Bekim Neziri i cili i sulmoi kontrollorët, edhe në vitin 2010 ka rrahur dhe përjashtuar një instruktor në M-NAV

Ish-ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, tani i punësuar në M-NAV, i cili dje së bashku me 8 anëtarë të BDI-së nga Çairi hynë në institucion dhe sulmuan punonjësit në hapësirën e radarit ku është vendosur kontrolli rajonal i trafikut ajror, në vitin 2010 ka rrahur edhe një kontrollor të trafikut ajror, transmeton Portalb.mk.

Ndryshe, Neziri atëherë ishte anëtar i Bordit Drejtues të M-NAV dhe njëri nga tre drejtorët, dhe sulmoi një kontrollor të trafikut ajror, i cili si instruktor nuk ka dashur të nënshkruajë se i është nënshtruar trajnimit për kontrollues. Neziri e goditi me grusht dhe e shtyu instruktorin poshtë shkallëve. Më pas, ai ka paraqitur propozim në Bordin Drejtues që instruktori të shkarkohet. Incizimet e sulmit ndaj instruktorit u fshinë.

Siç ka raportuar gazeta “Vest” më 23 shkurt 2010, atëherë kryetari i Bordit drejtues të M-NAV Zhivko Popovski ka deklaruar se në seancë është diskutuar për propozimin e Nezirit për shkarkimin e instruktorit.

“Kam kundërshtuar duke thënë se është punëtor i mirë, për çka Neziri më ka thënë se ka vendosur për “të tijët”. I thashë se siguria e fluturimit është e pandashme, nuk ka ‘tonët’ dhe ‘tuajt’. Vazhdimin e dini, më ka spërkatur me ujë”, ka thënë më pas Popovski, ndërsa Neziri ka mohuar se e ka spërkatur me ujë.

Mirëpo, kontrollori u pushua nga puna, formalisht me arsyetimin se në mënyrë të pajustifikuar ka munguar në punë për pesë ditë, por në fakt Neziri ia ka fshirë në mënyrë elektronike pushimin mjekësor derisa po shërohej nga rrahja. Më pas kontrollori paditi dhe fitoi dhe pasi gruaja e tij u pushua nga puna në Qendrën Klinike, ata u transferuan në një vend skandinav ku ai ende punon në Kontrollin e Trafikut Ajror.

Sulmi dhe shkarkimi i kontrollorit nuk mori vëmendjen e mediave në atë kohë, sepse siç tha në atë kohë një punonjës i M-NAV, “në atë kohë VMRO-DPMNE ishte në pushtet në koalicion me BDI-në, kështu që sindikata nuk kishte qasje në media dhe as ai nuk u lejua të fliste publikisht”. Në kohën e Qeverisë së Gruevskit, me kërkesë të Nezirit janë përjashtuar edhe disa kontrollorë të tjerë nga Kontrolli i Trafikut Ajror, sepse kanë dhënë deklarata në publik dhe VMRO-DPMNE i ka lënë që të mos shpërbëhet koalicioni qeveritar.

Nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, për mediat kanë deklaruar se aktualisht po ndërmerren veprime për zbardhjen e ngjarjes.

“Prokuroria Themelore Publike Shkup gjatë ditës pret kallëzim penal nga MPB-ja dhe për procedurën e mëtutjeshme do ta informojë publikun”, thuhet në deklaratën zëdhënëses së PThP-së.

Siç raporton A1on, Bekim Neziri, aktualisht ndodhet në stacionin policor dhe po intervistohet.

“Në lidhje me sulmin e djeshëm ndaj punonjësve të M-NAV, me urdhër të Prokurorisë Publike po zhvillohet një bisedë zyrtare me B.N”, thuhet në deklaratën e MPB-së për A1on.

Neziri që nga mëngjesi i sotëm ndodhet në komisariat dhe me urdhër të prokurorisë po intervistohet.

Bekim Neziri është kryetar i degës partiake të BDI-së në komunën e Çairit të Shkupit. Gjatë koalicionit qeverisës të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, ai ka mbajtur disa pozita të larta politike, duke përfshirë si një nga drejtorët e M-NAV, drejtor i Fondit SPI dhe Ministër i Ekonomisë në Qeverinë e Nikolla Gruevskit, pas çka gjithmonë kthehet në M-NAV, vend pune i garantuar për të.

Nga Sindikata e Kontrollorëve Ajror sot kanë paralajmëruar se nëse drejtorët e Navigacionit të Maqedonisë (M-NAV) nuk japin dorëheqje ose Qeveria nuk i shkarkon në seancën e ardhshme të caktuar për të martën (09.01.2024), Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror do të hyjë në grevë nga dita e mërkurë, duke mbyllur hapësirën ajrore.

Kujtojmë se ky institucion, veçanërisht kohëve të fundit, ka pasur përplasje të vazhdueshme, si pasojë e punësimeve partiake. Shpalljet, siç deklarojnë nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, janë joligjore. Ato zgjasin vetëm disa ditë, duke pamundësuar mbledhjen e dokumentacionit për të interesuarit dhe siç pretendojnë të punësuarit dhe sindikalistët janë shpallje sa për sy e faqe, ndërsa personat faktikisht janë të përzgjedhur paraprakisht nga partitë politike. Ata disa herë kërkuan tërheqjen e shpalljeve, për të cilat drejtori Fahrudin Hamidi tha se ato shpallje janë “padyshim ndonjë gabim”.

Në faqen e Agjencisë së Punësimit u publikuan dy shpallje nga M-NAV, të cilat ishin për dy ditë nga 14 deri më 16 dhjetor dhe nga 15 deri më 17 dhjetor, përkatësisht për “këshilltar të pavarur për çështje të personelit” dhe për “navigator të aviacionit”.

Për shpalljet në fjalë, Sindikata kërcënoi se do të hyjë në grevë gjatë periudhës së festave, mirëpo e njëjta u anulua “për disa arsye operacionale”.