Eko pllaka inovative nga plastika e ricikluar për mjedis jetësor më të pastër dhe përfshirje sociale
Në një mision për mjedis më të mirë dhe më të pastër jetësor organizata qytetare nga Gjevgjelia “Eco Life” në partneritet me “Eco Team East” nga Koçani prodhojnë eko pllaka inovative nga mbetjet e plastikës dhe rëra për përdorim të jashtëm që janë të përshtatshme për mbulim të oborreve, këndeve me lodra, trotuareve dhe sipërfaqeve të tjera të jashtme, shkruan Meta.mk.
“Kjo ide erdhi si kopje e një projekti që tashmë është bërë dhe përfunduar në Armeni. Atje është bërë i njëjti proces, janë blerë të njëjtat makina dhe është prodhuar ky eko produkt inovativ – pllaka nga mbetjet e plastikës dhe rëra. Ne së bashku si dy shoqata “Eco Life” dhe “Eco Team East” e pamë se rajonet tona dhe i gjithë shteti ka nevojë për një produkt të këtillë dhe me qëllim të pakësimit të mbetjeve plastike krijuam një projekt që erdhi si rrjedhojë e dy projekteve paralele. Njëri projekt është në Gjevgjeli, ndërsa tjetri në Koçan”, thotë për Meta.mk Dragica Çobanova nga “Eco Life”.
Ajo shton se nuk disponojnë me statistika të sakta se sa plastikë përfundon nëpër deponitë e këtyre rajoneve, sepse të dhënat janë të vjetërsuara, por kryesisht grumbullohen sasi të jashtëzakonshme të plastikës, e prandaj prodhimi i këtyre pllakave domethënë ulje e ndotjes së mjedisit jetësor.
“Përdorim disa lloje të mbeturinave plastike- PET, polipropilen, polietilen, HDP.
Pra, të gjitha këto janë shkurtesa për plastikë, ta them në gjuhë popullore që të jetë më e kuptueshme, për plastikë të fortë. Kryesisht për plastikë që është deficitare dhe që nuk ripërdoret. Ky në fakt është edhe qëllimi ynë. Plastikën e cila nuk riciklohet të mund ta ripërdorim në produktin tonë, sepse në këtë mënyrë është e mundur të reduktohet sasia e kësaj plastike nëpër deponi.”, sqaron Çobanova.
Ajo thekson se procesi i prodhimit të këtyre pllakave nuk është aspak i thjeshtë dhe kërkon hulumtim të përditshëm, sepse bëhet fjalë për proces gjysmë automatik.
“Vetë procesi fillon me selektimin dhe thërmimin e mbetjeve plastike, pastaj mbetjet plastike përzihen në raport 50-50 me rërë të imët të separuar. Pastaj kjo përzierje vendoset në një ekstruder elektrik, shkrihet dhe pastaj del si masë e shkrirë, si një çamçakëz dhe vendoset në peshore, domethënë një pllakë kur shtypet në presën elektrike peshon rreth 750 deri në 800 gramë. Pllakat e shtypura pastaj vendosen në një ftohës ose kalibrat me qëllim që të mos e humbin formën e tyre dhe kështu e fitojmë produktin final”, sqaron ajo.
Për momentin, pllakat i prodhojnë tre të punësuar që mund të bëjnë nga pesë deri në tetë metra katrorë në një ditë. Për këtë arsye ajo mendon se kanë nevojë për rritje të numrit të të punësuarve.
“Kemi nevojë për më shumë njerëz. Vetë procesi kërkon punë me dy turne, për të mos thënë edhe me tre turne, sepse ekstruderi është një furrë që ka nevojë të jetë e ndezur gjatë gjithë kohës dhe të mos fiket. Për shkak se jemi ndërmarrje sociale i përfshijmë personat që janë të kategorive të cenueshme. Për momentin kemi të punësuar persona që nuk kanë qenë të punësuar për kohë të gjatë, e janë më të moshuar se 29 vjeç. Gjithashtu në të ardhmen planifikojmë që të punësojmë edhe persona siç janë prindërit vetëushqyes dhe personat me pengesa të lehta në zhvillim. Nuk mund t’i përfshijmë personat me pengesa më të rënda sepse bëhet fjalë për punë me makineri. Gjithashtu grup i targetuar për punësim janë edhe Romët, me atë që dëshirojmë që t’u japim mundësi të kenë një ekzistencë të qëndrueshme. Siç kemi nevojë ne për ata, mendoj se kanë edhe ata nevojë për ne që të krijohet një ekonomi qarkulluese”, theksoi Dragica.
Sa i përket asaj se sa të qëndrueshme janë këto pllaka në krahasim, për shembull, me pllakat bekaton që prodhohen nga betoni, analizat kanë treguar se janë shumë më të qëndrueshme ndaj kushteve klimatike dhe ndikimeve të jashtme.
“Për arsye se vetë procesi është inovativ, nuk ekziston një standard i caktuar në bazë të të cilit do të mund të testohen këto pllaka. Prandaj këto pllaka janë testuar në bazë të standardit të pllakave bekaton në EAM, në Entin për Analiza të Materialeve në Shkup. Sipas të dhënave që i morëm nga vetë instituti dhe sipas të dhënave që janë bërë për pllakat bekaton, dallimi është drastik sa i përket qëndrueshmërisë dhe rezistencës ndaj lagështisë. Nuk reagojnë ndaj ndikimeve të jashtme, nuk thyhen. Domethënë përqindja e thyeshmërisë është shumë, shumë e vogël. Janë shumë më të qëndrueshme se pllakat bekaton”, sqaron Dragica për Meta.mk.
Eko pllakat prodhohen në kuadër të projektit “Punësimi i qytetarëve nga grupet e cenueshme në prodhim të eko pllakave për përdorim të jashtëm dhe vendosja e një sistemi për menaxhim të duhur të mbetjeve të plastikës dhe mirëmbajtja e tij”, i financuar nga ana e “Qendrës për promovimin e praktikave stabile bujqësore dhe zhvillimin rural” (CeProSARD), ndërsa është rigrantuar nga ana e Bashkimit Evropian nëpërmjet projektit “Mbështetje për ndërmarrjet sociale duke ndjekur parimin – Mos ler askënd pas”.