Rreth 23 milionë euro është çmimi fillestar me të cilin do të shitet Alta Banka Manastir në ankandin e Bursës më 30 nëntor. Ky çmim mund të nxirret nga njoftimi i Bankës Popullore sipas të cilit në shitje është paketa dominante e aksioneve me 372.742 aksione të zakonshme, gjegjësisht 95,336% e numrit të përgjithshëm të aksioneve me çmim prej 3.777 denarë për aksion, shkruan Kolegium, transmeton Portalb.mk.
Shitja do të realizohet përmes Bursës së Maqedonisë për Letra me Vlerë, sipas modelit “gjithçka ose asgjë”, që do të thotë se shitet e gjithë paketa e ofruar e aksioneve, pa mundësi për blerjen e vetëm një pjese të aksioneve. Nëse nuk shitet që në herën e parë, për shitje janë ofruar gjithsej pesë mundësi, me ç’rast secila e radhës do të jetë për 10 përqind më e lirë.
“Procedura është pjesë e aktiviteteve të drejtuara drejt sigurimit të pronarit të ri të Bankës, krijimit të kushteve për punën e mëtejshme të saj dhe ruajtjes së interesave të kursimtarëve dhe klientëve të tjerë”, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.
E përderisa Alta Banka Manastir po pret pronar të ri, gjegjësisht blerës, Kolegium verifikoi se kush janë pronarët e dymbëdhjetë bankave që punojnë në vend.
Çfarë kapitali kanë bankat e Maqedonisë?
Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se kapitali kryesor në të paktën nëntë nga 12 bankat në Maqedoni vjen nga Bullgaria, Sllovenia, Greqia, Austria, Gjermania, Turqia dhe Serbia.
Interes më të madh për “kulaçin” bankar në vend tregojnë aksionarët bullgarë. Ata kanë pjesëmarrje shumicë në tre banka, edhe atë në M Banka, UNI Banka dhe në Bankën Kooperative Qendrore. Në gjashtë të tjerat aksionarët shumicë janë nga një nga vendet e tjera të përmendura.

Pas M Bankës qëndron grupacion bullgar me biznese në financa, pasuri të patundshme dhe energjetikë
Sipas të dhënave të Bankës Popullore pronar i M-Banka, ish Kapital Banka, është Alfa Finance Holding SA Sofia, grupacion që posedon 99,33 përqind të aksioneve. Aksionari shumicë në M Banka, ish Kapital Banka, është “Alfa Finance Holding” nga Sofja.
Aksionari më i madh në holdingun bullgar është sipërmarrësi dhe botuesi Ivo Prokopiev, i cili paraqitet edhe si drejtor ekzekutiv. Sipas bazës afariste bullgare UIC.bg Prokopiev posedon rreth gjysmën e kapitalit të holdingut, ndërsa partnerët e tij në biznes, Ivan Nenkov dhe Konstantin Nenov, kanë nga një të katërtën. Prokopiev është edhe botues mediatik. Nenkov e ka udhëhequr aktivitetin financiar të grupacionit dhe ka qenë kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Kapital Bankës në Maqedoni në vitin 2016. Nenov, i cili për 14 vjet ka qenë drejtor ekzekutiv i holdingut, sot listohet si drejtor menaxhues i grupacionit të tyre energjetik “Renalfa Solarpro”.
Sipas të dhënave të publikuara nga vetë holdingu, ekipi i tij ka punuar në projekte investimi në vendet e BE-së, Maqedoni, Serbi, Turqi dhe Ukrainë, si dhe në Azinë Juglindore. Nga kompania thonë se ndër vite mjetet nën menaxhim të grupacionit i kanë kaluar dy miliardë levë bullgare (rreth një miliard euro), ndërsa numri i të punësuarve është mbi 3.400. Sipas regjistrave bullgarë kapitali themelues i holdingut është 3,5 milionë euro.
