Mosrespektimi i rregullave shkaktoi vdekjen e një punëtori në Ohër, Prokuroria ngriti aktakuzë

Prokuroria Themelore Publike në Ohër ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave fizikë dhe dy personave juridikë për vepra penale që lidhen me rrezikimin e sigurisë së përgjithshme, shkeljen e të drejtave nga marrëdhënia e punës dhe mosmarrjen e masave për mbrojtje gjatë punës, transmeton Portalb.mk.

I akuzuari i parë, person përgjegjës në njërën prej kompanive të akuzuara, nuk kishte respektuar rregullat teknike për masat e mbrojtjes, të përcaktuara me Ligjin për Ndërtim, duke rrezikuar jetën e njerëzve. Ai, në cilësinë e investitorit, po ndërtonte një ndërtesë, por nuk kishte marrë masat e nevojshme të sigurisë. Pusetën e ashensorit nuk e kishte siguruar me rrethojë mbrojtëse, kantierin nuk e kishte mirëmbajtur dhe pastruar nga mbeturinat, hyrjen në ndërtesë nuk e kishte siguruar nga personat e paautorizuar, ndërsa në shkallë nuk kishte vendosur parmakë për të parandaluar rrëzimet.

Më 12 janar, në orët e mëngjesit, në ndërtesë kishin hyrë katër punëtorë të angazhuar nga kompania e dytë e akuzuar, të cilët së bashku po bartnin një pjesë të mobilieve. Kur arritën në katin e katërt të ndërtesës në ndërtim, njëri prej punëtorëve u pengua me këmbë në një kovë të lënë në korridor, humbi ekuilibrin dhe ra në hapësirën e pusit të ashensorit, deri në katin e bodrumit. Nga rënia pësoi lëndime shumë të rënda trupore dhe vdiq në vendngjarje.

Në aktakuzë është përfshirë edhe kompania që i kishte angazhuar punëtorët, si dhe drejtuesi i saj, pasi me vetëdije nuk kishin respektuar Ligjin për Marrëdhëniet e Punës dhe masat për mbrojtje gjatë punës.

Punëtori i ndjerë, Kristian Ljushev, ishte angazhuar pa kontratë pune, në një marrëdhënie pune tërësisht të padeklaruar. Të akuzuarit e kishin lejuar atë të kryente detyrat e ndihmës-montuesit pa ndjekur trajnimin bazë për sigurinë dhe shëndetin në punë, pa iu nënshtruar kontrollit mjekësor dhe pa marrë udhëzime për punën në kushte specifike dhe me rrezik të lartë për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.

Pa bërë inspektimin dhe vlerësimin e mjedisit të punës, punëtorët kishin punuar në bazë të një urdhri verbal nga drejtuesi i kompanisë, në një hapësirë pune – ndërtesë në ndërtim, ku ekzistonte rrezik i shtuar për sigurinë e tyre. Me mosrespektimin e rregullave për masat mbrojtëse, i akuzuari e kishte ekspozuar punëtorin ndaj rrezikut dhe kishte shkaktuar rrezik për jetën e tij.

Me qëllim të parandalimit të ndryshimeve statusore dhe tjetërsimit të pasurisë së personave juridikë gjatë procedurës, prokurori publik i ka dorëzuar Gjykatës Themelore në Ohër edhe propozim për caktimin e një mase sigurie – ndalimin e ndryshimeve statusore në të dy kompanitë e akuzuara.