Dosje: Djegia e Spitalit Modular në Tetovë, gjithçka që ndodhi në tragjedinë ku humbën jetën 14 persona

Tetë gra dhe gjashtë burra në moshë prej 29 deri në 78-vjeç, më 8 shtator 2021, rreth orës 21, humbën jetën tragjikisht, pas shpërthimit të zjarrit në Spitalin Modular në Tetovë ku po trajtoheshin për mjekim nga COVID-19 me shpresën se një ditë do të shërohen dhe do të kthehen pranë familjeve të tyre. 12 pacientë të tjerë mrekullisht shpëtuan, bashkë me dy mjekë dhe katër infermiere. Për ngjarjen para gjykatës janë të akuzuar 3 persona, dy drejtorë dhe një mjek. Opinioni pret t’i dijë detajet se çfarë ndodhi që u dogj spitali, shkruan Portalb.mk.

Nata e kobshme 

Derisa përfundonte manifestimi qendror i 30-të vjetorit të Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut përpara objektit të Kuvendit, vendi u trondit nga një prej ngjarjeve më tragjike. Zjarr në Spitalin Modular – ishin titujt në të gjitha mediat e vendit, gazetarët e të cilave pak kohë më parë raportonin për festën shtetërore, e cila do të vishej me mantelin e zisë kombëtare.

Automjetet e Urgjencës mjekësore, policia dhe Zjarrfikësit vetëm se kanë qenë në vendin e ngjarjes për t’u përballur me zjarrin masiv, i cili, sipas dëshmive të të mbijetuarve, kishte shkrumbuar tërësisht objektin vetëm për disa minuta.

Në vendngjarje shkuan edhe kreu shtetëror, kryeministri, ministri, kryetarja e atëhershme e Komunës së Tetovës, funksionarë e udhëheqës institucionesh.

Në terren arritën edhe 5 prokurorët e angazhuar për të hetuar shkaqet e zjarrit.

Pamje tragjike, pak informata, familje dhe qytetarë të shqetësuar. Askush s’dinte të thoshte se cili ishte bilanci i zjarrit masiv. Flitej për viktima, për emra, por institucionet nuk jepnin detaje. Nëpër rrjete sociale, por edhe media, u përhapën spekulime të shumta për numrin e viktimave.

“Ndodhi shumë shpejtë, në momentin që duhej të viheshe një vajzë e re në reanimacion në dhomën tjetër, kur i kanë pru aparatet për reanimim ka pasur problem elektrik, diçka u ndez dhe përnjëherë u paraqit zjarri. Në këtë moment s’e pash vet por e dëgjova prej shoqes, edhe them çka u bë? Bashkëshortja e fshehu prej meje që mos ta shoh unë pamjen që të mos mërzitem se jam i sëmurë, pjesërisht i palëvizshëm. Në ato momente filloi të shpërndahet zjarri shumë shpejtë”, deklaroi një pacient i cili i ka mbijetuar tragjedisë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, rreth 3 orë pas ngjarjes njoftoi në Twitter se ka 10 viktima, por se numri mund të rritet. Prokuroria të nesërmen në mëngjes konfirmoi se numri i viktimave gjithsej është 14, apo 12 pacientë dhe 2 familjarë të pacientëve të cilët kanë qenë në spital për t’i ndihmuar.

Nga autoritetet shtetërore, u njoftua se në RMV do të vijnë edhe ekspertë gjerman për të ndihmuar në hetimin e fatkeqësisë.

(Pa)përgjegjësia e funksionarëve dhe institucioneve 

Qytetarët po edhe partitë opozitare, menjëherë kërkuan dorëheqje të kryeministrit, Zoran Zaev, ministrit të Shëndetësisë Filipçe dhe zëvendësi i tij Ilir Hasani, por edhe drejtorëve të spitalit, Florin Besimi dhe Artan Etemi, madje edhe tërë Qeverisë.

“Më lejoni të tregoj se nga përgjegjësia as nuk iki e as nuk do të iki, por do të insistoj dhe do të pres që të mbarojë hetimi. Për shkak edhe kjo periudhë ka nevojë për menaxhim”, deklaroi Filipçe në konferencën për shtyp të 9 shtatorit, në lidhje me kërkesën për dorëheqjen e tij, duke premtuar që “absolut, pas mbarimit të hetimit, do të marrë këtë vendim, a do të jap dorëheqje”.

Të parët që dhanë dorëheqje ishin drejtorët, por ministri i Shëndetësisë dhe zëvendësi i tij vazhdonin këmbënguljen që nuk janë përgjegjës për atë çfarë ka ndodhur dhe për atë do ta presin hetimin e Prokurorisë. Por, pas presionit publik, ministri Filipçe dhe zëvendësi i tij Hasani, dhanë dorëheqje dy ditë pas ngjarjes.

Venko Filipçe, Ilir Hasani, Florin Besimi dhe Artan Etemi
Venko Filipçe, Ilir Hasani, Florin Besimi dhe Artan Etemi

Në po të njëjtën ditë në Tetovë u mbajt dhe marsh në nder të viktimave. Qytetarët në sheshin “Ilira” mbollën 14 drunj për 14 personat që humbën jetën si pasojë e zjarrit. Drunjtë edhe sot ndodhen në shesh, por nuk ka asnjë tabelë informimi se këto drunj janë mbjellë për viktimat.