Në mediat bullgare mund të gjenden shkrime për dy procedura penale dhe gjyqësore që janë zhvilluar ndaj pronarëve të holdingut. Procedura e parë kundër Prokopievit, Nenkovit dhe Nenovit ishte për akuzë të ngritur në vitin 2013 për pastrim parash lidhur me privatizimin e kompanisë “Kaolin” në vitin 2001. Prokuroria ka pretenduar se si anëtarë të udhëheqjes së asaj shoqërie në vitin 2012 këta të tre kishin pastruar para nga shitja e “Kaolin” kompanisë gjermane “Quarzwerke”. Në vitin 2021 Gjykata e Apelit e Sofjes e konfirmoi në mënyrë të formës së prerë ndërprerjen e procedurës, me përfundimin se nuk ishte kryer vepër penale, thuhet në shkrimin e servisit bullgar të Radios Evropa e Lirë.
Pronarët e holdingut gjatë procedurës kishin komentuar publikisht se akuza kundër tyre ishte “veprim i paturpshëm i prokurorisë bullgare, me të cilin shkilet rëndë ligjshmëria në Bullgari”.
“Roli i prokurorisë shtetërore është reduktuar vetëm në një instrument për represion kundër figurave publike të papërshtatshme dhe ushtrim të presionit ndaj mediave të pavarura”, thuhet në një nga komunikatat e tyre.
Procedura e dytë e veçantë e përfshin Prokopievin, dy ish-ministra bullgarë dhe tre përfaqësues të “Bulbrokers” të cilët u akuzuan në lidhje me shitjen e pjesës së mbetur shtetërore prej 33% në kompaninë elektrodistributive. “Bulbrokers” ka qenë ndërmjetës në transaksion. Aktgjykimet liruese u bënë të formës së prerë në vitin 2021.
“Alfa Finance Holding” hyri në tregun bankar në Maqedoni në muajin tetor të vitit 2007, kur bleu 98,29 përqind të kapitalit të Bankës Private Internacionale ShA Shkup. Më 31 tetor të vitit 2007 media bullgare Mediapool publikoi se holdingu ka njoftuar për përfundimin e marrëveshjes. Të njëjtin vit banka mori emrin Kapital Banka, ndërsa në muajin maj të vitit 2026 u riemërua në M Banka.
UNI Banka, banka e vetme me persona fizikë që posedojnë dy të tretat e aksioneve
Ivajllo Mutafçiev dhe Ceko Minev janë personat e vetëm fizikë që posedojnë pjesëmarrje shumicë prej gjithsej 72,9 përqind të aksioneve në bankë në Maqedoni, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore. Këta biznesmenë hynë në UNI Banka në vitin 2003, kur e blenë Bankën Ballkanike.
UNI Banka është themeluar në vitin 1993 si Banka Ballkanike, me kapital nga persona juridikë dhe fizikë vendas dhe të huaj. Sipas të dhënave nga Banka Botërore në vitin 2003 e blenë pronarët e Bankës së Parë Investuese bullgare, e njohur si Fibank. Në vitin 2004 banka e mori emrin Banka Universale Investuese. Në strukturën aksionare Mutafçiev dhe Minev janë të shënuar si aksionarë të drejtpërdrejtë, me nga 36,45 përqind të aksioneve të zakonshme secili.

Mutafçiev dhe Minev janë partnerë biznesi për një kohë të gjatë, shkruajnë mediat bullgare. Para se të hynin në sektorin bankar bashkë e kanë udhëhequr Shoqërinë brokere bullgare First Financial Brokerage House. Më 8 tetor të vitit 1993 ata e kanë themeluar Bankën e Parë Investuese në Sofje. Sipas strukturës aksionare të publikuar në faqen bullgare të Fibank, Minev ka 32,17 përqind, ndërsa Mutafçiev 32,16 përqind, ose 64,33 përqind së bashku. Banka Bullgare për Zhvillim posedon 18,16 përqind të aksioneve.
Në Shqipëri prania e tyre bankare është e organizuar përmes Fibank, e cila posedon 100 përqind të bankës së atjeshme. Këto janë dy struktura të ndryshme pronësie pas të njëjtëve partnerë në biznes.
Sipas të dhënave publike në vitin 2014 Bullgaria i ka siguruar bankës (Fibank) një injeksion financiar përmes një depozite shtetërore prej 1,2 miliardë levë. Ministria e Financave e Bullgarisë atëkohë njoftoi se Komisioni Evropian ka vlerësuar se masat kanë qenë në përputhje me rregullat e BE-së për ndihmë shtetërore.
