fbpx

Tetovë, zjarr në spitalin Kovid-19, u konfirmuan 14 të vdekur, zyrtarët nuk dhanë detaje (VIDEO)

Spitali modular për pacientët me Kovid-19 në Tetovë u kaplua nga zjarri sonte në ora 21.02 minuta. 14 persona janë konfirmuar të vdekur, njofton Portalb.mk.

09.09.21

08.35 – Prokuroria Publike njoftoi se deri në këtë moment janë 14 viktima.

01.06 – Në ora 10 në mëngjes Qeveria e Maqedonisë njoftoi se do të mbajë seancë urgjente për këtë tragjedi.

Teuta Arifi

12.15 – Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi tha se ende nuk kanë të dhëna zyrtare prandaj nuk mund të jep detaje.

“Kishim takim dhe dakordimi nga ky takim është që derisa të kryen punën prokurori shtetëror dhe institucionet tjera nuk do të ketë deklaratë tjetër. Deklaratat do të bëhen pasi që informacionet të jenë zyrtare. Institucionet atë punë duhet ta bëjnë, për atë nuk mund të flitet të paktën tani, normalisht është një fatkeqësi, një dhimbje shumë e madhe por, për sa i përket të dhënave tjera dhe deklaratave tjera ato deklarata do të bëhen pasi që prokurori shtetëror do ta ketë bërë punën e vet dhe pasi të kenë dalë informacionet zyrtare për gjithçka, qoftë për viktimat e mundshëm, qoftë për të plagosurit. Gjithsesi se përgjegjësia është pjesë e çdo pune, mirëpo duhet që institucionet të përcaktojnë së pari, shkaktari, arsyet dhe gjitha tjerat.” tha ajo.

Zoran Zaev

12.05 – Asnjëri nga zyrtarët e lartë shtetëror nuk dhanë deklaratë pas mbledhjes së shtabit të krizës, kryeministri, Zoran Zaev tha se informata zyrtare do të japin kur të kenë.

“Lufta për të mbijetuarit akoma vazhdon, kurse të gjitha shërbimet reaguan duke u përpjekur për të shpëtuar jetët e njerëzve. Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe të afërmit e të ndjerëve dhe uroj shërim të shpejtë të lënduarve. Shkaqet e zjarrit do të përcaktohen, për të cilat autoritetet gjyqësore janë tashmë në terren. Kjo me të vërtetë është një ngjarje tragjike dhe mund t’ju siguroj se i gjithë kreu shtetëror është i përkushtuar për zgjidhjen e shpejtë të kësaj situate.” komentoi Zaev në Facebook.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në Facebook mes tjerash shkroi se “kërkojmë me këmbëngulje hetim të plotë, të thellë dhe të shpejtë rreth shkaqeve që shkaktuan kaq dhimbje për të gjithë ne.”

12.00 – Prokuroria Themelore Publike në Tetovë përmes një kumtese lajmëroi se po kryen ekspertizë në vendin e ngjarjes në spitalin modular për Covid – 19 në Tetovë, ku sot ka shpërthyer zjarri.

“Në ekspertizë janë përfshirë tre prokurorë publik nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë, të cilëve u janë bashkangjitur edhe dy prokurorë publik nga Prokuroria Publike Shkup. Ekipi prej pesë prokurorëve, së bashku me ekipe nga institucionet kompetente, i ndërmarrin të gjitha veprimet në drejtim të konfirmimit të arsyeve për zjarrin e shkaktuar”, informoi prokuroria.

08.09.21

23.50 – Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në Twitterin e tij e konfirmoi se ka 10 viktima dhe se numri i tyre mund të rritet.

“Në Tetovë ka ndodhur fatkeqësi e cila ka marrë më shumë jetë njerëzish. Deri në këtë moment janë konfirmuar 10 të vdekur në zjarr, por numri mund të rritet. Kjo është një ditë shumë e zymtë, ju shprehi ngushëllime më të thella familjeve.
Mjekët po luftojnë për jetën e të lënduarve, t’ju dëshirojmë fat dhe mendimet tona le të jenë sonte me bashkëqytetarët tanë. Ju apeloj mediave dhe qytetarëve të mos shpekulime me numrat. Të gjitha informatat e konfirmuara do t’i ndajmë në kohë” shkruan ai.

23.20 – Në Komunën e Tetovës, mbledhje mban shtabi i krizës. Prezentë janë dhe kryeministri, Zoran Zaev, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe të tjerë.

21.00 – Spitali modular për pacientët me Kovid-19 në Tetovë u kaplua nga zjarri sonte rreth orës 21. Zjarrfikësit i kanë shuar flakët. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në Twitterin e tij e konfirmoi se ka viktima dhe të lënduar. Numri i saktë i tyre ende nuk është konfirmuar, jozyrtarisht flitet për 14 viktima, njofton Portalb.mk.

Pamjet e tmerrshme dëshmojnë që spitali është dëmtuar shumë.

This slideshow requires JavaScript.

Ministria e Shëndetësisë në një kumtesë tha se momentalisht po përcaktohet numri i saktë i viktimave, të plagosurve dhe gjendja e tyre.

“Zjarri tashmë është shuar dhe të gjitha ekipet nga spitali janë mobilizuar për të ndihmuar të plagosurit. Ata transportohen urgjentisht në Shkup për tiu siguruar kujdesin përkatës, ekipet e Klinikës janë mobilizuar. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ndodhet në Tetovë. Pas inspektimit, do të informojmë publikun për situatën faktike.” thuhet në kumtesë.

Sipas kryetares së Tetovës, Teuta Arifi, është dëgjuar eksplosion i shpejtë ndërsa zjarfikësit, sipas saj, kanë reaguar shpejtë.

Kryeministri, Zoran Zaev, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani janë në Tetovë.

Lajmi do të përditësohet. Gazetari i Portalb.mk është në terren dhe do t’ju sjellë më shumë informata.

Ndryshe, më 23 gusht kishte tentim për dëmtimin e sistemit qendror të furnizimit me oksigjen në spitalin e Tetovës, më pas policia e arrestoi një 42-vjeçar nga fshati Zhelinë në Tetovë të dyshuar për këtë vepër.

Rikujtojmë se spitali modular në Tetovë kishte probleme para se të lëshohej në përdorim.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button