Rrëfimi tronditës i 21 vjeçarit nga Tetova që humbi shokët nga droga: Largohuni sa keni kohë!
Përdorimi i substancave narkotike në Maqedoninë e Veriut është në rritje, sidomos te të rinjtë. Ekspertët thonë se institucionet duhet të përfshihen më aktivisht në parandalimin e kësaj dukurie negative sepse procesi i risocializimit të të rinjve më pas është i vështirë. Me synim të parandalimit dhe vetëdijesimit të të rinjve për pasojat e shumta negative nga përdorimi i lëndëve narkotike, Portalb.mk sjell një rrëfim tronditës nga një 21 vjeçar nga Tetova i cili tanimë dy vite ka ndaluar përdorimin, por dëshiron që t’i porosisë të rinjtë që të mos i futen asaj rruge, pasi që sjell vetëm shkatërrim.
“Kurioziteti” për të “provuar vetëm njëherë”, ka shkatërruar shumë jetë njerëzish të cilët kanë “luajtur bixhoz” me jetën e tyre. Redaksia jonë vendosi të publikojë këtë rrëfim, duke shpresuar që drama nëpërmjet të cilës ka kaluar ky i ri, të jetë inspirim dhe mësim për të gjithë që të qëndrojnë larg çfarëdolloj droge, pasi që pasojat janë vrastare.
Ai pranoi të flet me gazetaren tonë vetëm nëse mbetet anonim, andaj dhe redaksia jonë simbolikisht vendosi ta quajë Genti.
Intervistoi: Arbnora Miftari
Portalb: Kur filluat të përdorni lëndë narkotike?
Genti: Isha 16 vjeçar, viti i dytë në shkollë të mesme. Kishte shokë në klasë që e pinin. Vitin e parë s’kisha qejf të jem në rrethin e tyre, por duke u afruar me ata, duke ndenjur më gjatë, ma bënë mendjen…mendje fëmije. Dilnim bashkë, ato pinin marihuanë, unë alkool, derisa fillova ta provoj edhe unë.
Rregullisht kam konsumuar alkool dhe marihuanë. Kam provuar këpurdha dhe ekstazë. Pak para se t’i lë të gjitha, i kam konsumuar këto disa herë. Nuk ka lidhje me çka e nis. Cilën të duash mund ta nisësh në fillim, por ta dini se të tjerat vijnë rend dhe nuk ka shpëtim.
Portalb: Si i keni përjetuar efektet negative nga përdorimi i lëndëve narkotike?
Genti: Një natë, mezi erdha në shtëpi. E të shkoj rrotull korridorit, deri atëherë, nuk e kisha përjetuar. Sa e çela derën, korridori nisi të më vijë rrotull edhe mezi shkova te dhoma ime, duke u përplasur, duke u munduar ta mbajë veten të mos diktohem. Shkova te dhoma dhe bëra gabimin më të madh, u shtriva të fle. Kur shtrihesh të flesh pasi ke pi shumë, efekti i drogës ose i alkoolit është më i rëndë dhe njerëzit nuk mund ta përballojnë. Më erdhi të vjell, u ngrita të shkoj në tualet të mos e përlyej dhomën ose sallonin. Shkova në tualet, para se të hy brenda më kapi paniku sepse vendi m’u duk i kuq.
Ka momente kur të ndizet drita edhe thuash unë do e lë, por pastaj të kalon paniku dhe pas një kohe, shembull një javë e le se ke simptoma të rënda, pastaj thua vetëm “ok, po tash që e di ku është kufiri, domethënë mund të shkoj rehat deri te kufiri”, por, gjithmonë kufiri është më larg. Edhe ndryshimet graduale nuk shihen, kjo është më e keqja.
Në momentet që je nën efekte të rënda, normal që nuk mendon, nuk mendon ashtu si mendon njeriu, nuk mendon “kjo është keq”, “kjo është mirë”.