Njëri nga pronarët, Minev, ka rol edhe në sportin bullgar. Federata Ndërkombëtare e Skijimit (FIS) e liston atë si kryetar të Federatës Bullgare të Skijimit që nga viti 2003 dhe si një nga njerëzit që qëndrojnë pas zhvillimit të qendrës së skijimit Bansko. Në vitin 2021 ai është zgjedhur anëtar i Këshillit të FIS.
Çfarë do të fitonin nga shitja në Shkup
Në njoftimin drejtuar Bursës së Maqedonisë në datën 10 shtator të vitit 2026, Minev dhe Mutafçiev emërtohen si shitës të 397.988 aksioneve të zakonshme. Sipas çmimit të njoftuar prej 126 euro për aksion, çdo paketë do të vlente rreth 25,15 milionë euro, ose 50,3 milionë euro së bashku. Numri i aksioneve të tyre është edhe pragu minimal për suksesin e ofertës, e cila është shpallur për të gjitha aksionet e zakonshme të UNI Bankës.
Nga Sofja në Lihtenshtajn, kush qëndron pas kapitalit bullgar në Bankën Kooperative Qendrore në Shkup
Kapitali bullgar hyri në Sileks Bankën e mëparshme në vitin 2007, kur Banka Kooperative Qendrore nga Sofja bleu 15,4 përqind të aksioneve. Në shkurt të vitit 2008 banka e Sofjes e rriti pjesëmarrjen në 75,51 përqind, ndërsa po atë vit banka në Shkup e mori emrin Banka Kooperative Qendrore. BKQ e Sofjes dhe Grupacioni BKQ së bashku posedojnë pothuajse 92 përqind të numrit të përgjithshëm të aksioneve.
“Banka Kooperative Qendrore ShA Sofje është bankë tregtare universale, e cila i përket strukturës financiare të BKQ Grup EAD. Aksionari kryesor i bankës është Himimport ShA, i cili drejtpërdrejt ose përmes personave të lidhur kontrollon mbi 70% të votave të aksionarëve të BKQ ShA Sofje”, thuhet në përshkrimin e strukturës së pronësisë në faqen e BKQ të Sofjes.
Baza e të dhënave bullgare finans.bg tregon se në Himimport, e cila u themelua në vitet ’90, pronar shumicë është holdingu i cili është i regjistruar në Lihtenshtajn. Gjurma e pronësisë çon në një shoqëri të regjistruar në Lihtenshtajn, e cila sipas regjistrit bullgar nga viti 2024 posedon 98 përqind të “Invest Kapital”, aksionarit shumicë në “Himimport”.
“Himimport”, të cilin Banka Kooperative Qendrore Shkup e citon si kompaninë e saj përfundimtare amë, u gjend në fokusin e hulumtimit të servisit bullgar të Radios Evropa e Lirë në vitin 2024. Sipas REL, qeveria e përkohshme bullgare pak para zgjedhjeve parlamentare ka miratuar 30 milionë levë për përfundimin e stadiumit “Çerno More” në Varna. Mjetet janë miratuar për një shoqëri në të cilën aksionarë janë Komuna e Varnës dhe “Himimport”.
Kush qëndron pas Silk Bankës
Silk Road Bank është tërësisht në pronësi të shoqërisë zviceriane Silk Road Capital AG. Ky grupacion zvicerian hyri në tregun në Maqedoni në maj të vitit 2016, kur i bleu të gjitha aksionet në Alpha Bank Shkup nga banka e saj amë greke.
“Në shtator të vitit 2024 Banka e themeloi shoqërinë për shërbime ndihmëse bankare dhe menaxhim me pasuri të patundshme Alpine Properties ShPKNjP Shkup në të cilën Banka është pronare e vetme dhe ushtron ndikim dominues,” thuhet në raportin e Silk Road për vitin 2025.
Në njoftimin për shitje Alpha Bank greke ka deklaruar se pas shoqërisë qëndron investitor privat zvicerian me përvojë në sektorin bankar rajonal, por pa e publikuar emrin e tij.
“Blerësi është kompani në pronësi të një investitori privat zvicerian i cili është aktiv në sektorin bankar të Evropës Qendrore dhe Juglindore që nga viti 2001. Transaksioni është kapitalisht neutral për Bankën dhe kontribuon në zbatimin e Planit të saj të ristrukturimit”, thuhet në njoftimin e shkurtër të ish-Alpha Bankës.
