Narrativa Ruse anti-NATO shënjestron Shqipërinë

Hapja e qendrës së re të inovacionit të sigurisë dhe mbrojtjes në Shqipëri ngjalli narrativën ruse e cila e etiketoi këtë investim të NATO-s si “burim për kërcënime hibride” përmes zëdhënëses së Ministrisë së jashtme, Maria Zakharova. Ekspertë të pyetur nga Faktoje rrëzojnë pretendimet e Rusisë, duke argumentuar se qendra të tilla janë të domosdoshme për bllokimin e veprimtarive destabilizuese ruse dhe për të siguruar arkitekturën e sigurisë Evropiane, shkruan Faktoje.al.

Jona Plumbi

Pas hapjes së bazës ushtarake të NATO-s në Kuçovë, një invesim 50 milionë euro që pritet të vihet në punë brenda pranverës, në Shqipëri u hap edhe qendra e re e inovacionit të sigurisë dhe mbrojtjes.

“Kjo qendër, i bashkëngjitet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, një tjetër projekt madhor për mbrojtjen në botën digjitale, me një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve tona të informacionit, e ngritur falë mbështetjes së SHBA-ve.” – shkruhet në njoftimin e Kryeministrisë shqiptare.

Në ditën e inaugurimit të kësaj qendre nga qeveria shqiptare, në Kremlin kumboi narrativa anti-NATO. Në një deklaratë për media të datës 3 prill, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova përmendi investimet e NATO-s në Shqipëri.

Zgjerimi i qendrave kibernetike nëpër rajone të ndryshme është në vazhdim. NATO po planifikon aktualisht të krijojë një strukturë të ngjashme në Shqipëri. Kjo lëvizje sinjalizon shfaqjen e mundshme të një burimi tjetër kërcënimesh hibride në Ballkan, një zonë e njohur për përballjen me sfida të shumta të krijuara nga ndikimi perëndimor.” – Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, qendra të tilla do të ngrihen edhe në Moldavi dhe Gjeorgji, ndërsa në Finlandë sipas tyre ekziston tashmë një qednër e tillë që, sipas fjalëve të zëdhënëses, ‘ka për qëllim dëmtimin e imazhit të Rusisë’. Narrativa bëri eko edhe në Tiranë. Mediat shqiptare e shperndanë lajmin e Zakharovës në shqip dhe anglisht duke cituar deklaratën e saj për mediat ruse, pa dhënë kontekst apo analizë mbi pretendimin për sulme të mundshme ndaj Rusisë.

Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB shpjegon për Faktoje se kërcënimet e Rusisë përmes dezinformimit janë rritur, veçanërisht pas nisjes së luftës në Ukrainë.

“Rusia sot hapur po vepron si një fuqi revizioniste, që kërkon me çdo mënyrë të thyejë arkitekturën e sigurisë Europiane dhe të rrisë influencat e saj në Europë. Kërcënimet e saj janë të hapura, si rasti i pushtimit të Ukrainës, por edhe në rritjen e kërcënimeve të saj nëpërmjet dizinformimit, përkrahjen e regjimeve pro-ruse dhe shtimin e propagandës.” – argumenton Nesho.

Në vijim ish-diplomati shpjegon se masat parandaluese të NATO-s janë të domosdoshme përmballë realitetit ku ndodhemi.

“Në këtë realitet të luftës hibride të Rusisë, Perëndimi po merr masa për parandalimin e këtij veprimi subversiv duke krijuar qendra të specializuara për të bllokuar këtë veprimtari.  Qendra e hapur në Finlandë, por edhe ato në Shqipëri, Gjeorgji, etj., janë veprime të domosdoshme për të siguruar bllokimin e veprimtarive subversive të Rusisë dhe për të siguruar arkitekturën e sigurisë Europiane.” – Agim Nesho, ambasador i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në vitet 1996 – 2005.

Pretendime të pavërteta të Rusisë të ngritura kundër Aleancës së Atlantikut Verior me qëllim përhapjen e propagandës ruse dhe krijimin e ndjesive anti NATO janë të vijueshme. Ato janë përshkallëzuar prej nisjes së agresionit rus në Ukrainë.

Një pjesë e këtyre narrativave, të përgënjeshtruara përmes fakteve, përsëriten edhe në deklaratën e Zakharovës si pretendimi se NATO po tregohet agresive ndaj Rusisë, veprimet e saj janë kërcënim ndaj Rusisë apo se operacionet që ajo ndërmerr tregojnë se Aleanca nuk është thjesht mbrojtëse.