Gjykata Penale sqaroi pse nuk ka paraburgim për Bekim Nezirin dhe sulmuesit e tjerë në M-NAV

Gjykata Themelore Penale në Shkup sot përmes një komunikate ka sqaruar arsyet pse ka refuzuar propozimin e Prokurorisë për përcaktimin e masës së paraburgimit për Bekim Nezirin dhe tre të dyshuar për sulmin në objektin e M-NAV dhe sulmin ndaj kontrollorëve të fluturimeve në vendin e punës. Në vend të paraburgimit, gjykata kishte përcaktuar masën e sigurisë për këta persona, raporton Portalb.mk.

“Qytetarët patjetër duhet ditur se gjykata vendos në bazë të dokumenteve dhe dëshmive të ofruara nga Prokuroria Themelore Publike dhe Ministria për Punë të Brendshme dhe në bazë të bindjes së lirë gjyqësore”, deklaroi Gjykata Penale.

Nga Gjykata vlerësojnë se ka ndodhur parregullsi nga aspekti penal juridik, për këtë arsye me qëllim që të zhvillohen pa ndërprerë procedurat penale, gjegjësisht hetimi nga prokurori përkatës, për këtë Gjykata vlerësoi që është e nevojshme të sigurohet prezenca e personave të dyshuar.

“E nevojshme është të dihet që urdhri për hetim përfshin tetë persona, ndërsa deri më tani është paraqitur propozim për përcaktimin e masës për sigurimin e pjesëmarrjes, si dhe dëshmi për përfshirjen e tyre, vetëm për katër persona”, deklarojnë nga Gjykata.

Gjykata theksoi që nga Prokuroria Themelore Publike nuk janë dërguar dëshmi – dokumente mjekësore për lëndime trupore. Nga Gjykata vlerësojnë që të dyshuarit akuzohen në bazë të nenit 3030, paragrafi 2 nga Kodi Penal, ndërsa në bazë të dëshmive të paraqitura nuk rezulton se të dyshuarit e kanë kryer veprën penale, gjegjësisht veprat e tyre të kenë shkaktuar lëndime të rënda, vdekje ose prishje të pajisjeve, objekteve ose transportit ajror.

Nga Gjykata shtojnë edhe vlerësimin e Agjencisë për Aviacion Civil,  se nuk ka pasur asnjë lloj prishje ose kërcënimi të sigurisë në trafikun ajror, si dhe nuk u raportuar ndonjë ngjarje apo incident serioz në lidhje zhvillimin e transportit ajror, ashtu siç theksoi edhe drejtori i Agjencisë, Tomisllav Tuntev.

Kronologjia e ngjarjeve

Sulmi i 4 janarit nga të dyshuarit në krye me Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë ndodhi pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjetë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.

Nuk është hera e pare që Bekim Neziri sulmon të punësuarit në këtë institucion, ai në vitin 2010 ka rrahur edhe një kontrollor të trafikut ajror.

Më 5 janar, Neziri së bashku me tre të tjerë në pranga u dërgua në Gjykatën Themelore Penale – Shkupi 1 dhe për to u caktua “masë kujdesi” dhe jo paraburgim siç kërkoi paraprakisht Prokuroria Publike. Kjo e fundit më 6 janar tha se do të ankimojë këtë vendim.

Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, ka bërë që Qeveria e RMV-së të njoftojë se në seancën e radhës, më 9 janar, t’i shkarkojë të gjitha strukturat drejtuese. Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski e ka përkrahur vendimin e Qeverisë ndërsa Sindikata pret që qeveria ta përmbushë premtimin e saj në të kundërtën  10 janar do të mbyllet hapësira ajrore e vendit.

Nga ana tjetër, drejtori i Kontrollit të Fluturimeve Civile, Fahrudin Hamidi në konferencë për media më 5 janar, tha se “hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut është e sigurt” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e rrezikuar. Ai theksoi se “personat që e kanë mbështetur grevën, janë të mashtruar nga kryetari sindikatës”, të cilin Hamidi e akuzon për “sabotim të punës” në kohën kur, sipas tij, ky institucion ka kaluar një krizë të rëndë financiare dhe është kompletuar me “kuadër të kualifikuar”.

Përplasjet në M-NAV filluan në dhjetor 2023, kur sindikata akuzoi menaxhmentin për punësime partiake. Shpalljet, siç deklaruan nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, janë joligjore, ndërsa personat që punësohen janë të përzgjedhur paraprakisht nga partitë politike. Ata disa herë kërkuan tërheqjen e shpalljeve, për të cilat drejtori Fahrudin Hamidi tha se ato shpallje janë “padyshim ndonjë gabim”.

Në faqen e Agjencisë së Punësimit u publikuan dy shpallje nga M-NAV, të cilat ishin për dy ditë nga 14 deri më 16 dhjetor dhe nga 15 deri më 17 dhjetor 2023, përkatësisht për “këshilltar të pavarur për çështje të personelit” dhe për “navigator të aviacionit”.

Për shpalljet në fjalë, Sindikata kërcënoi se do të hyjë në grevë gjatë periudhës së festave, mirëpo e njëjta u anulua “për disa arsye operacionale”.