Banka në Shkup u themelua në vitin 1993 si Banka Kreditore. Alpha Banka greke fitoi pjesëmarrje shumicë në vitin 2000, ndërsa në vitin 2002 u bë aksionare e vetme. Pas shitjes në vitin 2016 banka e mori emrin Silk Road Bank.
Sipas të dhënave të disponueshme publikisht regjistrimi i Silk Road Capital AG në regjistrin tregtar zvicerian u publikua më 13 tetor të vitit 2015, gati shtatë muaj para se të përfundonte shitblerja e Alpha Bank Shkup.
“Sigurimi i pjesëmarrjeve në banka dhe shoqëri financiare në Zvicër dhe jashtë vendit, menaxhimi me pronë dhe pasuri të patundshme dhe ofrimi i shërbimeve të lidhura me ato veprimtari”, është shënuar në aktin e themelimit.
Sipas hulumtimit gazetaresk të BIRN/Prizma, fondi zvicerian Silk Road Capital AG është themeluar me 1.000 të ashtuquajtura aksione me vlerë nominale prej nga 100 franga zviceriane. Të dhënat nga regjistri zyrtar i kompanive në Zvicër në të cilat kishte qasje BIRN në vitin 2016 tregonin se si kryetar i Këshillit Drejtues qëndronte zvicerani me origjinë pakistaneze, Anisur Rehman Khan.
NLB, nga banka e industrisë së duhanit në pjesë të Grupacionit slloven NLB
Grupacioni slloven NLB hyri në tregun bankar në Maqedoni në vitin 2000, kur Tutunska Banka e atëhershme u bë pjesë e grupacionit. Historia e saj i ka rrënjët në vitin 1985, gjegjësisht kur NLB Banka e sotme në Shkup filloi si “Jugotutun Banka”, bankë interne e industrisë së duhanit. Në vitin 1993 ajo u transformua në bankë komerciale universale nën emrin Tutunska Banka ShA Shkup, me çka filloi të ofrojë shërbime bankare edhe jashtë industrisë nga e cila buronte.
Deri në fund të vitit 1999 aktiva e saj arriti në 56 milionë euro.
Grupacioni slloven NLB në Tutunska Banka hyri në vitin 2000. Po atë vit banka prezantoi qarkullimin e brendshëm të pagesave, ndërsa aktiva e saj arriti në 100 milionë euro. Në vitin 2006 u riemërua në NLB Tutunska Banka. Raporti vjetor për vitin 2009 tregon se në atë periudhë Nova Ljubljanska Banka dhe NLB InterFinanz nga Cyrihu së bashku mbanin 86,97 përqind të kapitalit. Në raportin për vitin 2012 e njëjta përqindje tashmë është shënuar si pjesëmarrje e Nova Ljubljanska Banka.
Sipas raportit vjetor të bankës së Shkupit për vitin 2024 Nova Ljubljanska Banka ShA Lubjanë kontrollon 86,97 përqind të aksioneve me të drejtë vote në NLB Banka Shkup. Banka amë është shoqëri aksionare e listuar në bursë, aksionet e së cilës kuotohen në Lubjanë, ndërsa në Londër me to tregtohet përmes certifikatave depozitare.
Aksionari më i madh individual në Nova Ljubljanska Banka është shteti i Sllovenisë, i cili më 30 shtator të vitit 2026 kishte 25 përqind plus një aksion. Kështu, pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë shumicë në bankën në Shkup e mban NLB Lubjana, ndërsa shteti i Sllovenisë merr pjesë në pronësi përmes pjesëmarrjes së tij pakicë në bankën amë.
Si hyri kapitali shtetëror turk në tregun bankar në Maqedoni përmes Bankës Eksportuese dhe Kreditore
Turkiye Halk Bankasi A.Ş. turke posedon 99,71 përqind të aksioneve në Halkbank ShA Shkup. Pas bankës amë qëndron Fondi Shtetëror Turk i Investimeve (Turkiye Varlik Fonu), i cili ka 91,49 përqind të kapitalit dhe po aq pjesëmarrje në të drejtat e votës në Halkbank turke.
Aksionar i drejtpërdrejtë në Shkup është banka turke, ndërsa fondi e ushtron kontrollin e tij përmes saj.