Pastaj pas efektit nuk është se mban mend kushedi çka që ta analizosh. Kur para se me dalë me shoqëri i ke pirë dy, kur dalësh me shoqëri edhe tre tjera, kur t’i bësh bashkë, je askund. Nuk njeh askënd. Jeni ulur në kafe, nuk mundesh ta ngresh dorën ta marrësh ujin se të është tharë goja. Edhe mendohesh, pse e kam bërë? Pse e bëj unë këtë?
Portalb: Na e përshkruaj momentin që e le drogën dhe çfarë ndodhi më pas?
Genti: Refuzova ta pi, në fakt. Krejt e ndezën unë thash “jo nuk e pi”. Ato krejt thanë “Çka u bë? Pse nuk do? Kemi shkuar deri në Shkup e kemi marrë. Rrezil jemi bë për ty”. Vetëm thash “Nuk dua”. Prej atë ditë, dy javë ditë, kam pasur kokëdhimbje, të thuash duan të ta nxjerrin prej vendi, prej te qafa lartë, edhe hunda, edhe dhëmbët, edhe krejt. Pastaj plasën edhe sinuset, më e keqja që ishte.
Portalb: Cili është gabimi më i madh që e bëjnë të rinjtë dhe cilat janë pasojat?
Gabimi më i madh që bëjnë të rinjtë, ku janë mashtruar, është duke menduar se rrugën e kanë familje. 80% e njerëzve janë ashtu, se kur shkon në shtëpi ka siklet. Kur del jashtë është i lirë. Por, nëse grupi përdor substanca narkotike, nuk ka më familje. Nuk ka “vëlla”, “vëllai” të turret me thikë për 100 denarë.
Dy nga shokët më kanë ndërruar jetë nga substancat narkotike. Tre që i njoh shok pas shoku nga këtu dhe nga qytetet tjera vetëm kam dëgjuar se kanë ndërruar jetë. Në burg s’ka të numëruar.
Portalb: Mund të na e tregosh një rast kur ke parë ndonjë nga shokët nën efekt të rëndë?
Genti: Kishte ardhur afër banesës ku jetoja atëherë. Punë parash, e refuzova. Mirëpo zbrita më vonë të kontrolloj a ka shkuar dhe çfarë të shohësh, njeriu ishte në gjendje katastrofe. Nuk dija çka të bëja, frikësohesha të thirri policinë, frikësohesh të thirrësh ambulancën. E mora në shpinë dhe e solla afër spitalit. Nonstop kisha frikë se mos ka vdekur edhe nonstop kisha frikë mos më shohin njerëzit. Nuk e di saktë çka kam menduar. E lash afër spitalit edhe u largova.
Nuk kam dëgjuar më prej tij, nëpër Tetovë nuk e kam pa, as guxoj ta kontaktoj. Mund të jetë në burg, mund të ketë ikur, gjithsesi, nuk mundesha të rrezikoj të më zë policia. Sepse pa marrë parasysh a të arreston policia, edhe vetëm kontroll kur të bëjnë në rrugë ndryshon gjithçka.
Nëse dyshojnë atëherë të kanë nonstop në radar. Nëse të kanë në radar të tjerët në rreth nonstop janë paranoid se do të të kapin edhe mund të flasësh. Në polici edhe në paraburgim me qenë për këtë gjë, do të përdorin gjithçka që të të bëjnë të flasësh. Po nëse spiunon, s’është asgjë policia, çka do jetë kur të dalësh. Tani normal se di saktë si janë punët, kështu kemi dëgjuar njeri pas njeriu. Po edhe po të dilja nga policia shëndosh, nuk mund të rrezikoja të jem në radarin e këtyre tjerëve.
Nëse del nga stacioni edhe më nuk të ngacmon policia ose nuk të sheh shtrembër, je spiun. Ose, ose, Zoti mos dhashtë të kishe dal ti nga stacioni edhe nesër kanë arrestuar dikë. Tash edhe në këtë rreth ka hierarki, besoj në rastet ku bëhet fjalë për njerëz më të mëdhenj ka edhe korrupsion dhe shumë gjëra tjera, po në nivelin tonë pak a shumë kjo është.
Portalb: Si e përjetove humbjen e shokëve të tu?
