Rinia gjatë vitit 2023 në krye të fjalimeve të politikanëve, por në fund të agjendave të institucioneve

Rinia e Maqedonisë së Veriut edhe gjatë vitit 2023 ishte në krye të fjalimeve të politikanëve, por fund të agjendave të institucioneve dhe me një sërë problemesh. Të rinjtë vazhdojnë të përballen me papunësi dhe mungesë të përfshirjes në vendimmarrje nga institucionet, ndërkaq delikuenca është një problem shqetësues. Portalb.mk sjell momentet kryesore që shënuan vitin 2023 sa u përket të rinjve.

Papunësia, plagë kryesore e rinisë

Që papunësia është problem kryesor i të rinjve në vend e tregon edhe Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2023 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt integrimit evropian te pjesa e të rinjve krahas sfidave dhe problemeve tjera theks të veçantë i kushton papunësisë dhe vështirësive për tu futur në tregun e punës. Rekomandimet e vitit të kaluar sipas raportit janë zbatuar pjesërisht, andaj raporti thekson se “në vitin e ardhshëm duhet në veçanti të vazhdojë zbatimin e Garancisë për Rininë, si dhe masat e aktivizimit për grupet e cenueshme dhe të krijojë sisteme për vlerësimin e duhur të masave”.

Shumica e të rinjve në vend punojnë në pozicione që nuk kanë lidhje me fushën e studimit, një tendencë që mbizotëron te të rinjtë janë ndryshimet e shpeshta të punës dhe mbi 80% e të rinjve konsiderojnë se mësimi i vazhdueshëm dhe avancimi janë çelësi për të qenë konkurrues në tregun e punës.

Vendi ka talente të shumta në çdo sferë, megjithatë shpesh ata ikin nga vendi për një jetë më të mirë kështu duke u krijuar mungesë e fuqisë punëtore. Për këtë duhet strategji që ata mos të ikin por të kontribuojnë për vendin dhe të shtyjnë zhvillimin e tij përpara. Përpos strategjisë, vendi duhet ta rrit edhe cilësinë e standardit jetësor në mënyrë që të rinjtë mos të ikin.

Institucionet duhet të hapen plotësisht për të rinjtë dhe kërkesat dhe idetë e tyre, ndërsa studentët me aktivitete konkrete për përmirësimin e shërbimeve publike duhet të tregojnë se vërtet kanë se ç’të ofrojnë për ndryshime pozitive në shoqëri.

Rini e papërfillur nga institucionet

Se të rinjtë, politikat rinore, fondet dhe më e rëndësishmja zbatimi i tyre janë në fund të agjendave të institucioneve e treguan edhe një sërë hulumtimesh, studimesh, analizash, ndërkaq ata që duhet të japin llogari për mospërfshirjen e të rinjve justifikohen me procedura burokratike.

Hulumtimi i Forumit për Ndryshime në Arsim me të rinj nga 17-24 vjeç nxori në sipërfaqe se shumica e të rinjve në Shkup, Tetovë dhe Gostivar nuk ndihen të rëndësishëm për institucionet dhe politikanët, kështu duke shkaktuar një sërë problemesh të tjera të cilat lidhen me to, që nga arsimi, vendimmarrja, zbatimi i ligjeve dhe shumë të tjera.

Studentët e dy universiteteve të Tetovës vitin e kaluar në mungesë të aktiviteteve interesante, kohën e kaluan kryesisht nëpër kafene. Jeta studentore ishe e vakët.

Të rinj, studentë, rinia
Të rinj/studentë. Foto: Meta.mk

Shkelje e ligjit për drejtësinë e të miturve, sjellje delikuente në rritje

Hulumtimi i Portalb.mk që u prezantua në muajin shkurt tregoi se në Maqedoninë e Veriut edhe pse sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve, komunat detyrohen të themelojnë këshilla komunal për parandalimin e delikuencës së fëmijëve, në praktikë kjo çalon, nga gjithsej 81 komuna në vend vetëm 33 kishin themeluar të njëjtin. Për këtë shkelje, sipas institucioneve nuk ishte dënuar asnjë komunë. Autoritetet në vend nuk bëjnë mjaftueshëm në drejtim të parandalimit të delikuencës së fëmijëve, konstatojnë ekspertët. Portalb.mk madje hulumtoi këtë dukuri në rajonin e Pollogut ku statistikat ishin të frikshme, ndërsa institucionet bartin përgjegjësinë te njëra-tjetra.

Po ashtu një analizë tjetër e Portalb.mk në muajin mars nxori në pah se përdorimi i substancave narkotike nga ana e të rinjve dhe nxënësve të shkollave të mesme madje edhe atyre fillore së fundmi po shënon rritje në Tetovë dhe rrethinë. Në tetor, Portalb.mk publikoi edhe rrëfimin tronditës të një 21-vjeçari nga Tetova i cili humbi shokët nga droga. Ai sqaroi arsyet se si ai përfundoi në këtë sjellje dhe si u largua. Ndërkaq apeloi te të gjithë: Largohuni sa keni kohë!

