Lirim me kusht për pesë protestuesit për tragjedinë e zjarrit në Tetovë, të akuzuarit pranuan fajin dhe kërkuan falje (Video)

Pesë personat e arrestuar nga protestat e 17 shtatorit në Tetovë, e cila u organizua për shkak të tragjedisë në spitalin modular ku humbën jetën 14 persona, sot u paraqitën në Gjykatën e Tetovës dhe para gjykatësit pranuan fajin dhe iu kërkuan falje policëve. Pesë protestuesit u dënuan me 1 vjet burg me kusht me qëllim që për tre vjet mos të përsërisin vepërn e njëjtë, transmeton Portalb.mk.

Seanca gjyqësore u mbajtë në Gjykatën e Tetovës, e cila filloi ora 10 dhe mbaroi rreth orës 13:20 . Në seancë u shpall vendimi për të akuzuarit. Pesë protestuesit u dënuan me nga një vjet burg me kusht që për tre vjet mos ta përsërisin të njëjtën vepër.

Të dënuarit pranuan fajin dhe kërkuan falje ndaj policëve të sulmuar gjatë protestës. Policët e pranuan kërkim faljen duke mos kërkuar dëmshpërblim, por përgjegjësi penale.

Pesë të dënuarit Blerim Ahmedi, Naser Beluli, Arjan Sherifi, Xhemal Sadiku dhe Veton Aliti, u ngarkuan për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar” si dhe “pjesëmarrje në turmë”, kurse organizatori i protestës ngarkohet për “mosrespektim të Rregullores gjatë organizimit të tubimeve publike” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.

Avokatët nuk deshën të prenoncohen para mediave me arsyetimin se është një temë e ndjeshme.

Njëri nga familjarët e të akuzuarve i pyetur për atë se a janë të kënaqur me vendimin e gjykatës tha se ky është një rast shumë i dhimbshëm. 

“Të kënaqur nuk jemi për arsye se i shpallën fajtorë njerëzit që mbrojnë drejtësinë, këto që ishin protestues dolën të mbrojnë drejtësinë, shprehën një revoltë qytetare të jashtëzakonshme. Deri në momentin kur policia i bllokoi këto edhe filloi aksesi për të kaluar në aksident.” tha një prej familjarëve të protestuesve.

Një ditë pas protestës, gjegjësisht më 18 shtator ata u sollën në gjykatë ku edhe u morën në pyetje dhe të gjithëve iu është caktua masa e paraburgimit prej 8 ditësh.

Më pas Prokuroria Themelore e Tetovës ka ngritur edhe aktakuzën për pesë nga të arrestuarit në protestën e 17 shtatorit. Me këtë, pesë protestuesve që u arrestuan ditën e protestës, ju u vazhdua paraburgimi deri në caktimin e seancës nga ana e gjykatësit. 

Gjatë protestës në fjalë lehtë u plagosën katër policë. Përplasjet me policinë shpërthyen pasi disa protestues u përpoqën të arrinin në selinë e BDI-së, kurse paraprakisht hodhën në ndërtesën e komunës.

Më 8 shtator rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi se nuk i ka pranuar dorëheqjet dhe se Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa të mbarojë hetimi.

Më 11 shtator, me mbjelljen e 14 drunjve në Sheshin “Iliria”, u mbajt marsh paqësor i grupit të tifozëve Ballistët dhe qytetarëve të tjerë në nder të 14 viktimave që humbën jetën si pasojë e zjarrit që përfshiu spitalin modular për Kovid-19 në Tetovë.

Më 17 shtator në Tetovë u protestua për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës. Protestuesit e filluan marshimin prej sheshit “Iliria”, vazhduan në Komunën e Tetovës, ku mbajtën fjalim dhe më pas disa prej qytetarëve hodhën drejt objektit me vezë, ndërkaq më pas marshuan drejtë selisë së BDI-së. Katër policë u plagosën lehtë në këto protesta. Përplasjet me policinë shpërthyen pasi disa protestues u përpoqën të arrijnë në selinë e BDI -së, dhe më parë hodhën vezë në ndërtesën e komunës. Për këtë 5 protestues u arrestuan dhe ndodhen në paraburgim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button