Inovatorë nga RMV do të prodhojnë korniza unike për syze nga kafeja me fokus në mbrojtjen e mjedisit jetësor

Kafeja! Zakon i përditshëm i shumë njerëzve është ta nisin ditën me një filxhan kafe. Që nga shekulli XVI në Evropë pirja e kafesë ka qenë një ritual që është transmetuar ndër breza dhe që është mjaft i përhapur në Gadishullin Ballkanik. Sot, kafeja, jo vetëm që është një nga fjalët më të përdorura në botë, por gjithashtu rangohet edhe si një nga pijet më të njohura. Shija, aroma e pasur dhe efekti i fortë i kafeinës që na freskon dhe na i hap sytë janë vetëm disa nga arsyet pse kafeja është kaq e rëndësishme për disa njerëz, shkruan Meta.mk.

Pirja e kafesë në Gadishullin Ballkanik ofron edhe një eksperiencë misterioze që hap “kutinë e pandorës”. Një zakon i regjistruar etnologjikisht që shpesh shkakton probleme dhe spekulime. Për shekuj me radhë, të shikuarit e fatit në shtresimin e kafesë ka qenë një ritual që ende po praktikohet në vendin tonë.

“Shtyp me gisht që të shohësh se çfarë fati ke.” Shumë nga ne e kanë bërë këtë dhe mbase po e bëjnë edhe në këtë moment.

Ky ritual i interpretimit të figurave dhe vijave në filxhanin e kafesë absolutisht nuk do të thotë se rezulton me parashikime të vërteta. Por ky zakon është një trashëgimi nga brezat e të parëve tanë. Edhe pse ne sot këtë e bëjmë me miqtë dhe të afërmit e ngushtë, në të kaluarën, ata që mund të parashikonin fatin duke parë figurat në shtresimin e kafesë në filxhan i kanë quajtur edhe shtriga. Kafeja është pirë që shumë kohë më parë, ndërsa sot pihet edhe më shumë.

Tek ne pihet nëntë kilogramë kafe 

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, në vitin 2021 një familje e zakonshme maqedonase ka konsumuar pothuajse 9 kilogramë kafe për një vit, ndërsa statistikat për konsumin për anëtar të familjes tregojnë se një qytetar konsumon mesatarisht 2,4 kilogramë kafe. Sipas ueb faqes Statista, konsumi i përgjithshëm i kafesë në botë në vitin 2020/2021 ka qenë 166.63 milionë thasë me kafe me nga 60 kilogramë secila.

Megjithatë, edhe pse kafeja për shumë nga ne është një pije e pa evitueshme, për hidraulikët ajo është një makth i vërtetë. Shtresimi i kafesë mund të shkaktojë bllokimin e gypave për mënjanimin e ujërave të zeza, sepse nuk tretet në ujë dhe mund të ngjitet në anët e gypave. Prandaj, ata rekomandojnë që shtresimi, llumi i kafesë të hidhet në plehra, siç bëhet në kafene dhe restorante.

Por, a e keni pyetur veten se çfarë mund të bëjmë që t’i parandalojmë pasojat negative nga shtresimi i kafesë mbi mjedisin jetësor përderisa jemi duke e pirë gllënjkën e parë dhe presim që ta bëjë efektin kafeina?

Çfarë ndodh me mbetjet e kafesë?

Petar Stefanoski dhe Nikolla Vuçkov nuk “vënë gishtin” në filxhan për ta parashikuar të ardhmen. Ata tashmë e kanë vizionin e tyre të bazuar në shkencë dhe janë pjesë e ekipit të Coffee Mates. Duke u bazuar në rezultatet e hulumtimit të tyre, ata po përpiqen të ndalojnë procesin shpërbërjes së shtresimit të kafesë nëpër deponi gjatë të cilit lirohet metan dhe dioksid karboni. Këto janë gazra të fuqishëm që krijojnë efektin serë.

“Metani ka 28 herë më shumë potencial për ngrohje se sa dioksidi i karbonit, gjë që e bën atë një kontribuues të rëndësishëm në ngrohjen globale”, thotë Petar në intervistën për Meta.mk.

