Qyteti i Shkupit e ka hapur plotësisht urën Bellasica për qarkullim, por ende nuk e ka marrë raportin e ngarkimit testues

Nga dje janë hapur për qarkullim të katër korsitë në urën “Bellasica” në Shkup, e cila ishte djegur më 12 maj të vitit të kaluar. Edhe pse ura është hapur plotësisht për qarkullim, nga Qyteti i Shkupit nuk ka asnjë njoftim për publikun dhe asnjë informacion për gjendjen e urës dhe çfarë kanë treguar rezultatet e ngarkimit testues, raporton Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

Siç mëson Sdk.mk, draft-versioni i raportit të ngarkimit testues është gati, por nuk është dërguar në EMV dhe në Qytetin e Shkupit, kështu që nuk ka asnjë dokument zyrtar në bazë të të cilit është vendosur lëshimi i urës. Sipas informacioneve, raporti tregon se ura është e sigurt, pra pas ngarkimit testues, rezultatet janë saktësisht të njëjta me ato të vitit 2005, kur është ndërtuar dhe vënë në përdorim.

Profesor Mihail Garevski nga Instituti privat për objekte rezistente sizmike dhe ndryshime klimatike ka kryer ekspertizën në urën “Bellasica”. Ekipi i Garevskit para dhjetë ditësh bëri një ngarkim provues të urës, gjatë të cilit u vendosën gjashtë kamionë me peshë totale prej 216 tonë. Më pas Garevski në profilin e tij në Facebook ka shkruar se “beteja për urën ‘Bellasica’ ra, ura nuk ra”.

Raporti i bërë nga Garevski tregon se ura nuk ka dëmtime serioze dhe duhet të riparohet lehtësisht.

“Draft versioni është dorëzuar në  Komunë. Shkalla e dëmtimit, sipas kualifikimeve të pranuara në botë, bie ne kategorinë e të lehtave. Ka gërvishtje më të dukshme të betonit, por kabllot nuk janë të ekspozuar apo të dëmtuar. Ura nuk ka nevojë për përforcim, sepse nga imazhi vizual që kemi marrë nga një dron, shihet se kabllot e paranderjes nuk janë të dëmtuara, pra nuk kanë marrë temperaturë të lartë. Vetëm betoni është dëmtuar dhe në pllakën e poshtme duhet të vendoset betoni mbrojtës”, tha Garevski vitin e kaluar në qershor.

Pas zjarrit në urë, kryetarja Arsovska është përplasur me dekanin e Fakultetit të Ndërtimtarisë, Goran Markovski, pasi ka paralajmëruar se duhen hetime serioze dhe se ura do të mbyllet së paku një vit. Arsovska tha se Markovski është një ekspert i vetëquajtur, i cili me pizhame ka dhënë analiza për urën nga shtëpia.

Ura Bellasica u dogj më 12 maj të këtij viti dhe që atëherë ishte e mbyllur për qarkullim dhe për këmbësorë.