“Cyber Shake”, studentët mund ta përdorin Inteligjencën Artificiale si vegël, por para së gjithash duhet të mësojnë

Studentët mund ta përdorin Inteligjencën Artificiale (IA) si vegël shtesë për studimet e tyre, por nuk duhet të mbështeten plotësisht në programe të tilla, pasi që para se gjithash ata duhet të mësojnë atë të cilën IA-ja e ofron të gatshme. Këtë mes tjerash e thanë pjesëmarrësit në “Cyber ​​Shake” diskutimin për të rinjtë në temë “Pse të mësoj kur ka inteligjencë artificiale?”, e cila u mbajt në Universitetin e Evropës Juglindore – Tetovë, në kuadër të edicionit të 19-të të konferencës ndërkombëtare “E-shoqëri.mk” nga Fondacioni Metamorfozis me mbështetjen e USAID-it, i zbatuar nga organizata IESC në partneritet me Forumin Rinor Arsimor dhe CEED Hub Shkup.

Çdoherë që Ministria kërkon të marrë ndonjë masë, reformë, apo ndikim në buxhetin, apo të vendos ndonjë mekanizëm për të bërë presion pozitiv, universitetet thirren në atë se janë autonom dhe për këto gjëra vetë vendosin. Kjo ishte përgjigja e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri në pyetjen e moderatorit Fisnik Xhelili, për atë nëse ata si Ministri kanë menduar ndonjë ligj apo rregullore për përdorimin e IA-së në arsimin e lartë. Megjithatë, ai shtoi se tanimë, prej vitit të ardhshëm për të akredituar programe studimore, do të duhet që në programe të vendosen diskutime për tema aktuale.

“Kur është çështja e diskutimit të programeve studimore, nga institucionet arsimore të larta më është kthyer se jemi autonomë dhe vendosim vetë. Këtu ka qenë kritika edhe vjet, edhe këtë vit, por vitin e ardhshëm u është kërkuar të gjitha institucioneve publike që programet studimore të cilat i dorëzojnë për të hapur konkursin për vitin e ardhshëm akademik, që së paku të fusin temat dhe diskutimet të cilat janë  për kohën e sotme. Jam që të mbështetet përdorimi i Inteligjencës Artificiale, por deri diku çështja e disa elementeve të rëndësishme të cilat duhet diskutuar. Duhet parë aspekti i sigurisë, etikës, menaxhimit dhe duhet paraparë elementet përfituese të cilat mund t’i kemi. Qoftë në reformën e programeve arsimore, qoftë nga përfitimet të cilat mund t’i marrim në sistemin arsimor – fillor, mesëm apo të lartë. Por, duke përdorur mënyrat më të mira”, tha ministri Shaqiri.

Sipas studenteve Zana Reçi dhe Njomza Behadini përdorimi i IA-së për studime është e barabartë me përdorimin e internetit apo veglave tjera, por megjithatë theksuan rëndësinë e profesorit që t’i detektojë plagjiatët dhe të mos kalohen vetëm sa për t’u vendosur studentëve pikë apo nota.

“E para studentët IA-në e përdorin për plagjiaturë dhe e dyta për ndihmë, si një mjet ekstra për studim. Besoj se përdorimi i IA-së është njësoj si përdorimi i internetit, mediave të ndryshme, enciklopedive. Varet vetë nga studenti dhe qasja e mënyrës se si mësimi apo studimi zhvillohet. Nëse profesori kërkon vetëm një ese, detyrë, apo vetëm ta paraqesësh punën pa marrë parasysh se në çfarë mënyre ke arritur deri tek ajo, apo nëse qasja e mësimit është vetëm vlerësimi me pikë apo nota, nuk është e çuditshme se pse studentët i përdorin këto mjete, sepse e dinë se edhe nëse mundohen vetë, nuk është që do të vlerësohet ndryshe se sa ta marrin prej diku tjetër”, theksoi studentja Reçi

“Si student i shkencave kompjuterike mendoj se ne kemi qasje më ndryshe prej tjerëve, ChatGPT mendoj se është versioni bazë i IA-së. Keqpërdorimi i IA-së nga shumë studentë vjen nga fakti se ka tendencë të portretizohet IA-ja si diçka negative, më shumë se aq duhet të mësohen për mënyrën e drejtë se si duhet të përdoret. Ka një mënyrë korrekte, ka një mënyrë ku mund të marrësh “feed back” prej ChatGPT-së apo formave tjera, megjithatë, nëse flas nga ana personale, studentët e shkencave kompjuterike në lëndët artistike nëpër gjuhë, nuk janë më të mirë, më ka ndihmuar shumë me “feed back” nëpër ese, nëpër lloj-lloj rastesh ku kontakti i menjëhershëm me profesionin nuk është i mundshëm. Përdorimi i ChatGPT-së nuk është asgjësend më shumë se sa përdorimi i internetit, apo marrja e detyrave gati nga dikush tjetër”, tha studentja Behadini.

Profesori universitar Adrian Besimi theksoi se nuk mund të mbrohen universitetet nga përdorimi i Inteligjencës Artificiale, pasi që ka arritur në nivel të lartë të efikasitetit dhe materialet që prodhohen janë shumë origjinal.

