Pa u penguar nga sigurimi, disa persona kanë sulmuar punonjësit e kontrolleve të fluturimeve, alarmoi kryesindikalisti, Policia po heton rastin

Kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimit, Aleksandar Tasevski,  në orët e pasdites ka alarmuar që disa persona kanë ardhur me vetura në hapësirat e punës, pa u penguar nga sigurimi, kanë hyrë në objekt duke shkaktuar probleme, transmeton Portalb.mk.

“Në objektin e kontrollimit të fluturimeve, kanë ardhura disa vetura, prej ku kanë dal disa persona, të cilët kanë hyrë në objektin e kontrollimit të fluturimit, kanë shkaktuar përleshje dhe kanë sulmuar të punësuarit në kontrollin e fluturimeve, kolegët e mi”, deklaroi Tasevski.

Ai deklaroi që rasti është paraqitur në stacionin policor në Petrovec. Policia për MIA raportoi që sot (01.04.2024) rreth orës 15:15 në SP Petrovec, një person i punësuar në M-NAV ka raportuar se në objekt ka pasur shkelje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht se B.N. (personi i punësuar në institucion) së bashku me disa persona të tjerë të panjohur kanë sulmuar fizikisht P.B., E.K. dhe B.R. (persona të punësuar në institucion).

Bekim Neziri, është personi qe ka kryer sulmin ndaj një të punësuari në M-NAV, shkruan Alsat. Burime të mirë informuara të ALSAT, kanë treguar se Neziri bashkë me Erzen Saliun, e kanë kryer këtë sulm, derisa lajmi për një incident është konfirmuar edhe nga kryetari i Sindikatës Aleksandar Tasevski dhe nga MPB.

“Veturat kanë hyrë pa u ndërprerë nga sigurimi, që janë një kompani e jashtme, të cilës sipas informatave tona i ka mbaru marrëveshja më herët, ndërsa nuk kemi informata nëse i është vazhduar përsëri. Anën tjetër nuk ka reaguar as sigurimi i M-NAV që gjendet në objektin e njëjtë”, deklaroi Tasevski.

Ndryshe, Kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimit, Aleksandar Tasevski, sot në konferencë për shtyp konfirmoi se është thirrur në Polici, pasi që paraprakisht është paraqitur për kërcënim nga drejtori ekzekutiv i M-NAV, Fahrudin Hamidi dhe një prej tre drejtorëve, Hasim Deari. Tasevski sot tha se nuk i ka kërcënuar drejtorët, ndërkaq paralajmëroi dhe dorëheqjen e kontrolluesve të fluturimeve. Hamidi nga ana tjetër paralajmëroi se do të ketë reagim zyrtar për ndodhitë e fundit.

Ngjarjet e këtilla kanë ndodhur pasi që Tasevski ka akuzuar se në M-NAV po punësohen persona partiak dhe familjarë në pozita të shpikura, nëpërmjet shpalljeve të dyshuara. Kontrollorët disa herë janë kërcënuar me grevë, ndërkaq së fundmi dhanë dorëheqje 7 inxhinierë nga Sektori për Teknikë Ajrore, pasi që sipas tyre, janë pranuar në punë kuadro jopërkatës për inxhinierë dhe instruktorë.

Pretendimet e këtilla i ka hedhur poshtë drejtori Hamidi dhe kompania M-NAV.

Mosmarrëveshje mes Sindikatës dhe drejtorit Hamidi ka pasur edhe në vitin 2022, kur Sindikata akuzoi se Hamidi dëshiron ta shfuqizojë shpalljen për kontrollues të fluturimit, pasi prej 270 të paraqiturve, vetëm 8 kandidatë e kanë kaluar testimin, në mesin e të cilëve nuk janë edhe fëmijët e disa prej funksionarëve partiak të BDI-së. Edhe këtë akuzë, asokohe e mohoi Hamidi.