Foto nga Jonathan Gonzalez / Unsplash
Foto nga Jonathan Gonzalez / Unsplash

Depresion dhe anksiozitet

Hulumtimi për shëndetin mendor të fëmijëve dhe prindërve të tyre gjatë kohës së pandemisë së Kovidit tregoi se çdo i treti adoleshent ka deklaruar se ka simptoma të depresionit. Gjasat që të paraqesin simptoma të depresionit ishin gjashtë herë më të mëdha te vajzat se sa te djemtë. Rreth 42% prej adoleshentëve kanë paraqitur se kanë përjetuar simptoma të mesme deri në serioze të ankthit.

Skandali i TikTokut në Spitalin e Tetovës ngriti alarmin se si dhe për çfarë përdoren rrjetet sociale në kohëra këto që digjitalizimi po zhvillohet me hapa gjigande. Shqetësimi më i madh për atë se çfarë pamjesh shohin në këtë rrjet social është për të rinjtë dhe moshat më të vogla, të cilët janë më të cenueshëm nga përdorimi dhe nga pasojat që mund të sjellin të njëjtat. Ekspertët theksuan se të rinjtë përballen me depresion dhe anksiozitet nga keqpërdorimi i rrjeteve sociale. Në këtë drejtim duhej më tepër edukim për përdorimin e rrjeteve sociale te të rinjtë.

Edhe tragjedia e ndodhur në Serbi ku një fëmijë i mitur vrau me armë nëntë persona, ka bërë bujë të madhe në rrjetin social në TikTok, duke shkaktuar reagime dhe komente të shumta ngriti alarmin se si të rinjtë përdorin rrjetet sociale dhe pasojat që vijnë.

Të rinjtë në RMV kanë nevojë për edukim politik pasi te ata ekziston mbushje serioze autoritare, veçanërisht kur bëhet fjalë për vlerat që i prekin, tema etike/nacionale ose menaxhim demokratik me shtetin. Edhe vitin që lamë pas u mbajt shkolla për politika në Qendrën Presidenciale për Edukim Politik.

Të rinj, studentë, rinia
Të rinj/studentë. Foto: Meta.mk

Pak dritë në fund të tunelit

Viti filloi me lajme të mira pasi i riu 14 vjeçar nga Gostivari, Andi Ismaili vendit i solli titullin e kampionit botëror në vallëzim modern, çmim ky të cilin ai e solli për herë të dytë.

Gjatë vitit që shkoi u mbajtën një sërë aktivitetesh nga OJQ-të ku në fokus kishin të rinjtë për tema dhe probleme të ndryshme. Pati nisma dhe projekte të ndryshme për të aktivizuar të rinjtë në tema të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Vazhduan edhe diskutimet e librave nga autoret gra çdo muaj në Tetovë.

Vitin që lamë pas, rinia ishte aktive në shumë fusha duke sjellë inovacione të ndryshme, risi për vendin dhe zgjidhje ekologjike.

Fondacioni Metamorfozis ishte tejet aktiv, u mbajtën një sërë trajnimesh me të rinj në sferën e gazetarisë. U mbajtën edhe debate në tema të tjera, me fokus në inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike, rrjetet sociale, digjitalizimi në arsim. Gjithashtu, edicioni i 19-të i konferencës ndërkombëtare u hap me diskutimin për të rinjtë “Cyber Shake: Pse të mësoj kur ka inteligjencë artificiale?”

Në një trajnim treditor të rinjtë mësuan për vizualizimin e të dhënave. Foto: Meta.mk
Në një trajnim treditor të rinjtë mësuan për vizualizimin e të dhënave. Foto: Meta.mk

Edhe vitin që lamë pas u ndanë çmimet për pjesëmarrje rinore dhe për të rinjtë e suksesshëm.

Për fund, Portalb.mk realizoi edhe një intervistë me eksperten e sigurisë për Ballkanin Perëndimor, Bojana Zoriq. Ajo theksoi se Rinia përfaqëson zë kritik në adresimin e sfidave të sigurisë në ditët e sotme. Madje edhe porositi: Mos u dorëzoni dhe gjithmonë dini se cilat janë të drejtat e juaja dhe dini se çfarë mund të bëni. Ju jeni pasuri e jashtëzakonshme për çdo shoqëri, sa më këmbëngulës të jeni në përcjelljen e zërit tuaj te vendimmarrësit, aq më shumë mundësi do të keni.

Çfarë në 2024?

Të gjitha problematikat e lartpërmendura do të shoqërojnë vendin edhe në vitin 2024. RMV-ja ka përpara vetes sfidën e madhe nëse do arrijë ta mbajë rininë në vend ose ajo do të ikë edhe në vitin që vjen. Papunësia mbetet problem i madh. Politikat rinore në vitin 2024 duhet të zbatohen plotësisht dhe jo pjesërisht apo vetëm të mbeten në letër. Duhet të përmirësohet edhe përfshirja e të rinjve të vendimmarrje. Ndërsa sfidë mbetet edhe shëndeti mendor i të rinjve. Problem që duhet adresuar më seriozisht do të jenë edhe sjelljet delikuente te të rinjtë dhe përdorimi i substancave narkotike. Me që viti 2024 do të jetë edhe vit i dy pale zgjedhjeve, do të dëgjojmë shumë nga politikanët. Por, sa do të ketë rezultat, kjo mbetet të shihet.