Prokuroria para marrjes së vendimit për hetimin e dytë për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Ndonëse kanë kaluar shtatë muaj kur Prokuroria Publike në gusht 2023 informoi se Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar hetim tjetër për zjarrin në spitalin modular ku u dogjën 14 persona, nga ky institucion për Portalb.mk theksojnë se Prokuroria është para marrjes së vendimit, por nuk tregojnë datën konkrete.

Prokuroria theksoi se ky rast është në fazën e para marrjes së vendimit nga Prokuroria Publike.

“Prokurori publik në fjalë ka siguruar të gjithë dokumentacionin nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Njësia Projektuese e Bankës Botërore dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për marrjen e vendimit meritor të prokurorisë publike”, thanë nga Prokuroria.

Prokuroria Publike dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që nga muaji tetor 2023 dhe në janar 2024 vazhdimisht kanë injoruar pyetjet gazetareske të Portalb.mk për këtë rast.

Ndërkaq, pikërisht Prokuroria që pas publikimit të dokumentarit të IRL-së “Vrasje në Tetovë” në gusht 2023 dërgonte pa ndalë komunikata në lidhje me rastin.

E për këtë rast tragjik, familjarët e viktimave disa herë janë shprehur për Portalb.mk se kanë humbur besimin në drejtësinë e shtetit, por shpresa ende nuk u ka vdekur.

Familjarët janë shprehur edhe nëse rasti përfundon këtu, do të shkojnë edhe në Gjykatën e Strazburgut apo e njohur ndryshe si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Dokumentari “Vrasje në Tetovë” nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL) riaktualizoi tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona.

Ky dokumentar zbuloi se veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale.

Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura si dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular nga ana e kompanisë “Brako“, për të cilat ishte i njoftuar edhe ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe.

Aty zbulohen hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë në krye me prokurorin Lubomir Joveskin duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta.

Në protesta u kërkua të hapet procesi gjyqësor për shkaqet e zjarrit, rishqyrtim dhe shqyrtim të vendimeve nga hetimi paraprak në Gjykatën e Tetovës si dhe shkarkimin e kryeprokurorit Ljubomir Joveski së bashku me kryeprokurorin e Tetovës Besir Aliu dhe prokurorët Zorica PavloviqDean PetreskiHanefi Amet dhe të tjerët të përfshirë në këtë vepër.

Protestuesit kanë kërkuar të gjykohen dhe dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë edhe politikanët që në kundërshtim me ligjin që tenderin për ndërtim ia kanë dhënë kompanisë “Brako”, si ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Për mos thirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.