Tetovë, në mungesë të aktiviteteve interesante, studentët kohën e kalojnë në kafene

Periudha e studimeve është ndër më të bukurat në jetë, këtë e thonë shumica e studentëve pasi diplomohen. Por sa kjo periudhë është e bukur dhe cilat janë problemet me të cilat ballafaqohen studentët në dy universitetet e Tetovës, UT dhe UEJL? Për këtë Portalb.mk bisedoi me disa studentë dhe ish studentë nga këto universitete.

Studentja Zana Reçi nga Struga e cila studion në Universitetin e Tetovës, thekson se jeta studentore në këtë qytet ka sfida që çojnë deri te studentë të demotivuar, qoftë nga ana akademike, por edhe si qytetarë.

“Diversiteti i Tetovës me studentë jo vetëm nga gjithë Maqedonia e Veriut por edhe shtete të tjera, kërkon që qyteti të ofrojë llojllojshmëri aktivitetesh sociale, kulturore dhe shkencore. Sfida kryesore me të cilën jam ndeshur ka qenë shfrytëzimi i kohës në mënyrë adekuate, nga mangësia e kushteve te qytetit. Kultura e konsumimit (sidomos kafenetë), mungesa e gjelbërimit, bibliotekave ose sallave për lexim, kushteve për hulumtime shkencore, aktiviteteve kulturore dhe zbavitëse, organizimeve aktiviste, kultivimi i komuniteteve dhe deri te injorimi i zërit të rinisë, mendoj se ndikojnë në mënyrë regresive tek gjenerate e cila është e ardhmja e këtij vendi. Ajo që duhet të ndryshojë është ndërgjeshmëria jo vetëm nga udhëheqësit por kryesisht nga vetë ne studentët se këto kushte janë esenciale për një jetë studentore produktive”, theksoi Zana.

E nga ana tjetër, një student i mjekësisë në UT, nga Tetova thekson se marrë parasysh numrin e madh të studentëve që ka Tetova, ajo nuk është as afër potencialit të madh që ka për tu quajtur qytet studentor.

“Mospasja e leximores, mungesa e aktiviteteve kulturore dhe hapësirave studentore lënë shumë për të dëshiruar. Edhe pse transporti publik i organizuar është një hap pozitiv përpara që studentëve ua ka lehtësuar shumë qasjen nëpër qytet. Tradita duhet të vazhdohet me një plan më të përgjithshëm me pajisjen e studentëve me kartela studentore ku atyre do t’u mundësohen lirime nëpër biznese të caktuara e sidomos në vendet që ato frekuentojnë më shpesh (fast foode, restorante, kafene etj). Problem kryesor është gjetja e hapësirave për banim nga studentët, pasi qyteti ka mungesë të konvikteve dhe banesave ku atyre iu mundësohen kushte studentore. Taksimi i lartë semestral për studentët e jashtëm, kryesisht shtetasve të Kosovës e bën të vështirë angazhimin e mirëfilltë të tyre në Tetovë. Vëmendje dhe vullnet politik kërkon edhe mundësia e punësimit part-time për studentët që të mund të fitojnë pak të ardhura për harxhime të studimeve”, theksoi studenti i mjekësisë me të cilin bisedoi Portalb.mk.

Ai shtoi se nëse duam që Tetova ta meritojë vërtetë epitetin qytet studentor, këto problematika duhet të merren shumë seriozisht nga ana e institucioneve.

Eksperiencë të mirë në Tetovë ka kaluar Florentina Sadiku, tani më ish studente e stomatologjisë në UT. Ajo për Portalb.mk rrëfen se vendimi për të studiuar në Tetovë mbetet ndër vendimet më të mira që ka marrë.

