Kërçova në vitin 2023 e theu rekordin e numrit të qytetarëve të kafshuar nga qentë, pagoi 97.000 euro për dëmshpërblime

Problemi me qentë endacakë edhe gjatë vitit 2023 për Kërçovën ishte sfidues dhe serioz. Nga paratë e qytetarëve, komuna këtë vit për dëmshpërblime për personat e kafshuar ka paguar rreth 97 mijë euro, ndërkaq së bashku me vitin 2022 shuma e këtyre dëmshpërblimeve është 207 mijë euro.  Në ndërkohë autoritet lokale ende nuk kanë zgjidhje për të ndërtuar një strehimore, shkruan Portalb.mk.

Problemi me qentë endacakë vazhdon të jetë shqetësues me thuajse të gjitha komunat e RMV-së. Moszgjidhja e problemit, përveç pasigurisë, prodhon edhe efekt negativ financiar ndaj buxheteve të komunave, pasi që ata detyrohen t’u paguajnë dëmshpërblim qytetarëve që kafshohen nga qentë.

Komuna e Kërçovës, e cila në vitin 2020 kishte fituar një grant prej 300 mijë eurosh, planifikonte me ato para të ndërtonte një strehimore për qentë endacakë mirëpo për shkak se komuna nuk ka pronë për këtë projekt, strehimorja nuk u ndërtua. Komuna gjithashtu i kishte kërkuar komunës së Makedonski Brodit, një parcelë mirëpo për Portalb.mk nga Komuna e Makedonski Brodit thanë se aktualisht nuk kanë mundësi për ta bërë atë.

Në lidhje me atë se a kanë gjetur vend për ndërtimin e strehimores, për Portalb.mk nga komuna thanë se ende nuk kanë gjetur.

“Komuna e Kërçovës ende nuk ka gjetur vend për projektin e ndërtimit të një strehimore për qentë endacakë, është në përpjekje të vazhdueshme për të gjetur një vend, por, pavarësisht kësaj, Komuna e Kërçovës çdo vit përgatit dhe realizon program me të cilin kryejmë grumbullimin dhe sterilizimin/kastrimin dhe vaksinimin e qenve endacakë”, thanë nga Komuna e Kërçovës.

Edhe pse Komuna e Kërçovës thotë se çdo vit  bën sterilizimin e qenve endacakë, kjo nuk e ka ndaluar rritjen e numrave të personave të  kafshuar nga qentë endacakë.

Numri i personave të kafshuar nga qentë endacakë  është rritur konsiderueshëm për këto 3 vitet e fundit, gjegjësisht për vitet 2021, 2022 dhe 2023.

Të dhënat e siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme tregojnë se për vitin 2023 ka pasur 246 raste të personave të kafshuar nga qentë endacak.

Që nga viti 2015 deri në vitin 2023 numri i të kafshuarve nga qentë endacakë është për shtatë herë më i lartë. Në vitin 2015  janë regjistruar vetëm 31 raste të kafshimeve nga qentë endacakë.

Ndërkaq, të dhënat që Portalb.mk i siguroi në gusht të këtij viti tregojnë se deri atëherë kishte vetëm 155 raste të personave të kafshuar. Për këto katër muaj ky numër është rritur për 80.

 

Persona të kafshuar nga qentë endacakë në Komunën e Kërçovës 2015- 2023, Infografik nga Portalb.mk
Persona të kafshuar nga qentë endacakë në Komunën e Kërçovës 2015- 2023, Infografik nga Portalb.mk

Duke mos gjetur zgjidhje për problemin e qenve endacakë, komuna dëmtohet nga shuma e parave që i jep për dëmshpërblime për personat e kafshuar.

Vetëm për vitin 2023 Komuna e Kërçovës ka harxhuar rreth 6 milion denarë apo 97 mijë euro për dëmshpërblime për personat e kafshuar nga qentë endacakë. Ndërkaq, në vitin 2022 Komuna e Kërçovës ka harxhuar 110 mijë euro për dëmshpërblime. Domethënë që Komuna e Kërçovës për këto dy vitet e fundit ka harxhuar 207 mijë euro.

Sipas analizës së OJQ-së Infocenter, Kumanova e cila ka mbi 100 mijë banorë për 4 vite e gjysmë ka paguar 36 mijë euro për dëmshpërblime për personat e kafshuar nga qentë endacak. Që nëse e krahasojmë me qytetin e Kërçovës i cili ka më pak se 40 mijë banorë, shuma e parave që komuna e Kërçovës ka harxhuar për 2 vite është 5 herë më e madhe se shuma që Kumanova ka paguar për më shumë se katër vite.

Strehimorja për qentë endacakë në Kërçovë e cila u premtua dhe nuk u realizua

Në vitin 2020, Komuna e Kërçovës ka marrë një grant prej 300 mijë eurove për ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacak. Strehimorja duhej të ndërtohej deri në vitin 2021 por ajo nuk u ndërtua.

Në janar të vitit 2023 kryetari i Komunës, Fatmir Dehari u shpreh se është takuar me kryetarin e komunës së Makedonski Brodit dhe janë dakorduar për ndërtimin e një strehimore të përbashkët.

Në shtator të vitit 2023, nga Komuna e Kërçovës për Portalb.mk thanë separatë që u morën nga programi i kompanisë TAV për investime në infrastrukturë  për ndërtimin e strehimores për qentë janë harxhuar në dy projekte tjera për shkak se Komuna e Kërçovës nuk ka pronë shtetërore për ndërtimin e strehimores. Ata gjithashtu informuan se janë në bisedime me Komunën e Makedonski Brod-it që ata të sigurojnë tokë për ndërtimin e strehimores.

Në tetor të vitit 2023, komuna e Makedonski Brodit thanë se ata për momentin nuk kanë parcelë e cila i plotëson të gjitha standardet dhe se nuk mund t’i mundësojnë Kërçovës parcelë për  strehimore.

Kërçova me vite ballafaqohet me problemin e qenve endacakë, madje nga kafshimi i tyre ka pësuar një fëmijë 4 vjeçar. Mospasja e kushteve adekuate për menaxhimin e situatës me qentë endacakë ekziston edhe në komuna të tjera të Maqedonisë së Veriut kryesisht të banuara me shqiptarë.