fbpx

Zjarri në Tetovë, u arrestuan dy protestues dhe u lënduan katër policë, policia nuk i lejoi t’i afrohen selisë së BDI-së (VIDEO)

Sot në Tetovë u protestua për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës, në të cilin humbën jetën 14 persona. Protestuesit e filluan marshimin prej sheshit “Iliria”, vazhduan në Komunën e Tetovës, ku mbajtën fjalim dhe më pas disa prej qytetarëve hodhën drejt objektit me vezë, ndërkaq më pas marshuan drejtë selisë së BDI-së, raporton Portalb.mk.

“Gjatë protestës, katër policë janë lënduar lehtë, ndërsa dy persona janë privuar nga liria, përkatësisht B.A. (31) nga Kërçova dhe N.B. (52) nga Tetova”, njoftojnë nga Policia, duke sqaruar që në koordinim me Prokurorinë po merren masa për identifikimin e personave tjerë të përfshirë në prishje të rendit dhe pastrimin e plotë të rastit.

Policia theksoi që rruga “29 Nëntori”, gjegjësisht rruga pranë Spitalit klinik të Tetovës, sipas kërkesës nuk ishte treguar si trase e protestës, prandaj nuk ishte i siguruar trafiku, pra kanë lëvizur automjetet.

“Për arsye sigurie, pra prishje të mëparshme të rendit dhe dalje jashtë kontrollit në disa raste gjatë protestës, qasja në pikën përfundimtare nuk është lejuar”, deklarojnë nga Policia.

Gjatë rrugës, autoritetet policore nuk ishin kujdesur që ta pastrojnë rrugën nga komunikacioni, drejt së cilës marshonin protestuesit, gjegjësisht qytetarët u desh që paralelisht me veturat të ecnin rrugëve. Policia bllokoi rrugën që çon te selia e BDI-së në Reçicë të Vogël, megjithatë. Pasi nuk pranuan që ta lëshojnë rrugën, qytetarët ndryshuan rrugën, por edhe aty shpejtë policia vendosi kordon.

Qytetarët e revoltuar, pasi që mbajtën disa fjalime, u tërhoqën. Disa prej protestuesve, janë rikthyer dhe e kanë bllokuar rrugën para UEJL-së. Protesta u mbyll në mënyrë paqësore me një fjalim të një familjari që ka humbur babain dhe vëllain gjatë zjarrit në spitalin modular.

Pjesa e parë: 

Pjesa e dytë:

Pjesa e tretë:

Pjesa e katërt:

Më poshtë mund ta ndiqni në mënyrë kronologjike, rrjedhën e protestës

Raportues nga terreni gazetari, Fisnik Xhelili, desk Suad Bajrami

15:55 – Para protestuesve mbajti fjalim përmbyllës njëri prej familjarëve të viktimave, Ibin Emsh.

“Gjithë këto zvarritje na çojnë në dyshim, shpresoj në drejtësinë ndërkombëtare që sa më shpejtë të zbardhet rasti sepse sot e treguan se siguri nuk ka. Ishte një protestë paqësore, por rrugët krejt na bllokuan. Uroj që të mos ndodhin raste të tilla në asnjë vend”, tha njëri prej organizatorëve, dhe njëkohësisht familjar i cili ka humbur babain dhe vëllain në zjarrin që e kaploi spitalin modular për kovid.

15:40 – Disa prej protestuesve, kanë vazhduar protestën duke e bllokuar rrugën para UEJL-së.

15:20 – Pasi policia nuk e liroi rrugën, protestuesit u tërhoqën.

Protesta në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

15:15 – Rrugës për te selia e BDI-së, policia ka bllokuar lëvizjen e protestuesve. Qytetarët shprehin revoltën e tyre ndaj policëve dhe autoriteteve shtetërore. Momentalisht situata është e qetë.

“Krejt policia e botës e mbrojnë popullin, ju i mbroni kriminelët”, tha një qytetar i revoltuar.

15:00 – Policia i pengoi protestuesit për t’iu afruar selisë së BDI-së. Pavarësisht se policia e bllokoi rrugën me barrikada. Pasi policia nuk e liroi rrugën, protestuesit e ndërruan rrugën në drejtim të selisë, por edhe atë autoritetet policore e kanë bllokuar.

“Ta lirojnë rrugën policia se s’kemi asgjë personale, kërkojmë të shkojmë deri te selia e BDI-së. Protesta është e qetë dhe vetëm duam ta çojmë mesazhin”, tha Blerim Ameti.

14:30 – Gjatë marshimit prej Komunës së Tetovës deri te selia e BDI-së protestuesit u ankuan se nuk është ndaluar komunikacioni, gjegjësisht familjarët dhe organizatorët thanë se pavarësisht se 3 ditë më parë e kanë paraqitur protestën tek organet policore, ata nuk kanë ndërmarrë masa. Protestuesit kanë kaluar lëvizur rrugëve bashkë me makinat.