Banka në Shkup ka filluar me punë në vitin 1993 si Banka Eksportuese dhe Kreditore. Halkbank e Turqisë ka hyrë në pronësinë e saj në vitin 2011 kur e bleu paketën shumicë nga Demir-Halk Bank (Nederland) N.V. Sipas raportit vjetor të Komisionit të Letrave me Vlerë, miratimi i referohej fitimit të 91,56 përqind të aksioneve. Deri në fund të vitit 2012 banka amë tashmë paraqiste pjesëmarrje prej 98,78 përqind në Halkbank Shkup.
Një vit pas hyrjes së Halkbank turke pasoi edhe një blerje tjetër. Më 1 tetor të vitit 2012 Halkbank Shkup e mori Ziraat Bankën ShA Shkup, në të cilën paketën kontrolluese e mbante T.C. Ziraat Bankası turke. Me këtë në Halkbank kaluan aktiva, detyrimet, filialet dhe të punësuarit e Ziraat Bankës.
Në këtë mënyrë Halkbank e zgjeroi praninë e saj në tregun në Maqedoni përmes dy blerjeve të njëpasnjëshme.
Procedura amerikane kundër bankës amë në Turqi
Këtë vit më 17 korrik një gjykatës federal e hodhi poshtë kallzimin penal të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-ve kundër Halkbank (banka amë në Stamboll – HALKB.IS) pasi administrata e presidentit Donald Trump arriti marrëveshje me huadhënësin shtetëror turk, duke i dhënë fund procesit gjyqësor të filluar në vitin 2019, njofton agjencia e lajmeve Reuters.
Pas këtij njoftimi aksionet e bankës në Bursën e Stambollit u rritën për madje 8,4% pasi gjykatësi federal i qarkut, Richard Berman, deklaroi se e kishte aprovuar kërkesën e prokurorëve federalë për ndërprerje të lëndës. Marrëveshja u njoftua në muajin mars, por për zbatimin e saj nevojitej miratim nga gjykatësi.
Halkbank u akuzua gjatë mandatit të parë të Trumpit se e kishte ndihmuar Iranin t’i shmangte sanksionet ekonomike amerikane. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dikur e quajti rastin jozyrtar dhe “të shëmtuar”. Megjithatë, pas kthimit të Trumpit në postin presidencial vitin e kaluar të dyja vendet kanë marrëdhëniet dypalëshe më të mira në disa dekadat e fundit.
“Rasti penal kundër bankës tonë që me vite zhvillohej në Shtetet e Bashkuara është mbyllur përfundimisht dhe përgjithmonë”, njoftuan nga Halkbank. Drejtori ekzekutiv i Halkbank, Rexhep Sulejman Ozdil, deklaroi se banka pret përmirësim të mundësive për qasje në mjete të huaja.
Prokurorët amerikanë e akuzuan Halkbank për transferim sekret të 20 miliardë dollarëve nga mjetet e kufizuara, konvertim të të ardhurave nga nafta në ar dhe para të gatshme në dobi të interesave iraniane, si dhe për dokumentim të dërgesave të rreme të ushqimit për t’i arsyetuar transferet e të ardhurave nga nafta. Marrëveshja u njoftua pas fillimit të luftës në Iran në muajin shkurt.
Halkbank u deklarua e pafajshme në këtë rast. Në seancën gjyqësore në muajin mars Berman iu referua një letre që kishte marrë nga një grup përfaqësimi në të cilën kërkohej shpjegim se pse nuk kishte dënim financiar.
Sparkasse hyri përmes Investbankës (IK Banka), u bashkua me Ohridska Bankën dhe tani do të zgjerohet me UNI Bankën
Sektori bankar i Maqedonisë është para njërit prej ndryshimeve më të rëndësishme në vitet e fundit, pasi Grupacioni austriak Steiermärkische Sparkasse zyrtarisht e filloi procedurën për marrjen nën kontroll të UNI Banka ShA Shkup. Procedura filloi në shtator kur u dorëzua zyrtarisht Njoftimi për qëllimin e marrjes nën kontroll të të gjitha aksioneve të zakonshme të regjistruara dhe të lëshuara nga UNI Banka.
