Lavdërimi dhe mbështetja e vrasësit të mitur – si e prezantuan përmbajtjet në TikTok masakrën në Serbi?

Tragjedia e ndodhur në Serbi ku një fëmijë i mitur vrau me armë nëntë persona, ka bërë bujë të madhe në rrjetin social në TikTok, duke shkaktuar reagime dhe komente të shumta. Shumë komente e quajnë hero autorin në fjalë, kështu duke i thurur lavde, ka edhe komente të tjera. Ky rast dhe kjo mori reagimesh ngritën edhe njëherë alarmin se si përdoren rrjetet sociale dhe çfarë mesazhesh jepen aty. Për atë se si ky rast reflekton në shoqëri, çarë masash duhet të merren, dhe si të parandalohen të njëjtat, për Portalb.mk dhe Meta.mk flasin ekspertët.

“Vetëm një gjeni mund të vrasë 9 persona në moshë të re, ai është gjeni”.

Kjo shkruhet në një video në rrjetin social TikTok, sipër fotove të 13-vjeçarit K.K. nga Serbia, i akuzuar për vrasjen e gjithsej 9 personave – tetë nxënës dhe roje e shkollës. Videoja ka pothuajse 620,000 shikime dhe mbi 90,000 pëlqime.

Llogaria e përdoruesit nga e cila është postuar videoja është e nënshkruar me emrin dhe emrin e përdoruesit @simp4kosta. Fotoja e profilit është e djalit që bëri masakrën në shkollën e Beogradit.

Një video tjetër e postuar nga e njëjta llogari përdoruesi kishte 1.3 milionë shikime në kohën kur e shikuam. Në të është paraqitur një fletë me emra të shkruar, që sipas autoriteteve serbe që e kanë publikuar, është një listë me studentët që K.K. donte t’i vriste. Në foto, nën fletën e letrës, në anglisht është shkruar “misoni: vriti ata “, pas së cilës shfaqet një foto e arrestimit të të miturit, e ndjekur nga një mesazh nga fjalori i lojërave “Misioni i suksesshëm/kaluar, respekt+” (mission passed! respect+), si dhe muzikë në sfond.

Komentet në TikTok në lidhje me vrasjen në Serbi nga një i mitur
Komentet në TikTok në lidhje me vrasjen në Serbi nga një i mitur

Këto video janë vetëm dy nga dhjetëra që Portalb.mk dhe Meta.mk kanë parë në rrjetin social TikTok, kur  kërkuam fjalë kyçe që kanë të bëjnë me tragjedinë e ndodhur në Serbi. Por edhe pa kërkuar, vetëm me të hyrë në aplikacion, ka shumë të ngjarë që videot e para në faqen kryesore t’ju shfaqin përmbajtje në lidhje me këtë rast.

Ndër videot që TikTok na prezantoi si “më të njohurat” kur kërkon fjalë kyçe është një video nga një vajzë në Serbi, e cila gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në këtë rrjet social thotë:

“K**** , vllau im, po të presim, të duam shumë dhe duro. Do të dalësh, por ato dy metra nën tokë nuk do të dalin kurrë. Ai do të dalë, por ata nga sënduku asnjëherë.

Ndërsa ajo jep mesazhin e çuditshëm, transmetimi i saj ndiqet drejtpërdrejt nga mijëra përdorues të TikTok. Llogaria e përdoruesit tani nuk është e disponueshme dhe mediat serbe raportuan një ditë pas transmetimit se vajza ishte thirrur për një bisedë informative në polici.

Megjithatë, videot e transmetimit mund të gjenden ende të ripostuara në shumë llogari sot.

Ndër përmbajtjet e tjera “më të njohura” që shikuam ishte një video e turbullt e kameramanit duke vrapuar që u tha se ishte marrë në kohën e të shtënave në shkollë, me të shtëna armësh që kumbonin në sfond.

