë nga Sektori për Teknikë Ajrore, pasi që sipas tyre, janë pranuar në punë kuadro jopërkatës për inxhinierë dhe instruktorë.

Pretendimet e këtilla i ka hedhur poshtë drejtori Hamidi dhe kompania M-NAV.

Mosmarrëveshje mes Sindikatës dhe drejtorit Hamidi ka pasur edhe në vitin 2022, kur Sindikata akuzoi se Hamidi dëshiron ta shfuqizojë shpalljen për kontrollues të fluturimit, pasi prej 270 të paraqiturve, vetëm 8 kandidatë e kanë kaluar testimin, në mesin e të cilëve nuk janë edhe fëmijët e disa prej funksionarëve partiak të BDI-së. Edhe këtë akuzë, asokohe e mohoi Hamidi.