“Si një nga grupacionet kryesore bankare në Evropë kemi besim të fortë në sektorin bankar të Maqedonisë dhe në potencialin e tij afatgjatë për rritje. Ky njoftim e konfirmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm ndaj tregut dhe strategjinë tonë për rritje të qëndrueshme. Me këtë hap synojmë ta përforcojmë më tej praninë tonë në Maqedoninë e Veriut dhe ta avancojmë rolin tonë si partner i besueshëm, i qëndrueshëm dhe afatgjatë të qytetarëve, komunitetit afarist dhe ekonomisë në tërësi“, deklaroi Georg Bucher, Kryetar i Këshillit Drejtues të Steiermärkische Sparkasse dhe Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Sparkasse Banka ShA Shkup.
Ky është fillimi i një procesi i cili, nëse i merr miratimet e nevojshme rregullatore, mund ta ndryshojë ndjeshëm shpërndarjen e forcave në sektorin bankar në Maqedoni. Sipas informacioneve të publikuara pas bashkimit të planifikuar banka e përbashkët do të disponojë me aktivë prej rreth tre miliardë euro dhe pjesëmarrje në treg prej përafërsisht 17 përqind. Bursa e Maqedonisë tashmë e vendosi UNI Bankën në listën e vëzhgimit pas publikimit të qëllimit për marrje nën kontroll.
Kompania austriake Steiermärkische Bank und Sparkassen AG nga Graci hyri në tregun në Maqedoni në vitin 2008 kur bleu 99,22 përqind të Investbanka ShA Shkup. Sipas raportit vjetor të Erste Group çmimi i shitblerjes, së bashku me shpenzimet e transaksionit, ka arritur në rreth 38,5 milionë euro.
Në prill të vitit 2010 Banka Popullore dha pëlqimin paraprak që Investbanka ta ndryshojë emrin në Sparkasse Banka Maqedoni. Në të dhënat nga Banka Popullore që i përdoëm banka austriake është shënuar me 99,7 përqind në Sparkasse Banka Shkup.
Aksionari më i madh në bankën austriake është Steiermärkische Verwaltungssparkasse me 73,8 përqind. Sipas vetë bankës qëllimi kryesor i kësaj shoqërie është ta mbajë pjesëmarrjen në të. Erste Bank Austria ka 25 përqind, ndërsa në mesin e aksionarëve janë edhe të punësuarit. Aksionari i drejtpërdrejtë shumicë në Shkup është banka nga Graci. Erste ka pjesëmarrje në bankën amë austriake.
Në shkurt të vitit 2019 banka nga Graci nënshkroi marrëveshje me kompaninë franceze Société Générale për blerjen e paketës së saj prej 74,53 përqind në Ohridska Banka. Më 16 korrik të vitit 2021 përfundoi bashkimi i Ohridska Bankës me Sparkasse Banka Shkup. Sipas raportit vjetor të Sparkasse, me këtë bashkim banka hyri në grupin e bankave të mëdha dhe u rendit në pozitën e katërt në tregun bankar të Maqedonisë.
Hapi i radhës është marrja e paralajmëruar nën kontroll e UNI Bankës. Pas bashkimit të planifikuar grupacioni projekton rreth 3 miliardë euro aktivë dhe rreth 17 përqind pjesëmarrje në treg sipas aktivës në fund të vitit 2027. Këto shifra janë projeksion i blerësit, ndërsa përfundimi i marrjes nën kontroll varet nga miratimet rregullatore.
Nga Bankë ekonomike e Maqedonisë deri në anëtare të NBG-së greke
Banka Kombëtare e Greqisë (National Bank of Greece, NBG) zotëron 94,6 përqind të aksioneve të zakonshme me të drejtë vote në Stopanska Banka SHA Shkup, sipas të dhënave që i publikon banka e Shkupit. Kjo përqindje i referohet aksioneve të zakonshme me të drejtë vote.
Banka Kombëtare e Greqisë (National Bank of Greece, NBG) posedon 94,6 përqind të aksioneve të zakonshme me të drejtë vote në Stopanska Banka ShA Shkup, tregojnë të dhënat që i publikon banka e Shkupit. Kjo përqindje i referohet aksioneve të zakonshme me të drejtë vote.
