Titani i përbuzur i letërsisë shqipe

Fondi i artë i letërsisë së një populli, thotë Ismail Kadare, përbëhet pikërisht nga vepra autorësh që hapin rrugë të reja, rrugë të parrahura më parë, shkurt, që janë tjetërlloj.

Ai këtë e thotë për Migjenin, por kjo vlen edhe për kolosë të tjerë të letërsisë shqipe, në mesin e të cilëve bën pjesë dhe Faik Konica, autori që shkëlqeu me prozat e papërsëritshme poetike, me prozat narrative, me polemikat e rralla, me esetë dhe me shkrimet brilante publicistike mbi gjuhën, kulturën dhe përgjithësisht mbi çështjen shqiptare. Megjithatë, disa studiues, në vend se të zbardhin të vërtetat e ekskomunikimit  gjysëmshekullor të veprës së tij me direktiva staliniste, e ngatërruan atë me vese të zakonshme njerëzore, prej të cilave nuk është imun asnjë njeri i vetëm në rruzullin tokësor, përfshirë këtu dhe kolosët e letërsisë botërore. Pjesa e qytetëruar e botës ka ndarë prej shekujsh krijimtarinë nga jeta private e autorëve, kurse ne vazhdojmë t’i kundrojmë bashkas, duke u hyrë në hak veprave për shkak të elementeve jashtëletrare e jashtëkulturore, që të tjerët i kanë lënë në duart e atyre që kanë qejf të argëtojnë publikun me hujet e krijuesve, për të cilët Lasgushi thoshte se: në jetën private edhe ata hanë, pinë, shahen, zihen…, si gjithë të tjerët.

Ajo që befason lexuesin kur janë në pyetje krijuesit e ekskomunikuar gjatë kohës së monizmit, gjithsesi ka të bëjë me kritikat e pambështetura në argumente bindëse, sepse gjithë ata që përqendrohen jo në shkrimet po në raportet dhe zënkat e Konicës me bashkëkohësit, i kanë mësuar të vërtetat nga shkrimet e tij, në të cilat nuk e kurseu kurrë veten: Jam munduar kurdoherë të bëj më të mirën; se i kam shërbyer Popullit me sa kam mundur; se s’kam hezituar kurrë në mes të detyrës e t’interesës; dhe në kam bërë lajthime, nuk i kam bërë me të dashur, po jam gënjyer nga rasti. Në sy të Perëndisë, mund të mos jem as engjëll as djall, po një njeri me vullnet të mirë. Sa Shqiptarë vallë hyjnë në këtë kategori?

Nisur nga kjo, dua të besoj se edhe kritikuesit e Konicës, Fishtës, Koliqit… përsëritën padashur “mëkatet” e Enciklopedisë së gjallë shqiptare dhe nuk e bënë këtë për të justifikuar heshtjen gjatë kohës kur nuk guxuan ta thonë një fjalë në mbrojtje të “armiqve të popullit”. Në këtë pikë më të pakujdesshëm u treguan disa emra krijuesish që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, sepse ata nuk i detyroi askush ta heshtin të vërtetën që dëmtoi rëndë letërsinë shqipe. Sidoqoftë, 2-3 qëndrimet e mëposhtme ndaj “mëkateve” të Konicës le t’i gjykojnë vetë lexuesit.

Në librin “Migjeni uragani i ndërprerë”, I. Kadare e qorton Konicën pse tallej mizorisht me vendin e vet, pse ironizonte e qeshte me vendin e tij, pse shkroi kundër popullit të tij, të cilin e quajti zullu…? Nga pjesa më e madhe e veprës së tij, thotë ai, lexuesi kishte përshtypjen se vinte një tallje therrëse: shikoni shqiptarët, duket sikur thoshte në ato faqe plagosëse, shikoini këta donkishotë të trullosur, kanë krijuar shtetin e tyre e s’dinë ç’të bëjnë me te!

Në studimin për jetën dhe veprën e Asdrenit, R. Qosja thotë se Konica ishte i sojit të ayre që shumë më tepër ndjejnë kënaqësi kur rrënojnë se sa kur ndërtojnë. Me këto qëndrime ai e bëntë shpejt “Albaninë” fushë beteje në të cilën shqiptarët do të nxjerrin shpatat jo vetëm mbi pushtuesin dhe armiqtë e jashtëm, por edhe mbi shoqishoqin… Ndërkaq, në parathenien e monografisë së J. Kastratitit kushtuar Konicës, akademiku i shquar thotë: Konica është kritiku i parë shqiptar…, por megjithatë, nuk mund të zërë  vend të lartë në historinë e kritikës shqiptare… Konica ishte intelektual me horizonte botërore, po ishte intelektual i mbilavdëruar… Ai është figurë letrare… i liruar prej folklorizmit, ai thyen shablone, po nuk hyn ndër krijuesit e mëdhenj të letërsisë shqipe…

Në monografinë mbi jetën dhe veprën e Çajupit, profesor M. Hysa thotë: Albania u bë tribunë e politikës austro-hungareze, e ambicjeve të saja ndaj Shqipërisë, ndërsa Faik Konica mbetet njëri ndër itelektualët më kontradiktorë, më të luhatshëm, më cinikë e kapriciozë, që ka njohur kjo periudhë e Lëvizjes Kombëtare…

Shumë më ashpër se kaq e kanë sulmuar bashkëkohësit e tij, sepse Konica vërtet qe i pamatur në disa raste, por pati të drejtë në shumë gjëra. Për shumëkë ai dukej i çuditshëm dhe i pazakonshëm, sepse u rrit dhe u formua jashtë adheut, sepse njohu majat e letërsisë, kulturës e qytetërimit evropian, sepse kishte informacion të dorës së parë rreth dioptrisë me të cilën na shikonte bota…

Këtë më së miri e qartësoi Arshi Pipa, i cili, pasi e pranoi se Konica nuk qe shembull mase e drejtësie, shtoi: Mos të ngutemi me thanë se ai bani keq. Të kujtojmë pak se me ç’njerëz, me ç’koka pati punë. Nërmjet “anadollakëvet” e “sharlatanëvet” ai ishte nji fenomen anakronik. Kujt me i fol për art, “anadollakut në mësallë”? Çdo njeri qi dinte me shkarravitë dy harfe shqip na mbahej për reformator gjuhe! E atëherë aj u-idhnue e drodh kamxhikun e satirës… Dhe në se gjejmë ma të madhin opërfaqësues të gegnis te Fishta, ndeshim kulmin e faqes tjetër jo te Naimi, jo të Noli, por të Konica.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.