RMV, më shumë se gjysma e të rinjve nuk punojnë atë që e kanë studiuar, sektori i IT-së zgjedhja më e dëshirueshme

 

Shumica e të rinjve punojnë në pozicione që nuk kanë lidhje me fushën e studimit, një tendencë që mbizotëron tek të rinjtë janë ndryshimet e shpeshta të punës dhe mbi 80% e të rinjve konsiderojnë se mësimi i vazhdueshëm dhe avancimi janë çelësi për të qenë konkurrues në tregun e punës. Këto janë pjesë e gjetjeve të hulumtimit të titulluar “Aspiratat e të rinjlve për karrierë dhe aftësi” i realizuar në kuadër të Aktivitetit të USAID-it për të rinjtë që krijojnë mundësi aktive në partneritet me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, transmeton Portalb.mk.

Hulumtimi shqyrton pritshmëritë e të rinjve nga pozicionet e punës, pikëpamjet e tyre se cilat aftësi u nevojiten për të qenë konkurrues në tregun e punës, si dhe janë dhënë një sërë rekomandimesh për të mbështetur të rinjtë në gjetjen e mundësive atraktive të punësimit në vend.

“Hulumtimi do të na japë një pasqyrë të qartë se cilat profesione i tërheqin të rinjtë dhe pse, cilat janë pritshmëritë e tyre nga pozicionet e punës, çfarë aftësish mendojnë se u duhen për të qenë konkurrues në tregun e punës dhe si do të dëshironin t’i fitonin aftësitë e tyre. Kjo lloj njohurie do të jetë bazë për krijimin e politikave dhe masave për uljen e papunësisë tek të rinjtë, që është një nga prioritetet tona strategjike”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, në ngjarjen për promovimin e hulumtimeve. Ajo gjithashtu inkurajoi të rinjtë që të përdorin masat shtetërore për punësim, vetëpunësim, trajnim dhe praktikë dhe tregoi se Plani Operativ për vitin 2024 do të bazohet në gjetjet e hulumtimit.

Për sa i përket preferencave për karrierën e të rinjve, sektori i IT del si zgjedhja më e preferuar, duke tërhequr më shumë se 20% të të anketuarve. Mjekësia dhe shëndetësia janë zgjedhja e rreth 16% të të anketuarve, ndërsa drejtësia dhe politika janë zgjedhur nga rreth 10%. Ndër fushat më pak të njohura janë prodhimi dhe artizanati (1.90%) dhe shkenca dhe qëndrueshmëria e mjedisit jetësor (1.80%).

Stimujt financiarë janë motivuesi dominues kur zgjedhin një karrierë, me pothuajse gjysma e të anketuarve (49.8%) që përmendin pagat dhe përfitimet financiare si arsyet e tyre kryesore për interesim në sektorin e caktuar. Mundësia e avancimit në karrierë është arsyeja dominuese për 20.8% të të anketuarve, ndërsa siguria dhe stabiliteti i punës është faktor kyç për 14.4%.

“Hulumtimi tregon një mospërputhje të konsiderueshme midis arsimit formal dhe tregut të punës, por në të njëjtën kohë ofron një udhërrëfyes të qartë se si të mbështeten të rinjtë për të kapërcyer këtë hendek dhe për të gjetur më lehtë punësim”, tha Nebojsha Mojsoski, drejtues i Aktivitetit të USAID-it për të rinjtë duke krijuar në mënyrë aktive mundësi.

Praktika me pagesë si masë është metoda e preferuar për të ndihmuar të rinjtë të gjejnë punësim (41.1%), e cila pasqyron nevojën për qasje të bazuara në mentorim dhe mësim në situata reale. Përkundër faktit se sipërmarrja shfaqet si një fushë e interesit për pothuajse tre të katërtat e të rinjve (74,1%), të dhënat e anketës tregojnë gjithashtu nevojën për të mbështetur të rinjtë përmes mbështetjes financiare (22,9%) dhe mentorimit (14,2%) për hapjen e biznesit të vet. Udhëzimet për karrierë dhe këshillim janë burime të pashfrytëzuara, me 55.3% të të anketuarve që deklarojnë se nuk kanë përvojë me shërbime të tilla.

Programi pesëvjeçar i USAID-it për Fuqizimin e Rinisë, prej 7 milionë dollarësh, synon të lidhë të rinjtë me mundësitë që u nevojiten për të qenë konkurrues në ekonominë e sotme dhe për të rritur kontributin e të rinjve në shoqëri dhe zbatohet nga organizata jofitimprurëse amerikane Advancing Economies for Stronger Communities, në partneritet me CEED Hub Shkup dhe Forumi Rinor Arsimor(FRA).