“Se a e keqpërdorin studentët, nuk do të kisha thënë se keqpërdorin, por se e përdorin. Në një nga lëndët e mia, një ditë u thash studentëve përdoreni, por si vegël jo gjithçka të merrni prej aty se për atë ne paguhemi, ne jemi profesorët, pra mundohemi ta sqarojmë thellësinë e një problemi dhe nëse nuk është diçka e qartë më pas përdoreni. Mirëpo, përdoreni me një dozë rezerve sepse në prapavijë është statistikë, bazohet në njohuri të përgjithshme që nëse 100 veta thonë se është gabim, ajo gabim do e mësojë. Prandaj duhet një dozë rezerve në pjesën e mësimit, por realisht ChatGPT këta janë vegla që trajnohen paraprakisht dhe bazohen në histori. Njohuri të reja nuk kanë të veta, prandaj mirë është të përdoret si ndihmesë, si në matematikë për shembull kontabilisti kur përdor kalkulator, mund ta bën edhe në fletë, por kalkulatori është ndihmesë”, tha profesori Besimi, duke nënvizuar se në arsim fillor aspak nuk duhet të përdoret.

Sipas profesorit Besimi, çështja e përdorimit të IA-së në arsim të lartë nuk duhet të rregullohet me ligj, ndërkaq problemi kryesor është në aspektin e prodhimit të punimeve nga ana e studentëve.

“Asnjë vegël nuk është super e sofistikuar që të detektojë të gjitha, veglat thonë se ka gjasa që të jetë plagjiaturë, por mund të mos jetë e vërtetë. Kemi pasur një rast ku kemi testuar një punim të profesorit të vitit 2005, e kemi fut në sistemin kontrollit dhe aty thotë se ky është ndërtuar nga ChatGPT – nuk është e vërtetë, ChatGPT ka dalë pas 2018-tës. Pra, në aspektin e prodhimit të punimeve shkencore kemi vështirësi, kemi pasur edhe më herët, pra edhe pa ChatGPT prapë duhet ta detektosh se a ka plagjiaturë. Tani a e detekton mentori, studenti, komisioni apo Ministria, këto janë probleme tjera, por përgjegjësia është e atij që e prodhon atë dokument”, theksoi profesori Besimi, duke nënvizuar se mundohen ta keqpërdorin sistemin arsimor për të arritur një qëllim të caktuar.

Koordinatorja e Forumit për Ndryshime Arsimore Sabrije Tefiki theksoi që studentët mund ta përdorin IA-në, por fillimisht duhet të mësojnë.

Kur flasim për IA-në, flasim për një koncept më të gjerë, jo vetëm për pjesën e ChatGPT-së që është pak a shumë një mënyrë ose një gjenerator. Kur flasim për IA-në duhet të theksojmë se kemi pjesën softuerike dhe harduerike që e bën një mjet një produkt që konkurron ose siguron inteligjencën e njerëzve dhe kjo për të zgjedhur probleme apo për të marrë vendime edhe pikërisht të jetë më efikas edhe në kohë edhe në koste dhe çka do qoftë… Studentët patjetër mund të përdorin mirëpo, ideja është që t’i përdorin si mjet. Në qoftë se duhet të përgjigjemi në pyetjen se a duhet të mësojnë, ndoshta është qëndrim personal i imi dhe shumë eksplicit gjë që edhe e bëj, është që ndoshta edhe më shumë të mësojmë. Ideja është që ndaluam së mësuari kur u krijua Wikipedia, që në kohën tonë në shkollë fillore ishte që mos e përdorni Wikipedian, me një aplikim të emrit dhe mbiemrit dilte komplet biografia e një x personi të caktuar, të famshëm ose ndoshta edhe më pak. Ndaluam së mësuari në momentin që u shfaq telefoni, interneti… ku ta di unë, të fillojmë nga makina e parë me avull. Kështu që, është e vërtetë që na pret një sfidë më e madhe ndoshta se tregu ndryshon dhe në qoftë se nuk përshtatemi nuk do të jemi askush”, tha Tefiki.

Në vijim të bisedës, në lidhje me zhvillimin e arsimit të lartë në kontekst të zhvillimit teknologjik, ministri Shaqiri theksoi nevojën që universitetet t’i digjitalizojnë të gjitha procedurat pasi që është domosdoshmëri e proceseve, ndërkaq programet studimore të hartohen në bazë të nevojave të tregut të punës dhe jo të stafit.

Profesori Besimi pati një porosi për studentët që përdorin IA, duke theksuar që të provojnë që t’i bëjnë edhe me ChatGPT, por prapë do të duhet të hyjnë në provim. “Nëse ai e ka mësuar, pavarësisht se a me ChatGPT apo prej meje, apo në bazë të librit, nëse e ka mësuar, atij i mjafton sepse do të arrijë ta vërtetoj edhe në provim – pra qëllimi është të mëson, se a i ndihmon ChatGPT apo jo nuk është problem i madh”.

Tefiki, theksoi se profesionet e së ardhmes janë koncepte të reja dhe kërkohet që të investohet më shumë në infrastrukturë digjitale dhe të intervenohen si në aspekt të ligjeve, por edhe në nivel lokal.

Studentja Behadini theksoi që profesorët duhet t’i mësojnë studentët në mënyrë korrekte për përdorimin e IA-së pasi që të paktën përdorimi i tij është ndihmesë shumë e madhe.

Studentja Reçi theksoi se duhet të bëhet dallimi i përdorimit të IA-së në shkencat humane-sociale dhe natyrore-kompjuterike, dallimi është në etikë, do të kisha kërkuar të ketë edukim të studentëve të shkencave sociale se çfarë rreziqe mund të paraqiten duke përdorur IA-në.

Ndryshe, të nesërmen, me 19 dhjetor në Hotel Marriot në Shkup do të mbahet seksioni kryesor i konferencës “E-shoqëri.mk” mbi temën “Inteligjenca artificiale dhe të drejtat e njeriut: Gjetja e ekuilibrit të duhur midis inovacionit dhe përgjegjësisë”. Agjendën e plotë e gjeni KËTU.