Marshi i Ballistëve në nder të viktimave nga zjarri në spitalin modular të Tetovës, Foto: Portalb.mk
Marshi i Ballistëve në nder të viktimave nga zjarri në spitalin modular të Tetovës, Foto: Portalb.mk

Më 17 tetor, në Tetovë u protestua për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular. Protestuesit e filluan marshimin prej sheshit “Iliria”, vazhduan në Komunën e Tetovës, ku mbajtën fjalim dhe më pas disa prej qytetarëve hodhën drejt objektit me vezë, ndërkaq më pas marshuan drejtë selisë së BDI-së.

Gjatë protestës, katër policë janë lënduar lehtë, ndërsa 5 persona u arrestuan. Të arrestuarit u gjykuan për “sulm ndaj personit zyrtar” si dhe “pjesëmarrje në turmë”, kurse organizatori i protestës u ngarkua për “mosrespektim të Rregullores gjatë organizimit të tubimeve publike” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”. Të gjithë u dënuan me nga një vjet burg me kusht që për tre vjet mos ta përsërisin të njëjtën vepër.

Derisa Maqedonia e Veriut vazhdonte të ishte në zi dhe institucionet në vend i kishin ulur flamujt në gjysmë-shtizë, politikanët e pushtetit dhe opozitës së vendit vazhdonin të grindeshin e të akuzonin njëri tjetrin, e cila ngjante se u krijua atmosferë në të cilën luftonin njëri me tjetrin se kush do të fitojë pikë politike duke shfrytëzuar ndjenjat e qytetarëve dhe familjarëve të viktimave.

Situata e tillë vazhdoi edhe në periudhën vijuese, e aq më shumë u intensifikua kur kryeministri Zaev, më 5 tetor njoftoi se nuk i pranon dorëheqjet e ministrit Filipçe, zëvendësit, Hasani dhe drejtorit Besimi, pasi nuk ka “parë arsye për të lokalizuar përgjegjësi politike ose menaxheriale”.

Prokuroria Themelore Publike në po të njëjtën ditë njoftoi se është kryer analiza e raportit nga ekspertiza e kryer nga Krim-Teknika e MPB-së në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular dhe sipas tyre, zjarri është shkaktuar nga defibrilatori.

“Me ekspertizën konstatohet se zjarri ka shpërthyer si pasojë e një lidhje të shkurtër elektrike në kabllon e defibrilatorit me të cilin është kryer reanimimi i një pacienti në njërën nga dhomat e spitalit. Nxehja e tepërt e kabllos ka shkaktuar djegie në kutinë kyçëse i kabllos vazhdues në të cilin ka qenë i kyçur defibrilatori, një karikues telefoni dhe një aparat tjetër”, njoftuan nga Prokuroria.

Spitali modular në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Spitali modular në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për zjarrin, janë kryer katër ekspertiza:

  • E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.
  • E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë, për të cilën nuk ka detaje për gjetjet.
  • E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.
  • E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Pyetjet për të cilat qytetarët kërkojnë përgjigje:

  • A ka pasur ose jo spitali sistem kundër zjarrit? Dëshmitarët që i kanë shpëtuar tmerrit kanë deklaruar se nuk ka pasur, por autoritetet përkatëse ende nuk konfirmojnë diçka të tillë. Nëse ka pasur, ku kanë qenë që pacientët nuk kanë mundur t’i gjejnë, kur janë kontrolluar së fundmi herë që funksionojnë ose jo?
  • Materiali me të cilin është ndërtuar a ka qenë rezistent ndaj zjarrit? Edhe pse autoritetet thonë se spitali i ka përmbushur të gjitha standardet, spitali është djegur vetëm për disa minuta dhe me plotë të drejtë qytetarët kërkojnë përgjigje ndaj pyetjes, nëse i ka përmbushur të gjitha standardet pse është djegur kaq shpejtë?
  • Kush e ka bërë raportin për specifikat teknike të objektit? Prokuroria vetëm mbledh dokumentacione, por deri tani nuk i ka ndarë me opinionin që qytetarët ta shohin dokumentacionin e ndërtimit të objektit.
  • Si është e mundur që në Spitalin për KOVID të ketë pasur brenda familjarë, kush i ka lejuar dhe kush ishte përgjegjës? Dy prej viktimave të zjarrit kanë qenë familjarë të cilët aty kanë qëndruar me dijeni të personelit dhe administratës së spitalit, pavarësisht se është rreptësishtë e ndaluar.

Akuzë për zjarrin, proces gjyqësor

Mbi 10 muaj pas ngjarjes, gjegjësisht më 27 korrik, Prokuroria ngriti akuzë kundër 3 personave fizik dhe dhe Spitalit si person juridik.

Gjegjësisht, Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme. Boban Vuçevski akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë. ISHP Spitali klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, personat e dyshuar nëse shpallen fajtorë, mund të marrin dënime deri në 5 vjet burgim.

Në ndërkohë vazhdon gjykimi…

Objekti i djegur prej 8 shtatorit 2021 deri më 16 janar 2023 nuk u largua nga vendi i tmerrit. Pas shumë shkrimeve të Portalb.mk, pas 16 muajsh autoritetet i larguan mbetjet e spitalit të djegur, i cili për shumë qytetarë ky objekt u shndërrua në një makth dhe ngjall kujtime të trishtuara sa herë që e shikonin.

Raportimi i Portalbit në natën tragjike për zjarrin: Tetovë, zjarr në spitalin Kovid-19, u konfirmuan 14 të vdekur, zyrtarët nuk dhanë detaje (VIDEO)