Genti: Rëndë ishte të shkosh në varrim. Se nëna e tij, babai i tij do të shohin. Ata e dinë çka ka bërë djali i tyre. Kur dëgjon lajme që djali i ri ka vdekur prej sulmit në zemër gjasat janë që ka qenë mbi-dozim me drogë. Pastaj ndihesh shumë keq se pse i ke ndërprerë kontaktet dhe nuk e di saktë çka ka pasur. Pse nuk të ka thirrur dhe po të kishit kontakt a do të të kishe mundur t’i ndihmosh.
Portalb: Çfarë keqkuptojnë ose nuk e kuptojnë ata që konsumojnë substanca narkotike?
Genti: Realitetet ndërrojnë. Ajo që e përjetojnë nën efektin e drogës u duket normale, kurse jeta normale duket abnormale. Jeta normale duket si efekt droge, kurse efekti i drogës duket si jetë normale.
Sheh, merr pjesë ose dëgjon përleshje përditë. Ndihesh i rrezikuar përditë, ndihesh “me against the world” (unë kundër botës). Në shtëpi nuk mund të kërkosh ndihmë, prej policisë nuk mund të kërkosh ndihmë, shoqëria nuk dihet a mund të më tradhtojë. I mendon këto gjëra. Pastaj të vinë njerëz te shtëpia, secili mundohet ta mbrojë familjen e vetë. Kanë ardhur të më vjedhin, të më çojnë të flas. Njëqind mijë probleme hapen: financiare, familjare, me policinë, me rrethin.
Portalb: A ka patur ndonjë moment kur të është shembur ky realiteti tjetër, një moment kur ke menduar “kjo është abnormale”?
Genti: Po. Po kishte edhe disa gjëra që ndodhën para atij momenti, që të themi e përgatitën skenën: shokët nisën të më arrestohen, kishte shumë kontrolle policie, kur ndodhin këto gjëra ka një ndjenjë, je më “zgjuar”. Po pija me dy shokë, unë vetëm alkool sepse nisa të kem frikë të mos jem në vete në qoftë se ndodh diçka, qoftë arrestim ose vdekje.
Njëri mori ekstazë pak pas alkoolit. Ai shoku tjetër, i dyti, vetëm ekstazë. Unë edhe jam edhe s’jam aty, mendoj çka ka ndodhur, çka mund të ndodhë, kur ky shoku i dytë më thotë “ej shihe pak këtë tjetrin”. Më dukej se flinte, po u afrova ta kontrolloj. I vura gishtin te hunda po nuk e dalloj a merr frymë a s’merr frymë.
Ky shoku tjetër ka filluar të dridhet, është nën efekt edhe plus e ka kapur paniku. I bie në shuplakë këtij të parit, nuk di çka të bëj tjetër, nuk e dalloj a ka rrahje zemre. Sytë i kanë shkuar pas. I bie edhe një shuplakë të fort. Për fat i erdhi shpirti. Ky që bënte panik ende dridhet edhe lëkundet para prapa. Atë moment, atë moment thash çka po ndodh. Mendova, ndjeva, s’di si ta them, e sheh skenën dhe thua “kjo nuk është normale”.
Portalb: Çfarë do t’i porositje të rinjtë që ndoshta kanë provuar ose po përdorin substanca narkotike?
Genti: Nuk do ta jetosh vetëm periudhën e adoleshencës. Do e mbarosh një shkollë, do e mbarosh një fakultet, nuk do të jetë ndryshe jeta pastaj. Nuk ndryshon jeta vetvetiu. Shumë të rinj thonë “ta bëj këtë, ta bëj atë se jam i ri, se pastaj kur të hy në fakultet do ndryshojnë gjërat, kur të martohem do ndryshojnë gjërat”, nuk ndryshojnë gjërat ashtu vetë. Nëse nuk i jep vetë drejtim jetës, edhe 40 vjet t’i bësh do jesh në të njëjtin vend. Dil sa është më herët. Nuk ia vlen. Një veturë kalon e kthen kokën pas, trembesh mos është policia, trembesh çka mund të të bëjë policia, je marrë apo s’je marrë me punë të mëdha, ku ta dish kush mund të ta “ndreqe punën”. Nuk jetohet ashtu.