Stopanska Banka është themeluar më 29 dhjetor të vitit 1944 me vendim të Seancës së dytë të jashtëzakonshme të KAÇKM-së nën emrin Banka Ekonomike e Maqedonisë. Në dekadat që pasuan ajo financoi projekte industriale dhe infrastrukturore, ndër të cilat fabrika, hidrocentrale dhe rrugë.
Privatizimi u zhvillua nga viti 1999 deri në vitin 2000. Më 21 dhjetor të vitit 1999 u nënshkruan marrëveshjet për blerjen dhe regjistrimin e aksioneve me tre investitorë të huaj. Në kuvendin e parë të rregullt të aksionarëve më 5 prill të vitit 2000 u zyrtarizua struktura e re. Banka Kombëtare e Greqisë mori 65 përqind, Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) morën nga 10 përqind secila, ndërsa aksionarët vendas mbajtën 15 përqind, thuhet në uebfaqen e kësaj banke.
Dhjetë vjet më vonë banka greke i bleu edhe paketat e dy investitorëve ndërkombëtarë. Më 17 gusht të vitit 2010 NBG bleu gjithsej 21,6 përqind nga IFC dhe BERZH për 35,1 milionë euro. Sipas njoftimit të atëhershëm të bankës greke me atë transaksion pjesëmarrja e saj u rrit nga 73,04 në 94,64 përqind.
Pak para privatizimit të Stopanska Bankës në vitin 2000 Qeveria barti një pjesë të kërkesave të saj problematike tek Agjencia për Sanimin e Bankave. Sipas dokumentit të Bankës Botërore, bëhej fjalë për kredi të katër debitorëve të mëdhenj me shlyerje të vonuar të fabrikave “Jugohrom”, “Maktabak”, “Fenimak” dhe “Goce Dellçev”. Kështu, këto kërkesa u ndanë nga portofoli i bankës para marrjes së paketës shumicë nga Banka Kombëtare e Greqisë.
NBG është bankë e listuar në bursë me më shumë aksionarë. Sipas strukturës të saj të publikuar aksionare kompania shtetërore greke holding HCAP, e njohur edhe si Growthfund, në shtator të vitit 2026 kishte 8,50 përqind të kapitalit. Për analizën, dallimi qëndron mes dy niveleve të pronësisë. NBG e mban paketën e drejtpërdrejtë shumicë në Shkup, ndërsa shteti grek përmes Growthfund ka pjesëmarrje pakicë në vetë NBG-në.
Kapitali gjerman në ProCredit Holding
Kompania gjermane “ProCredit Holding” nga Frankfurti i posedon të gjitha aksionet në ProCredit Banka ShA Shkup. Banka u themelua në korrik të vitit 2003 si ProBiznis Banka me kapital fillestar prej gjashtë milionë euro dhe me fokus në financimin e bizneseve të vogla. Në shtator të po atij viti e mori emrin e sotëm. Holdingu, atëkohë nën emrin Internationale Micro Investitionen (IMI), ishte më i madhi nga pesë aksionarët themelues, me 25,8 përqind. Ndër themeluesit ishin edhe banka gjermane për zhvillim KfW dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me nga 20,8 përqind secila.
Pronësia në holdingun gjerman është e shpërndarë mes më shumë investitorëve. Sipas raportit vjetor për vitin 2025 aksionari më i madh individual është kompania nga Frankfurti “Zeitinger Invest” me 18,3 përqind të të drejtave të votës. Pas saj vjen KfW me 13,2 përqind, kompania holandeze “DOEN Participaties” me 12,5 përqind dhe BERZH me 8,7 përqind. Kështu, KfW dhe BERZH, të cilat gjatë themelimit kishin pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në bankën në Shkup, sot marrin pjesë në pronësinë e saj përmes holdingut gjerman.
Pas dhjetë ditësh Alta Banka do të vihet në ankand
Alta Banka Beograd hyri në Stopanska Banka Manastir në shtator të vitit 2025. Më 16 tetor të vitit 2025 Komisioni i Letrave me Vlerë e shpalli ofertën e bankës serbe si marrje të suksesshme nën kontroll. Në dokumentin për kuvendin e aksionarëve të datës 23 janar të vitit 2026 banka e Manastirit shënon se blerësi posedon 95,13 përqind të numrit të përgjithshëm të aksioneve të emetuara. Kjo është e dhëna me datë të saktë që do të përdorej në tekst. Shifra prej 95,2 përqind në analizën tonë fillestare mbetet për t’u verifikuar sipas datës së cilës i referohet.
