Cilat janë ankesat më të shpeshta të studentëve? Flasin Besari dhe Genti, kryetarët e parlamenteve studentore në UNT dhe UT
Ushqimi po u kushton gjithnjë e më shumë studentëve, ndërsa atyre që studiojnë larg shtëpisë u shtohen qiraja dhe faturat mujore ose shpenzimet për rrugën deri në fakultet. Këto janë ndër ankesat që marrin më shpesh kryetarët e parlamenteve studentore të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universitetit të Tetovës. Për njërën prej tyre, shtatë parlamente studentore në Maqedoninë e Veriut tashmë kanë dalë me kërkesë të përbashkët për rritjen e subvencionit për shujtën studentore. Në anketën e Portalbit, 145 nga 173 studentët që morën pjesë thanë se nuk arrijnë t’i përballojnë shpenzimet mujore.
Besar Sejdiu, kryetar i Parlamentit Studentor në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, tha për Portalb.mk se studentët ankohen më shpesh për çmimet e ushqimit dhe të produkteve bazë që blejnë çdo ditë, si dhe për shumën e subvencionit për shujtën, të cilën e vlerësojnë si të pamjaftueshme.
“Për shumë studentë, veçanërisht ata që studiojnë jashtë vendbanimit të tyre, këto shpenzime përbëjnë një ngarkesë të konsiderueshme financiare. Mendoj se standardi studentor nuk duhet të shihet vetëm si çështje e ndihmës sociale, por si një parakusht për mundësi të barabarta në arsimim”, tha Sejdiu.
Në Tetovë, vështirësitë dallojnë edhe në varësi të vendit ku banojnë studentët. Gent Kurtishi, kryetar i Parlamentit Studentor në Universitetin e Tetovës, tha se ata që marrin banesë me qira duhet të llogarisin çdo muaj edhe faturat për energji elektrike, ujë e ngrohje. Për studentët që udhëtojnë nga vendbanimet përreth, vështirësia nis që kur duhet të gjejnë transport për të shkuar në ligjërata.
“Ankesat më të shpeshta të studentëve lidhen kryesisht me rritjen e kostos së jetesës, ku përfshihen shpenzimet për ushqim, akomodim, transport dhe materiale mësimore. Një problem tjetër është mungesa e transportit të organizuar ndërurban, veçanërisht për studentët që vijnë nga fshatrat dhe vendbanimet përreth Tetovës, të cilët shpesh përballen me vështirësi për të siguruar transport të rregullt për të marrë pjesë në procesin mësimor”, tha Kurtishi.
Për bashkëpunimin mes parlamenteve, Sejdiu tha se periudhën e fundit bashkimi i tri parlamenteve studentore shqiptare është përmirësuar dhe ka shënuar fillimin e Lëvizjes Studentore.
Ai përmendi edhe Trupin Kombëtar Studentor, përmes të cilit studentët mund t’u drejtohen bashkërisht institucioneve, pa dallime etnike apo nga cili universitet vijnë.
“Besoj se ky është drejtimi i duhur, të mos kemi zëra të ndarë përballë institucioneve, por një përfaqësim të koordinuar, me kërkesa konkrete dhe angazhim të përbashkët për përmirësimin e standardit studentor”, tha Sejdiu.
Kurtishi e solli si shembull kërkesën për rritjen e shujtës studentore, për të cilën shtatë universitete dolën me të njëjtin qëndrim.
“Dëshmi e këtij bashkëpunimi është fakti se së fundmi, shtatë parlamente studentore nga shtatë universitete të vendit kemi bashkuar qëndrimet dhe kemi adresuar një kërkesë të përbashkët për rritjen e subvencionimit të ushqimit studentor. Për ne është e rëndësishme që ky bashkëpunim të mbetet i pavarur nga çdo ndikim i jashtëm, politik apo i çfarëdo natyre tjetër, dhe të udhëhiqet nga nevojat reale të studentëve”, tha Kurtishi.
Portalb.mk kërkoi deklaratë edhe nga Besjan Rexhepi, kryetar i Parlamentit Studentor në Universitetin e Evropës Juglindore, dhe Adam Stojanovski, kryetar i Kuvendit Studentor në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Asnjëri prej tyre nuk iu përgjigj kërkesës së redaksisë.
Rritja e subvencionit për shujtën ishte edhe masa që u kërkua më shpesh në anketën e Portalb.mk. Kur iu kërkua të zgjidhnin një masë që do t’i ndihmonte të përballonin shpenzimet, 57 nga 173 pjesëmarrësit zgjodhën rritjen e shujtës, 47 kërkuan bursa më të larta dhe 22 transport më të lirë. Vetëm për ushqim, 101 nga studentët e anketuar thanë se shpenzojnë mbi 5.000 denarë në muaj.
Në storjen në vijim për standardin studentor në vend do të mund të ndiqni bisedën me Goshe Nikollov, krijues i platformës studentore më të madhe në vend, Studentarija.
Lexo storjet paraprake:
- Sa kushton të jesh student sot? Për shpenzimet, punën dhe bursat flasin Gajuri, Luisa dhe Lazi (Video)
- Kur paratë nuk dalin deri në fund të muajit: Sa kushtojnë studimet në RMV, flasin studentët