Zaevi nuk i pranoi dorëheqjet e Filipçes dhe Hasanit për tragjedinë në Spitalin Modular në Tetovë

Kryeministri Zoran Zaev në konferencë për shtyp sot kumtoi se nuk i ka pranuar dorëheqjet e ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe dhe zëvendësit të tij, Ilir Hasani, në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë, në të cilin humbën jetën 14 persona. Ministri Filipçe dhe Hasani dy ditë pas ngjarjes, dorëzuan dorëheqjet e tyre për arsye morale, njofton Portalb.mk.

“I lexova gjetjet e hetuesve nga ekspertiza të cilat u publikuan sot. Nuk ka arsye që të lokalizohet përgjegjësi politike ose menaxheriale te ministri Filipçe dhe zëvendësi i tij Hasani”, deklaroi Zaev.

Zaev tha se nëse konstatohen gabime eventuale nga faktori njeri, atëherë kompetentët janë organet që e hetojnë rastin.

Në një linjë me Zaevin është edhe zëvendëskryeministri Artan Grubi i cili vlerëson se sipas raportit të Prokurorisë për arsyet e zjarrit në spitalin modular në Tetovë dukshëm shihet se as ministri dhe as zëvendësministri i Shëndetësisë nuk kanë, ashtu siç tha kurrfarë përgjegjësie, megjithatë, vendimin për dorëheqjet e tyre do ta miratojë kryeministri dhe do ta kumtojë sot, njofton Portalb.mk.

“E lexova raportit dhe dukshëm bëhet fjalë për fatkeqësi dhe rast tragjik dhe dukshëm edhe hetimi e ka konstatuar atë që kemi dyshuar se bëhet fjalë për ngjarje tragjike në të cilin, për fat të keq humbën jetën shumë bashkëqytetarë tanë. Dhe në pajtueshmëri me atë, mendojë se vendimet që i ka.

Në lidhje me dy drejtorët e Spitalit të Tetovës që kanë dhënë dorëheqje, Grubi tha se dorëheqja e tyre është e parevokueshme dhe nuk mund të kthehet.

Vendimi i Zaevit erdhi pasi Prokuroria u deklarua në lidhje me ekspertizën e arsyeve të shpërthimit të zjarrit.

Prokuroria sot theksoi se zjarri në Spitalin Modular të Tetovës është shkaktuar nga kablloja e defibrilatorit, ndërkaq sasia e madhe e oksigjenit brenda spitalit i ka ndihmuar zjarrit që të shpërndahet më shpejtë.

Më 8 shtator rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi se nuk i ka pranuar dorëheqjet dhe se Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa të mbarojë hetimi.

Më 11 shtator, me mbjelljen e 14 drunjve në Sheshin “Iliria”, u mbajt marsh paqësor i grupit të tifozëve Ballistët dhe qytetarëve të tjerë në nder të 14 viktimave që humbën jetën si pasojë e zjarrit që përfshiu spitalin modular për Kovid-19 në Tetovë.

Më 17 shtator në Tetovë u protestua për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës. Protestuesit e filluan marshimin prej sheshit “Iliria”, vazhduan në Komunën e Tetovës, ku mbajtën fjalim dhe më pas disa prej qytetarëve hodhën drejt objektit me vezë, ndërkaq më pas marshuan drejtë selisë së BDI-së. Katër policë u plagosën lehtë në këto protesta. Përplasjet me policinë shpërthyen pasi disa protestues u përpoqën të arrijnë në selinë e BDI -së, dhe më parë hodhën vezë në ndërtesën e komunës. Për këtë 5 protestues u arrestuan dhe ndodhen në paraburgim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button