Kemi parë dhjetëra video të tjera që kanë arritur miliona shikime, qindra mijëra pëlqime dhe mijëra komente. Ne pamë edhe shumë llogari të tjera të hapura përdoruesish me emrin dhe mbiemrin e të miturit që kreu sulmin dhe me fotot e tij.

TikTok, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
TikTok, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Gjuhë urrejtjeje dhe lavdërime për vrasësin në komente

Ajo që vumë re është edhe seksioni i komenteve, ku shpesh dominojnë komentet negative, që përfaqësojnë gjuhën e urrejtjes ose lavdërimin e vrasësit.

Kështu, në një nga videot për vrasësin e mitur që ka miliona shikime, tre komentet e para thonë: “Ai është mbret”, “Të gjithë duhet t’i përulemi”, “Ky është djali im”.

Si komentet më të njohura në videot e tjera, pamë ata që bënin thirrje për lirimin e të miturit të ndaluar, duke shprehur “dashurinë” ndaj tij dhe duke e cilësuar si “hero” dhe “legjendë”.

Komentet në TikTok në lidhje me vrasjen në Serbi nga një i mitur
Komentet në TikTok në lidhje me vrasjen në Serbi nga një i mitur

Videot me përmbajtje dhe komente të tilla janë të shumta dhe të shpërndara në shumë gjuhë – ato që pamë ishin në anglisht, maqedonisht, shqip dhe serbisht.

Edhe pse TikTok ka një politikë që parashikon heqjen, ose të paktën, një etiketë që paralajmëron për përmbajtje shqetësuese, ne kurrë nuk morëm  paralajmërim të tillë dhe videot janë postuar prej ditësh, duke mbledhur më shumë shikime.

Në mesin e videove, ne shikuam disa që promovonin luftën kundër dhunës në shkollë, por shumica prej tyre shfaqën sërish foto të vrasësit, viktimave dhe shokëve të tyre të klasës – shumica prej tyre edhe të rreme.

“Fëmijët po marrin modele të papërshtatshme sepse ne si të rritur jua kemi hapur këtë rrugë atyre”

Sociologia Drita Memeti në një bisedë për mediat tona tregon se fakti që në momentin e shpërndarjes së lajmit filluan të shpërndahen edhe komentet e ndryshme e bën më të dukshëm stadin në të cilin kemi arritur si shoqëri.

Drita Memeti (sociologe), foto nga arkivi i saj privat (e përdorur me leje)
Drita Memeti (sociologe), foto nga arkivi i saj privat (e përdorur me leje)

“Rrjetet sociale janë platformë që ja mundësojnë secilit të shprehë mendimin që ka pavarësisht a është i drejtë apo i gabuar dhe pikërisht këto komente bëjnë që të relativizohet krimi dhe t’i jepet e drejtë dorasit duke e shpallur edhe hero”, tha Memeti.

Sipas saj, zakonisht këto komentues janë njerëz të mllefosur, njerëz të pa realizuar dhe hapësira e vetme që u është dhënë për të shprehur mendimin e tyre janë pikërisht rrjetet sociale të pa censuruara dhe aty zbrazin të gjithë energjinë dhe mendimet negative që kanë akumuluar nga jeta.

“Ky fenomen duhet të trajtohet me delikatesë dhe me ligj të caktuar nga institucionet shtetërore sepse lavdërimi i një krimineli mund të prodhoj një kriminel tjetër. Për çdo situatë të krijuar ekzistojnë organet e rendit dhe personat e profesionalizuar të cilët janë të përgatitur se në çfarë mënyre duhet ta trajtojnë rastin kurse të tjerëve ju mbetët vetëm të shprehi keqardhje për viktimat, të solidarizohet me familjarët duke ngushëlluar ato dhe të luten që ngjarje të këtilla të mos përsëriten më kurrë.”, theksoi Memeti.

Sociologia vlerëson se platformat sociale përfshirë edhe TikTok-un janë krijuar për qëllime të mira. Por, siç sqaron ajo përdorimi i tepërt i TikTok-ut po jep kundër efekte në shoqëri, ku vlerësohen antivlerat, sharjet, fyerjet, reklamohen krimet, promovohen sjelljet devijonte e kështu me radhë.