Historia e bankës fillon në vitin 1948 si Banka Komunale Manastir. Në vitin 1971 banka e Manastirit u integrua në Stopanska Banka Shkup, ndërsa në vitin 1995 filloi të punojë si bankë e pavarur nën emrin Stopanska Banka ShA Manastir. Nën emrin Alta Banka ShA Manastir sot është e regjistruar edhe në Bursën e Maqedonisë pasi biznesmeni kontrovers serb Davor Macura u bë pronar i saj përmes dy personave juridikë serbë.
Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Serbisë, Alta Group ShPK Beograd është aksionar i vetëm në Alta Banka ShA Beograd, ndërsa Macura posedon 100 përqind të Alta Group, tregojnë të dhënat e fundit zyrtare. Banka e Beogradit deri në mars të vitit 2020 quhej Jubmes Banka. Në Manastir paketën e drejtpërdrejtë shumicë e mban banka e Beogradit.
Më 30 tetor të vitit 2026 Banka Popullore e Serbisë ia revokoi lejen e punës Alta Bankës Beograd. Në komunikatën e datës 6 nëntor rregullatori serb shpalli falimentimin e bankës së Beogradit. Në Maqedoni me vendim të datës 1 nëntor të vitit 2026 Banka Popullore mori administrimin në Alta Banka Manastir. Sipas njoftimit të bankës së Manastirit, administratorët i morën kompetencat e Këshillit Drejtues dhe atij Mbikëqyrës, si dhe të Kuvendit të Aksionarëve, me përjashtim të vendimmarrjes për rritjen e kapitalit.
“Adora Inxhiniering” është aksionari më i madh individual në Bankën Komerciale
Banka Komerciale u themelua në vitin 1955 si Banka Komunale e Qytetit të Shkupit. Në vitin 1990 u transformua në shoqëri aksionare dhe e mori emrin e sotëm, ndërsa nga viti 2003 aksionet e saj kuotohen në tregun zyrtar të Bursës së Maqedonisë.
Sipas prezantimit të bankës me të dhëna deri më 30 qershor të vitit 2025 “Adora Inxhiniering” ShPKNjP Shkup posedon 14,99 përqind të aksioneve të emetuara. Kjo është pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e kompanisë. Pronësia në bankë është e shpërndarë mes më shumë aksionarëve, ndërsa pronësia e huaj ka qenë rreth 2 përqind. Sipas të dhënave bankare Banka Komerciale ka më shumë se shtatë mijë aksionarë. Sipas raportit vjetor të bankës në fund të vitit 2025 kompania ka poseduar 14,992 përqind të aksioneve të emetuara dhe ishte aksionari i vetëm me pjesëmarrje mbi pesë përqind. “Adora” e ka kaluar atë prag në vitin 2018 përmes më shumë transaksioneve në bursë, ndërsa në vitin 2021 pjesëmarrja e saj së bashku me personat e lidhur i është afruar 15 përqindshit.
“Teteks” dhe personat e lidhur mbajnë gati gjysmën e aksioneve në TTK Banka
TTK Banka u formua më 1 korrik të vitit 2006 me bashkimin e Teteks–Bankës kreditore ShA Shkup dhe Tetovska Banka ShA Tetovë. Sot paketa më e madhe aksionare është e lidhur me “Teteks” ShA Tetovë, e cili së bashku me personat e lidhur ka poseduar 49,77 përqind të aksioneve dhe po aq pjesëmarrje në të drejtat e votës më 31 dhjetor të vitit 2025. Në fund të atij viti TTK ka pasur 1.997 aksionarë, prej të cilëve 1.864 persona fizikë dhe 133 persona juridikë.
Më 15 nëntor të vitit 2026 bankat së bashku kanë pasur rreth 677 milionë euro në llogaritë në Bankën Popullore. Mesatarisht ato kanë mbajtur 7,7 përqind më shumë se shuma që janë të detyruara ta ruajnë si rezervë e detyrueshme. Në atë datë bankat kanë pasur edhe rreth 34 milionë euro në depozita brenda natës në Bankën Popullore, ndërsa nuk kanë shfrytëzuar kredi brenda natës prej saj.