Komunat në RMV të (pa) përgjegjshme ndaj të rinjve: Dibra keq punët, Manastiri shkëlqyeshëm, vlerësoi hulumtimi i FNA-së
Dibra – 1 (shumë keq), Tetova, Gostivari dhe Kumanova – 3 (mjaftushëm ) dhe Manastiri – 5 (shkëlqyeshëm). Këto janë notat nga 1 deri në 5 për këto komuna sa i përket implementimit të Ligjit për pjesëmarrje dhe politika rinore, të cilat u monitoruan nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) të cilët nxorën në pah obligimet ligjore të cilat këto komuna (nuk) i kanë përmbushur, shkruan Portalb.mk.
Ligji për pjesëmarrje dhe politika rinore u votua më 14 janar të vitit 2020, nga atëherë e deri më sot realizimi i tij nga institucionet përkatëse lë për të dëshiruar.
Ligji për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore në vetvete përmban gjithsej 27 nene dhe mvesh me obligime të ndryshme një sërë institucionesh në nivel nacional dhe lokal. Hulumtuesi i Forumit për Ndryshime në Arsim ka monitoruar vetëm nenet ku obligim për zbatimin e tyre kanë institucionet e vetëqeverisjes lokale, me theks të veçantë në pesë komunat të cilat kanë qenë objekt i këtij studimi.
“Nga miratimi i ligjit deri sot zbatimi i tij lë shumë për të dëshiruar, pjesa më e madhe e institucioneve nuk i përmbushin obligimet të cilat rrjedhin nga ky ligj ndërsa një pjesë tjetër i kryejnë këto obligime ligjore sa për sy e faqe. Komunat me theks të veçantë janë institucionet të cilat kryesisht neglizhojnë Ligjin për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore, duke mos i kushtuar rëndësi obligimeve të cilat rrjedhin nga ky ligj”, thuhet në hulumtimin e FNA-së.
Komuna e Dibrës në krye me Hekuran Dukën është vlerësuar me notën 1, shumë keq. Sipas hulumtimit kjo komunë nuk ka qendër rinore, këshill rinor lokal, zyrë rinore dhe nënpunës për të rinjtë si, nuk ka strategji rinore lokale si dhe në buxhet nuk janë ndarë më së paku 0.1% buxhet për nevojat e të rinjve, ashtu siç e kërkon Ligji për pjesëmarrje dhe politika rinore.
Komuna e Tetovës në krye me Bilall Kasamin ka marrë notën 3, mjaftushëm. Tetova nuk ka qendër rinore sipas Ligjit për pjesëmarrje dhe politika rinore. Aktualisht është në procedurë të regjistrimit të njërës prej hapësirave ekzistuese, ashtu siç e kërkon ligji. Gjithashtu nuk ka strategji rinore locale, kjo është në procedure e sipër. Kjo komunë ka përcaktuar një zyrë për të rinjtë por megjithatë nuk ka nëpunës rinor, i cili do të ishte përgjegjës për koordinimin e çështjeve që kanë të bëjnë me të rinjtë në këtë komunë, pikërisht në zyrën për të rinjtë. Aktualisht kjo komunë është në procedurë e sipër të përcaktimit të nëpunësit rinor. Ndërkaq, ka këshill rinor lokal dhe buxhet vjetor për të rinjtë.
Edhe Komuna e Gostivarit në krye me Arben Taravarin është vlerësuar me notën 3, mjaftushëm. Gostivari nuk ka strategji rinore lokale. Kjo komunë ka këshill rinor lokal si dhe zyrë rinore dhe nënpunës rinor. Në Gostivar funksionojnë tre Qendra Rinore por asnjëra prej tyre nuk është e themeluar ashtu siç e kërkon Ligji për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore. Autoritetet komunale aktualisht janë në procedurë të regjistrimit të njërës prej tyre ashtu siç e kërkon ligji. Në komunën e Gostivarit nuk ndahet buxhet vjetor për të rinjtë ashtu siç e kërkon Ligji për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore. Megjithatë, ka të destinuara mjete buxhetore për të rinjtë në fusha të ndryshme.
Me notën 3, mjaftushëm është vlerësuar edhe Komuna e Kumanovës në krye me Maksim Dimitrievskin. Kumanova nuk ka këshill rinor lokal si dhe strategji rinore lokale. Megjithatë kjo komunë ka qendër rinore, zyrë rinore, nënpunës rinor si dhe buxhet vjetor për të rinjtë.
Komuna e Manastirit në krye me Toni Konjanovskin ka përmbushur obligimet për të rinjtë dhe është vlerësuar me notën 5, shkëlqyeshëm. Kjo komunë ka qendër rinore, këshill rinor lokal, zyrë rinore, nënpunës rinor, strategji rinore lokale si dhe buxhet vjetor për të rinjtë.
Në mesin e rekomandimeve që jep FNA thuhet se nuk mjafton vetëm themelimi i këshillave rinorë lokal, por është e nevojshme që të njëjtët të jenë aktiv, si dhe të njëjtët të jenë më larg partive politike që udhëheqin paritë politike në komunat përkatëse.
“Mjetet buxhetore rinore të mos ndahen vetëm për koncerte dhe festivale. Të rinjtë kanë nevojë për shkencë, sport dhe fusha të tjera të rëndësishme”, është një tjetër rekomandim i analizës.
Nga Forumi për Ndryshime në Arsim theksuan se ky ishte publikimi i parë me pesë komuna, ndërkaq së shpejti do të publikohet edhe hulumtim tjetër me pesë komuna të tjera.
Përndryshe, në prag të miratimit është Strategjia e re Kombëtare për të Rinjtë për vitet 2023-2027 e cila është punuar nga të gjitha institucionet rinore në vend, bashkësia ndërkombëtare dhe në konsultim me organizatat joqeveritare të cilat kanë në fokus të rinjtë dhe çështjet rinore. Përveç strategjisë në nivel kombëtar, dokument tejet i rëndësishëm është edhe Strategjia Lokale Rinore e cila votohet në këshillat komunale.
- LEXO: RMV, improvizime, justifikime dhe arsyetime nga komunat për (mos) hapjen e qendrave rinore
- LEXO: RMV, zbatim i dobët i Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore
- LEXO: RMV, për 20 vjet janë shpërngulur mbi 77 mijë të rinj
- LEXO: RMV, tre vjet pas miratimit të Ligjit për pjesëmarrje dhe politika rinore – të rinjtë në fund të agjendës
- LEXO: RMV, gjithnjë e më pak të rinj dhe fonde të pamjaftueshme për politikat rinore