Raporti i KE-së për rininë e Maqedonisë së Veriut: Papunësia mbetet plagë e pashërueshme (Infografik)

Nëse do të duhej një fjalë për të përshkruar rininë sipas Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2023 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt integrimit evropian, ajo do të ishte papunësia. Krahas shumë probleme, raporti kryesisht është i fokusuar te papunësia e të rinjve. Portalb.mk analizoi raportin për çështjet që prekin rininë dhe më poshtë transmetojmë gjetjet.

Rekomandimet e vitit të kaluar sipas raportit janë zbatuar pjesërisht, andaj raporti thekson se “në vitin e ardhshëm duhet në veçanti të vazhdojë zbatimin e Garancisë për Rininë, si dhe masat e aktivizimit për grupet e cenueshme dhe të krijojë sisteme për vlerësimin e duhur të masave”.

Të rinjtë vazhdojnë të përballen me pengesa për të hyrë në tregun e punës, këtë e thotë raporti, i cili thekson se pavarësisht se tregu i punës ka treguar përmirësime, problemet strukturore vazhdojnë të mbeten të pranishme.

Aty theksohet se në vitin 2022, Qeveria miratoi plan të ri zbatimi për të forcuar Garancinë për Rininë, e cila ka qenë në fuqi që nga viti 2018 dhe e cila ka kontribuar në reduktim të ndjeshëm të papunësisë së të rinjve.

“Punësimi i të rinjve (15-24 vjeç) mbeti në 18.3% dhe papunësia e të rinjve u ul në 31.8% në 2022, krahasuar me 34.9% në 2021. Masa kryesore për trajtimin e papunësisë së të rinjve mbetet skema e Garancisë për të rinjtë”, thekson raporti.

Më tej thuhet se autoritetet në mars 2023 u miratua plan i ri për zbatimin e Garancisë për Rininë 2023-2026 dhe se skema e Garancisë për Rininë u zbatua me sukses në të gjithë vendin.

“Në vitin 2022, më shumë se 20.000 të rinj morën pjesë në skemë, ku 43% e tyre gjetën me sukses mundësi punësimi ose trajnimi. Në skemë morën pjesë 969 romë, nga të cilët 148 u punësuan”, thekson raporti.

Papunësia e të rinjve në RMV, Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Papunësia e të rinjve në RMV, Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga Garancia për Rininë e mbështetur nga BE përfituan mbi 9.400 të rinj në rajonet që përballen me papunësinë më të lartë të të rinjve.

“Skema e përforcuar e Garancisë Rinore aktualisht nuk monitorohet dhe vlerësohet mjaftueshëm”, thekson raporti.

Ndër të tjera theksohet se janë regjistruar raste të diskriminimit dhe brutalitetit policor në bazë të përkatësisë etnike rome, veçanërisht ndaj të rinjve romë.

Raporti thekson se në periudhën e raportimit, autoritetet zhvilluan Strategjinë Kombëtare për rininë për 2023-2027, e cila ende nuk është miratuar.

Sipas raportit, Agjencia Kombëtare për Erasmus organizoi dhe mbështeti më shumë se 100 aktivitete dhe ngjarje që synonin të rinjtë, ku numri i pjesëmarrësve në projektet e financuara të shkëmbimit të të rinjve ishte 465 në vitin 2022, krahasuar me 294 në vitin 2020.

“Grupet parlamentare ndërpartiake për rininë realizuan me sukses aktivitete të shumta, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat përkatëse të shoqërisë civile”, thekson raporti.

Ndër të tjera përmendet edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimori cili u mbajt për herë të parë në rajon në Tiranë në dhjetor të vitit 2022 ku përmendet se Samiti është theksuar edhe në fushën e bashkëpunimit të rinisë.

Raporti gjithashtu thekson se vendi ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi në fushën e të rinjve me Turqinë.

Sipas raportit, Maqedonia e Veriut vazhdoi bashkëpunimin e saj aktiv me organizatat ndërkombëtare, ku theksohet se prioritetet e saj në OKB janë në përputhje me prioritetet e rëndësishme të BE-së, duke përfshirë edhe forcimin e rolit të rinisë.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 8 nëntor 2023. Situata me luftën kundër korrupsionit në vend është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.