Qytetarët kanë vazhduar thirrje për dorëheqje të kryeministrit Zoran Zaev, ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

14:15 – Qytetarët e revoltuar u mblodhën para Komunës, para tyre mbajti fjalim Blerim Ahmedi, gjegjësisht organizatori i protestës, i cili kërkoi dorëheqjen e kryetares së Tetovës, Teuta Arifi dhe Qeverisë.

“Ne protestuam para zyrave të BE-së për neglizhencën e qytetarëve ndaj drejtave tona dhe për monitorim sa më adekuat që sa më parë t’u jepet zgjidhje problemeve tona. Kemi folur me vite, por kërkesat po hasin në vesh të shurdhër. Kërkojnë hetues ndërkombëtarë, pasi janë zhdukur gjurmët. Ne kërkojmë që edhe kryetarja e Komunës së Tetovës edhe Qeveria të përgjigjet para publikut dhe të japë dorëheqje”, tha Ahmedi para Komunës.

Protestuesit ngjitën një banderolë para objektit të komunës.

Pas fjalimit t# tij, disa qytetarë e gjuajtën me vezë objektin e komunës.

Qytetarët janë nisur në drejtim të selisë së BDI-së.

Para Spitalit të Tetovës, qytetarët u ndalën në 1 minutë heshtje për nderë të viktimave të Tetovës.

14:00 – Qytetarët protestën e kanë zhvendosur në drejtim të objektit të Komunës së Tetovës. Familjarët e viktimave me lot në sy mbajnë banderola në të cilat kërkohet përgjegjësi.

Protesta në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili
Protesta në Tetovë, foto: Fisnik Xhelilpro

13:45 – Qytetarët janë mbledhur në sheshin “Iliria” të Tetovës për të kërkuar drejtësi, përgjegjësi dhe dorëheqje për rastin tragjik në Tetovë, ku si pasojë e zjarrit në spitalin modular për Kovid në Tetovë.

“Kërkojmë prej shtetit të ketë më shumë siguri, se nëpër shtëpi e rrugë na ka ikur siguria, erdhi dita që siguri të mos kemi as në spital. Kur spitalit i ka humbur siguria, çfarë kërkojmë ne të tjerët. Më të sigurt kemi qenë në kohë të Jugosllavisë se sa sot. Kërkojnë ekspertë prej jashtë sepse shteti nuk është në gjendje që vet ta zbulojë. Ndodhën rasti Brodecit, Monstra, Kumanova, Sopoti, nuk kërkuan ekspert të jashtëm, sot kërkojnë ekspertë. Partitë e kanë vonuar shumë, duhet që secila parti të japë dorëheqje. Partive nuk ju intereson aspak dhe këtë e them me plot bindje. Është vonë që pas 1 jave familja të mos e kuptojë se çfarë ka ndodhur”, tha një protestues.

Protesta në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili
Protesta në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

09:00 – Sot prej orës 13:30, është paralajmëruar protestë në sheshin “Iliria” të Tetovës, për të kërkuar drejtësi në lidhje me rastin tragjik të 8 shtatorit, ku si pasojë e djegies së Spitalit Modular për Kovid në Tetovë humbën jetën 14 persona, njofton Portalb.mk.

“U bej apel të gjithë shqiptarëve që me datë 17.09.21 të grumbullohemi në sheshin e Tetovës për rastin e 14 kufomave se ato janë djegur dhe nuk është vdekje natyrale kështu që duhet të merret përgjegjësi drejtësi sepse ekspertet gjerman i thërrasim ta bëjnë ekspertizën mirë po duhet edhe punën ta bëjmë deri në fund si gjermanët, domethënë, me pas përgjegjësi drejtësi sepse tragjeditë ndodhin në të gjitha shtetet e botës, por ka përgjegjësi”, shkruan Ibin Emshi, i cili i ka humbur babain dhe vëllain në rastin tragjik. Ai gjithashtu i rithekson kërcënimet ndaj tij, ryshfetin në spital dhe pakujdesinë e autoriteteve shëndetësore.

Nga SPB Tetovë, për Portalb.mk, konfirmojnë se protesta është paraqitur, por tani për tani, nuk tregojnë se kush është personi, apo grupi i personave që e kanë paraqitur të njëjtën në polici.

Portalb.mk, jozyrtarisht mëson se organizator i protestës është Blerim Ahmedi, vëllai i “El Chekës”, i cili gjithashtu ka qenë një prej organizatorëve të protestave të fundit për rastin “Monstra”.

Ndryshe, më 11 shtator, me mbjelljen e 14 drunjve në Sheshin “Iliria”, u mbajt marsh paqësor i grupit të tifozëve Ballistët dhe qytetarëve të tjerë në nder të 14 viktimave që humbën jetën si pasojë e zjarrit që përfshiu spitalin modular për Kovid-19 në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button