fbpx

14 persona vdiqën në tragjedi, politikanët “grinden” dhe e akuzojnë njëri tjetrin për përfitime politike

Derisa familjarëve të 14 viktimave nga zjarri në Spitalin Modular të Tetovës ende nuk u janë tharë lotët, por edhe gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut e ndajnë dhembjen me ata dhe vazhdojnë të jenë të tronditur nga një prej ngjarjeve më tragjike që ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut, politikanët e vendit, grinden dhe e akuzojnë njëri-tjetrin. E gjithë kjo i ngjan tentimit për përfitime politike nga tragjedia, në vend që si përfaqësues të popullit të angazhohen në kuadër të kompetencave të tyre që sa më shpejtë të ketë zbardhje të rastit dhe të vihen para drejtësisë përgjegjësit, shkruan Portalb.mk.

Pozita dhe opozita janë futur në debat publik për atë se kush i ka fajet dhe kush duhet të japë dorëheqje për tragjedinë e 8 shtatorit në Spitalin Modular. Sherri ka plasur sidomos pasi që kryeministri Zoran Zaev nuk i ka pranuar dorëheqjet e ministrit dhe zv/ministrit të Shëndetësisë dhe dy drejtorëve të Spitalit të Tetovës, nën arsyetimin se për të vendosur do të pret pasi që të mbarojnë hetimet.

Opozita, si shqiptare dhe ajo maqedonase e ka vlerësuar skandaloz këtë veprim të Zaevit dhe kanë kërkuar dorëheqje nga kryeministri Zoran Zaev.

“Karriget e Zoran Zaevit dhe Venko Filipçes janë më të rëndësishme se e vërteta”, ka shkruar në FB, kryetari i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.

“Nëse ai e ka aq të rëndësishëm ministrin, atëherë le të shkojnë bashkë”, ka thënë kryetari i opozitares ASH, Ziadin Sela.

Zërave për dorëheqje, sot kryeministri Zaev u është përgjigjur me arsyetimin se nuk do të japë dorëheqje që në vend të tij vijë Mickoski. Ndërkaq, gjithashtu ai e akuzoi Selën se po e përdor tragjedinë për pikë politike.

“Të jap dorëheqje që Mickoski të vijë, të bëhet kryeministër? Nuk mendoj për dorëheqje, a kryeministër ose zëvendës kryeministër do të jetë kryetari i Aleancës kur do ta meritojë, kur do të jetë këtu që të japë ide, të ofrojë zgjidhje, jo ngjarjen e tmerrshme ta shfrytëzojë në mënyrë më perfide edhe atë gjatë kohës së ditëve të zisë, për dëshirën e shkretë për pushtet, që të fitojë. Derisa kështu sillen do t’i humbin zgjedhjet”, ka thënë Zaev.

Mickoski këtë deklaratë e quajti neveritëse, ndërkaq Sela tha se Zaevin e ka verbuar pushteti.

“Deri sa ky njeri nuk ndjen aspak përgjegjësi morale dhe këtë mundohet ta interpretojë se nëse ai ikën, Mickoski do të jetë kryeministër, me të vërtet përveç neverisë së butë, për këtë moment nuk kam asgjë për të shtuar”, tha Mickoski.

I mjerë je kryeministër, aq të ka verbuar pushteti saqë nuk le vlerë në emër të së cilës erdhe në pushtet, pa e shkelur. Por mos harro një gjë, jo të gjithë jemi njësoj. Vështirë e ke ta kuptosh pse-në e dorëheqjes sepse nuk e ke brenda vetes. E kjo është ndërgjegjja, morali dhe jo pushteti”, ka reaguar Sela.

Grindje mes pushtetit dhe opozitës ka pasur edhe në lidhje me çështjen që e shtroi Sela mbrëmë, gjegjësisht se çfarë ka kërkuar zv/kryeministri Grubi me 20 funksionarë partiak, të cilët kanë shëtitur në spitalin e djegur modular në Tetovë, një ditë pas tragjedisë, derisa hetimi ende ka vazhduar.

Grubi, ka reaguar me kundër-akuzë se Sela po e shfrytëzon tragjedinë për pikë politike dhe ka parashtruar pyetje tjetër: pse Sela nuk ka qenë atje për të ndihmuar?

Mickoski, sot ka vizituar një familje, e cila ka humbur dy familjarë të saj në ngjarjen tragjike.

Derisa politikanët e vendit, akuzojnë njëri tjetrin për përfitim nga tragjedia, qytetarët për të premten kanë caktuar protestë për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi për zjarrin që u mori jetën 14 pacientëve, të cilët ishin në shtretërit e spitalit modular.

Më 11 shtator, me mbjelljen e 14 drunjve në Sheshin “Iliria”, u mbajt marsh paqësor i grupit të tifozëve Ballistët dhe qytetarëve të tjerë në nder të 14 viktimave që humbën jetën si pasojë e zjarrit që përfshiu spitalin modular për Kovid-19 në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button