“Të qenurit studente në Tetovë përpos sigurisë që e kam ndjerë, rrethit shoqëror të gjerë që kam krijuar, kohës maksimale dedikuar studimeve, po ashtu jam munduar ta balancoj edhe me aktivitete jashtë universitare që më bënë të integrohesha edhe më shumë.  Hapësira për përmirësim dhe për më mirë ka gjithherë, një mangësi që është shumë evidente kur je studentë në Tetovë shpesh është edhe mungesa e një konvikti Universitar, sidomos për studentët që vijmë nga Kosova. E po ashtu unë si ish studente e Fakultetit të Shkencave Mjekësore e kam ndjerë mungesën e kabineteve të posaçme për lëndët klinike që kishim, edhe pse Profesorët tanë janë munduar të bëjnë të pamundurën të gjejnë opsione tjera.  Aktivitetet brenda universitare e jashtë universitare unë jam munduar t’i ndjek me aq kohë sa kisha në dispozicion e mendoj se ka mundësi vetëm se edhe nga studenti nevojitet interesim e hulumtim për tu bërë pjesë e për të qenë sa më i integruar”, theksoi Florentina, e cila ka një porsi për studentët: “Shijojeni çdo çast, studioni shumë dhe gjeni kohë edhe të argëtoheni”.

Një studente tjetër nga Tetova e cila studion për shkenca kompjuterike në UEJL, thekson se jeta studentore në Tetovë është kryesisht e gjallë por që ka edhe mangësi.

“Mangësia më e madhe është mungesa e aktiviteteve për të rinjtë. Shpesh herë ne e gjejmë veten të lirë jashtë orarit të ligjëratave pa asgjë për të bërë. Edhe pse universiteti ndihmon deri diku me këtë, përsëri ka nevojë për veprim shtesë. Kontribuimi më i madh i universitetit është në ofrimin e mundësive për t’u lidhur me persona dhe organizata ndërkombëtare si dhe për të kryer semestra studimesh në vendet jashtë Maqedonisë së Veriut”, theksoi studentja e shkencave kompjuterike.

Nga ana tjetër, Ard Hasanaj nga Kosova i cili përfundoi studimet vitin e kaluar në UEJL për gjuhë angleze thekson se jeta e studentit në Tetovë është e ngarkuar me ndryshime të shumta dhe mundësi të reja.

“Një aspekt i rëndësishëm është menaxhimi i kohës, duke qenë se studentët duhet të organizojnë studimet, punën, dhe jetën sociale në mënyrë efektive. Gjithashtu, studentët ndeshen me sfida të ndryshme gjatë gjykimeve të tyre akademike, të cilat i sjellin njohuri të reja dhe i forcojnë shkathtësitë e tyre kritike dhe analitike. Në Tetovë, disa studentë ndihen të munguar në aktivitete shoqërore, kulturore, dhe kërkimore. Megjithatë, kampusi i Uejlit ofron mundësi të shumta për të angazhuar studentët në klubet e studentëve, ngjarje kulturore, dhe projekte kërkimore”, tha Ardi.

Parlamentet studentore në heshtje

Në Universitetin e Tetovës edhe në atë të Evropës Juglindore ka parlamente studentore të cilat si qëllim kanë përkrahjen e studentëve, mbrojtjen e interesave të tyre dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme për studentët përbrenda tyre.

Megjithatë, këto të dy parlamente studentore heshtën në pyetjet gazetareske të Portalb.mk në lidhje me sfidat e jetës studentore në Tetovë. Nga parlamenti studentori UEJL-së na konfirmuan se do përgjigjen në pyetjet tona, por përgjigje nuk dërguan.

FNA: Në mungesë të aktiviteteve tjera, studentët kohën e kalojnë në kafene

Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) nga ana tjetër për Portalb.mk. thekson se aktiviteti i vetëm që ju mundësohet studentëve në Tetovë është të shkojnë në kafene.

“Kjo për shkak të mungesës së një kinemaje, një teatri funksional, aktiviteteve kulturore për ata, vendeve të punës, parqeve dhe ngjashëm. Këtu faji është zinxhir. Fillimisht qëndron tek organet e vetëqeverisjes lokale që kurrë si futën në listën prioritare të tyre nevojat e studentëve ndërsa e dyta kuvendeve studentore për të cilat studentët paguajnë çdo semestër një shumë të caktuar të parave ndërkaq të njëjtit nuk bëjnë thuajse asgjë”, thanë nga Forumi për Ndryshime në Arsim.

Ndryshe, Tetova mbetet qytet i dy universiteteve, Universitetit të Tetovës “Fadil Sulejmani” dhe Universitetit të Evropës Juglindore.