Petar Stefanoski dhe Nikolla Vuçkov, foto: Meta.mk
Petar Stefanoski dhe Nikolla Vuçkov, foto: Meta.mk

Sipas tij dhe Nikollës, kur mbetjet e kafesë nuk riciklohen, ato përfundojnë nëpër deponi dhe zënë hapësirë së madhe, gjë që mund të çojë në shkatërrimin e mjedisit jetësor. Nga ana tjetër, riciklimi i mbetjeve të kafesë mundet ta ndalojë dukshëm ndikimin e dëmshëm ndaj mjedisit jetësor. Për të kontribuar për një mjedis jetësor më të gjelbër, inovatorët e rinj nga Coffee Mates kanë idejuar një zgjidhje unike, ose siç thuhet në gjuhën angleze, një zgjidhje tailor-made.

Korniza për syze të punuara me dorë që hapin shikimin drejt një mjedisi jetësor më të pastër

Petari dhe Nikolla nuk vunë gisht në asnjë filxhan. Përkundrazi, vitin e kaluar ata morën pjesë në një program të Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar – GIZ për profesionistë të rinj nga Maqedonia në Gjermani. Atje ata ndoqën një sërë trajnimesh dhe seminaresh, ndërsa kur u kthyen në vend kishin për detyrë të krijonin një projekt që mund të zbatohej në vendin tonë.

“Ideja me kafenë na lindi sepse unë personalisht në shtëpi përdor aparat për kafe moka dhe mbetjet e kafesë vazhdimisht më grumbullohen, kështu që fillova të vras mendjen se si mund t’i ripërdor këto mbetje. Bashkë me Petarin na lindi ideja që t’i ripërdorim mbetjet dhe të bëjmë diçka të re. Një nga zgjidhjet ishte punimi i syzeve. Kemi bërë edhe produkte të tjera. Zgjidhja tjetër ishte humusi, gjegjësisht plehu për bimët dhe në fund stoli bizhuteri të cilat mund t’i prodhojmë nga mbetjet e kafesë”, tha Nikolla.

Sipas projektimeve që i kanë bërë, ekuivalenti i përpunimit të tyre të mbetjeve të kafesë nënkupton 42 tonë më pak dyoksid karboni në mjedisin jetësor, ndërsa për ta pastruar ajrin nga një ndotje e tillë do të nevojitej një pyll i madh sa 32 fusha futbolli.

Për momentin ata janë duke bërë një biznes plan se si t’i plasojnë në treg kornizat e syzeve të punuara nga shtresimi i kafesë, ndërsa  janë duke punuar edhe në krijimin e formulës përmes së cilës do të fitojnë përzierjen prej mbetjeve të kafesë dhe përbërësve të tjerë natyrorë që do të jetë e tretshme, por edhe prej të cilës do të fitojnë korniza të qëndrueshme për kushte të ndryshme klimatike dhe temperatura të ndryshme.

“Tani jemi në fazën e inkubacionit. Në 6 muajt në vijim ne kemi për qëllim ta avancojmë fazën në të cilën jemi tani. Gjegjësisht, tani konkretisht jemi duke punuar që të gjejmë një përzierje adekuate  për syzat, me qëllim që të jenë sa më të qëndrueshme dhe më të bukura në pamje”, thotë Petari.

Nikolla dhe Petari ende po e finalizojnë idenë për produktin, i cili do të ketë edhe paketimin e duhur ekologjik, por edhe për çmimin, i cili sipas parashikimeve të tyre do të jetë më i ulët se brendet e njohura që prodhojnë korniza për syze. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme për ta, përveç krijimit të ekonomisë rrethore dhe krijimit të një rrethi prodhimi pa mbeturina. Për këtë i ndihmon artisti Igor Joskovski.

“Përdoruesit do  mund të zgjedhin dizajnin e tyre personal që mund të përshtatet sipas nevojave të tyre”, thotë Nikolla.