“Nisur nga ky fakt unë si sociologe mendoj se është urgjencë sociale që të censurohet përdorimi i kësaj platforme”, theksoi Memeti.

TikTok, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
TikTok, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, psikologja Edlira Destani në lidhje me rastin në fjalë, shprehet se krimi nuk mund të përshkruhet ndryshe përveçse si krim. Ajo thekson se banalizimi i komenteve, mesazheve në rrjetet e ndryshme sociale vetëm sa e inkurajojnë krimin duke kaluar përmes deklaratave që theksojnë rritjen e vazhdueshme të dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe degradimin e sistemit shkollor dhe vlerave tradicionale.

Edlira Destani (psikologe), foto nga arkivi i saj privat (e përdorur me leje)
Edlira Destani (psikologe), foto nga arkivi i saj privat (e përdorur me leje)

“Gjithë kjo rrëmujë kryesisht mediatike sjell në popullatë dhe më shumë tek moshat e reja, një nevojë për të fshehur frikën personale qoftë ndaj fëmijëve, qoftë frikë e drejtpërdrejtë për veten. Gjithashtu në këto komente personat fshehin pasigurinë e përgjithshme por edhe atë personale. Sulmet që bëjnë përmes komenteve është një çlirim për ta sepse në mënyrë të pavetëdijshme e hedhin ”topin” e fajtorit larg”, sqaron Destani.

Psikologia me të cilën biseduam na sqaron në shumë raste vetëm cilësimi hero fillon dhe mbaron me këtë fjalë, pa e përpunuar arsyen e cilësimit dhe nëse duhet ta mbrojnë këtë cilësim atëherë vrazhdësia ndaj kundërshtarëve mund të jetë ekstreme. Ajo thekson se kjo është gabim sepse nuk mund të marri secili person rolin e gjykatësit.

“Shumë pak flitet për pasojat që sjell një ngjarje e tillë”, thotë psikologja, sipas saj, liria ku çdo kush gjykon pse ka ndodhur një krim, nuk sjell asgjë konstruktive.

“Mosha e pubertetit dhe adoleshencës është shumë delikate dhe fëmijët kanë nevojë të krijojnë një model për të ndërtuar situatat e tyre të reja. TikTok është vetëm një instrument për të arritur drejt qëllimit. Fëmijët po marrin modele të papërshtatshme sepse ne si të rritur jua kemi hapur këtë rrugë edhe atë, në moshë shumë të hershme”, përfundoi Destani.

TikTok të dëshmojë se është platformë e sigurt

Ishin ngjarjet në Serbi që nxitën debatin për rregullimin e rrjeteve sociale në Maqedoninë e Veriut, me fokus për TikTok-un.

Komunikologu dhe eksperti i mediave sociale Bojan Kordallov beson se aktualisht TikTok duhet të dëshmojë se është platformë e mirë për siguri – si nga pikëpamja gjeopolitike, por edhe për sigurinë e fëmijëve dhe të rinjve.

Bojan Kardallov, foto: Vanço Xhambaski
Bojan Kardallov, foto: Vanço Xhambaski

“TikTok është diskutuar në mbarë botën prej vitesh, veçanërisht në SHBA, por edhe në vendet evropiane – për pasojat dhe nevojën që TikTok të dëshmojë se është i mirë për sigurinë e përgjithshme, pra po flasim në aspektin gjeopolitik, por edhe për sigurinë e fëmijëve dhe të rinjve. Pra, TikTok ka  nevojë serioze të dëshmojë dhe të tregojë se me të vërtetë kujdeset që përmes algoritmeve të tij të ndryshojë situatën dhe të anulojë dukuritë negative apo ato gjëra që janë të palejueshme nga asnjë ligj në çdo vend”, thotë Kordallov.

Nuk ka justifikime pse rrjeti social nuk  reagon ndaj videove të tilla.

