Lindita Ahmeti mbetet një prej emrave më të admirueshëm në qarqet krijuese e intelektuale

Shkruan: Prof. Dr. Skender ASANI

Janë të vështira momentet kur jemi të detyruar të kujtojmë mungesën e ndonjë kolegu tonë që sapo ka ikur nga kjo botë. Kështu po ndodhë edhe sot, teksa po  e kujtojmë me mall dhe pikëllim shkuarjen në amshim të studiueses, poetes e përkthyeses Lindita Ahmeti, një punonjëse e heshtur por tepër e zellshme e Institutit tonë, e cila ardhjen në zyrën e saj të punës e konsideronte festë.

Me Linditën tash e tutje nuk do të mund të shkëmbejmë biseda e përvoja nga më interesantet në fushën e gjuhësisë, letërisë, folklorit, siç bënim zakonisht kur takoheshim  me të,  por me emrin dhe veprën e saj do të komunikojnë brezat që do të vijnë, sepse ajo la një trashëgimi të pasur krijuese e shkencore. Për rrjedhojë edhe ne si komunitet i studiuesve e hulumtuesve po pasurohemi me këtë trashëgimi, madje duke e memoruar emrin e saj në bibliotekën e Institutit tonë, duke i dhënë kështu kuptim edhe më të plotë vizionit dhe dashurisë që kishte ajo për Institutin tonë. Biblioteka e Institutit tonë do të mbaj emrin e Lindita Ahmetit, jo vetëm për shkak se ajo ishte punonjëse e jona, por ajo kishte edhe një lidhje të veçantë, madje edhe emocionale me Institutin tonë, duke e shprehur këtë në çdo moment dhe rast që i jepej. Edhe kur nuk ishte vet prezente në ndonjë ngjarje a veprimtari, ajo e kishte ndjeshmërinë e të qenit aktive, qoftë me qasje pozitive, qoftë me ndonjë mesazh në formë mbështetëse, siç është ky që ma dërgoi vetëm pak orë para se të ndërrojë jetë: (mesazhi në ekran).

Teksa po e kujtojmë emrin dhe veprën e Lindita Ahmetit, pashkëputshëm na imponohet edhe emri i babit të saj. prof. Xhabir Ahmetit, një prej intelektualëve ideatorë për themelimin e këtij Instituti. Në  vend të një detyrimi moral për këtë angazhim largapamës, një hapësirë modeste e Institut tonë, pranë bijës së saj, Linditës, ishte e dedikuar  edhe për z. Xhabir, duke ia bërë me dije brezave që vijnë se asgjë nuk pikon nga qielli, por gjithçka është produkt i përkushtimit dhe sakrificave të intelektualëve pararendës.

Lindita Ahmeti mbetet një prej emrave më të përfolur, por edhe më të admirueshëm,  në qarqet krijuese e intelektuale këtu, dhe në Kosovë e Shqipëri, dhe kjo u dëshmua pikërisht pas lajmit mortor, kur emra të shquar të letrave shqipe shprehën gjithë pikëllimin e tyre për këtë humbje që po pësonte kultura jonë.

Kjo është humbje edhe për Institutin tonë, aty ku Lindita punonte me zell e përkushtim  deri në orët e vona të mbrëmjes, duke shprehur në këtë mënyrë edhe pasionin që kishte ndaj punës dhe obligimeve që merrte.

Çka do që të themi sot për Lindita Ahmetin, nuk e kompenzon dhembjen për humbjen e saj, andaj nuk na mbetet asgjë tjetër përpos të zotohemi se emri dhe vepra e saj do të mbeten  një gurë i çmueshëm kujtese në mbamendjen tonë e cila do të ngritet edhe mbi kontributin dhe vlerat që na la trashëgim kolagia jonë e dashur Lindita Ahmeti.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!