Pas shumë zvarritjeve, u larguan mbetjet e spitalit modular, i cili u dogj para 16 muajve (Foto)

Mbetjet nga djegia e spitalit modular në Tetovë më në fund janë larguar dhe terreni është pastruar, megjithëse ky proces zgjati me muaj. Javën e kaluar Portalb.mk raportoi për këtë zvarritje dhe shndërrimin e kësaj pjese në një deponi të egër, ndërsa nga Spitali i Tetovës premtuan se ky pastrim do të përfundojë gjatë fundjavës.

Pastrimi nga mbetjet filloi me 3 dhjetor 2022, edhe pse është dashur që të fillojë menjëherë pas mbarimit të procedurave për marrjen e provave nga terreni. Sidoqoftë, pastrimi përfundoi gjatë ditëve që po lëmë pas. Tani ky terren është pastruar dhe është rrafshuar. Megjithatë, aty ende ka disa mbetje të vogla në njërën nga pjesët anësore të cilat pritet të largohen së shpejti.

Në këtë lokacion më herët nga Spitali i Tetovës kanë paralajmëruar se do të ndërtohet pllakë përkujtimore për viktimat.

Kështu dukej kjo hapësirë javën e kaluar:

Kujtojmë që zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Për këtë rast ka filluar edhe gjykimi, konkretisht sot ishte seanca e gjashtë me radhë, por u anulua pasi mungoi një nga të akuzuarit. Familjarët e viktimave u shprehën se nuk besojnë në drejtësinë e shtetit, por nuk i humbasin shpresat, madje njoftuan se mund të kërkojnë hetim ndërkombëtar.

Për këtë rast akuzohen ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik. Për rastin në fjalë janë kryer katër ekspertiza.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button