“Që ju të lavdëroni vrasjet, të lavdëroni një masakër, të lavdëroni çdo gjë që është e paligjshme dhe e palejueshme për rritjen dhe zhvillimin e grupeve të synuara që ndodhen atje – nuk ka asnjë justifikim,” shton Kordallov.

Komunikologu thotë se platforma të tjera të njohura kanë kaluar nëpër debate të ngjashme në korniza globale.

“Diçka e ngjashme ndodhi më pak se një dekadë më parë me Facebook, Twitter, Instagram dhe Google. Ishte në lidhje me lajmet e rreme në atë kohë, por edhe në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Shumë debate publike në Kongresin Amerikan dhe madje edhe në institucionet evropiane u shpenzuan nga këta gjigantë teknologjikë që përshtatën dhe ndryshuan shumë nga algoritmet e tyre. Ne dëshirojmë që diçka e tillë të ndodhë tani për të pasur një përvojë më të mirë të përdoruesit, mbrojtje më të madhe të fëmijëve dhe të rinjve, por edhe mbrojtje më të madhe të të dhënave personale të çdo personi”, thotë Kordallov, sipas të cilit tani nevojitet rrjetëzimi i të gjithë aktorëve për të reduktuar dukuritë negative të rrjeteve sociale dhe për të inkurajuar iniciativat pozitive.

“Ne thjesht duhet të rrjetëzohemi, të punojmë së bashku, të pyesim fëmijët, të rinjtë, prindërit, mësuesit – çfarë mund të bëhet së bashku për të parandaluar gjëra të tilla dhe më e rëndësishmja, le të paraqesim shembuj pozitivë të fëmijëve dhe të rinjve që i bëjnë ato përmes mediave sociale, që janë të panumërta. Veçanërisht institucionet duhet ta bëjnë këtë dhe të reduktojnë sadopak me ato grindjet e përditshme politike dhe të paktën çdo e dyta konferencë shtypi apo çdo e dyta ngjarje të jetë me përfshirjen e të rinjve nga institucionet që do të tregojnë se si kanë bërë një ide biznesi, si arritën në ndonjë konkurs, fituan çmim, shpikën ndonjë risi në shkollën e tyre, ishin të përgjegjshëm në shoqëri, ndihmuan me ekoaktivizëm”, theksoi Kordallov.

TikTok, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
TikTok, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për momentin, nuk ka qëndrim përfundimtar nga autoritetet e vendit në lidhje me rregullimin e rrjeteve sociale dhe ndalimin e mundshëm të TikTok.

Portalb.mk dhe Meta.mk i drejtuan pyetje TikTok-ut se pse në platformë mbizotëron përmbajtje shqetësuese që lavdërojnë vrasësin dhe pse këto përmbajtje nuk hiqen, por edhe cili është qëndrimi i kompanisë për propozimin për ndalimin e aplikacionit në Maqedoninë e Veriut. Deri më tani, nuk kemi marrë përgjigje nga TikTok.

Kujtojmë që  më 3 maj, një nxënës në një Shkollë në Beograd vrau me armë tetë nxënës dhe rojën e shkollës. Dy ditë më vonë, më 5 maj, një 21 vjeçar, në Mlladenovac të Beogradit vrau tetë persona dhe 14 të tjerë plagosi, në një sulm me armë zjarri.

Para pak javësh Maqedonia e Veriut u përball me një skandal të madh “TikToku” ku një mjek anesteziolog incizoi drejtpërdrejt gratë në sallën e gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës. I njëjti është në paraburgim. Ndërsa një vajzë në moshë të re vdiq nga rryma pasi ishte ngjitur në një vagon për të bërë foto dhe i njëjti u shkëput dhe iu afrua rrjetit elektrik. Alarmi  para disa muajve u ngrit edhe për sfidën e TikTokut ku të rinjtë shtriheshin në rrugë dhe prisnin derisa t’ju afrohej automjeti i parë dhe më pas të ikin.

Gazetarë: Fisnik Xhelili dhe Goshe Nikollov.