Eksperti i Ristovit kontestoi ADN-në e gjetur në 350.000 eurot e fshehura në mur

Eksperti i angazhuar nga ish-gjyqtari i akuzuar, Gjoko Ristov, të cilit prokurorja për krim të organizuar, Iskra Haxhi Vasileva, ia zbuloi dhe ia nxori 350.000 euro nga muri i shtëpisë familjare në Negotinë, në seancën e sotme në Gjykatën Penale në Shkup vuri në dyshim pastërtinë e provave – foliave dhe letrave me të cilat ishin mbështjellë, numëruar dhe regjistruar grumbujt e parave të gjetura, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, provat kryesore kundër Ristovit, përkatësisht ADN-ja e tij e gjetur në para, janë kontaminuar nga hetuesit, njëri prej të cilëve kishte pasur dorezë të shqyer.

“Nuk vërehet që secila foli është fotografuar nga të gjitha anët, nuk janë dokumentuar palosjet e saj, pozicioni i jashtëm dhe i brendshëm i tufës. Kemi foli alumini që nuk janë të shënuara dhe që prekin sipërfaqen e dyshemesë, e cila nuk është e mbrojtur për ekspertizë forenzike. Doreza e dëmtuar krijon mundësi për kontaminim. Ishte e rëndësishme të përcaktohej nëse dorezat e policëve ishin ndërruar dhe nëse kishte procesverbal që dokumentonte se me cilat prova kishte punuar polici që kishte dorezën e shqyer”, ishin vërejtjet e kriminalistit Kozarev.

Sipas tij, çdo gjurmë duhet të ketë shenjën e vet identifikuese. Ai tha se kishte foli alumini që nuk ishin shënuar fare dhe që preknin sipërfaqen e dyshemesë në dhomën që nuk ishte e mbrojtur për ekspertizë forenzike.

“Në të njëjtën sipërfaqe kartoni kishte disa tufa me kartëmonedha dhe pjesë të tëra të foliave të aluminit. Kjo vërteton se zinxhiri i ruajtjes së provave është komprometuar. Kjo tregon ‘mungesë ndjeshmërie dhe njohurish’”, deklaroi eksperti i angazhuar nga i akuzuari Ristov.

Më pas, ai i tregonte Kozarevit fotografi të tufave të eurove të gjetura dhe e pyeste se sa foli kishte jashtë kutisë së kartonit ku ishin vendosur tufat.

Kozarev tha se kishte numëruar pesë të tilla. Ai deklaroi se materiali provues ishte mbrojtur dhe se ekzistonte rrezik real për bartjen dhe përzierjen e ADN-së.

Prokurorja Haxhi Vasileva e pyeti ekspertin nëse kishte arsimim në shkencat natyrore dhe teknike.

Eksperti Kozarev fillimisht u përgjigj se ishte kriminalist, ndërsa më pas tha se nuk kishte arsimim në shkencat natyrore.

Ajo shtoi se ai nuk kishte kryer ekspertizë, por kishte dhënë përfundime dhe mendime për mënyrën se si kishin vepruar policët.

“Kjo nuk mund të jetë objekt i ekspertizës!”, kundërshtoi Haxhi Vasileva.

Ajo shfaqi një video që tregonte mënyrën se si kishte vepruar policia italiane gjatë zbulimit të parave të fshehura në një mur, ku disa nga zyrtarët mbanin doreza, ndërsa të tjerët jo.

Procesi gjyqësor kundër këtij gjyqtari, në shtëpinë familjare të të cilit në Negotinë Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion gjeti të fshehura në mur 350.000 euro të padeklaruara, filloi më 28 maj në Gjykatën Penale të Shkupit dhe ende është në fazën e procedurës së provave.

Shuma e madhe e eurove në kartëmonedha të mëdha në shtëpinë familjare të Ristovëve u zbulua pasi më herët ishte kapur avokati Fehmi Stafa duke marrë 50.000 euro, për të cilat gjatë hetimit kishte deklaruar se ishin për Ristovin.