Dosje: të bëmat e presidentit Ivanov gjatë mandatit të dytë (INFOGRAFIK)
Gjatë kohës së mandatit të dytë, presidenti Gjorge Ivanov u vlerësua vegël e partisë VMRO-DPMNE. Si kreu i shtetit nuk pati marrëdhënie të mira me bashkësinë ndërkombëtare, zbatoi politika antishqiptare dhe mori vendime kundër rendit juridik dhe kushtetues. Ivanov s’i pati “punët mirë” as me sektorin civil, të cilët shpesh ishin në shënjestër të kritikave të tij, por edhe me gazetarët të cilëve nuk u ka dhënë përgjigje në pyetjet e tyre gjatë konferencave për shtyp shkruan Portalb.mk.
Në vitin 2014-të Ivanov e fitoi mandatin e dytë, por nuk u pranua nga LSDM-ja për shkak të akuzave për falsifikim të zgjedhjeve. Zgjedhjen e Ivanovit s’e ka pranuar as BDI-ja, për shkak se sipas tyre nuk ka pasur mbështetje te shqiptarët në Maqedoni. BDI-ja gjithashtu asokohe organizoi fushatë për bojkotimin e votimit me moton “Tung e ke”, pasi që nuk u morën vesh asokohe me partnerin e koalicionit VMRO-DPMNE që të nxjerrin kandidat të përbashkët konsensual.
Ivanov deri më 12 maj 2019 do të jetë zyrtarisht president i Maqedonisë së Veriut, njoftojnë nga KSHZ.
Në mandatin e parë, Ivanov mbahet mend për tre gafat e tij më të mëdha gjatë deklaratave për gjendjen e demokracisë në Maqedoni, për kontestin me emrin dhe për vizitën në SHBA.
- “Demokracia jonë është si kosmodisku, duket e pakumtimtë, por funksionon”, deklaroi Ivanov.
- Kompromis i arsyeshëm është kompromis i arsyeshëm. Nuk e di si t’ua sqarojë”, tha Ivanov në deklaratën e tij të parë përpara gazetarëve lidhur e kontestin për emrin e me Greqinë.
- Isha në mëngjesin e lutjes në Uashington, u ula afër tavolinës së presidentit Barak Obamës. U përshëndeta me nënpresidentin Xho Bajden, ndërkaq presidentin Barak Obama e pashë dhe ia bëra me sy.
Ivanov dhe animi i tij nga Rusia
Ivanov gjatë mandatit të dytë, i ka ashpërsuar marrëdhëniet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Shpesh është ndeshur me përfaqësues të lartë të faktorit ndërkombëtarë duke i akuzuar për standarde të dyfishta të rendit liberal, pasi që sipas tij, shtetasve të Maqedonisë u është kontestuar e drejtën e identitetit, por edhe e drejta e prosperitetit. Gjatë këtij mandati mund të nënvizohet se shpesh Ivanov është refuzuar nga mysafirët ndërkombëtarë, por ka pasur raste kur edhe vetë presidenti nuk i ka pranuar në vizitë.
Kriza politike me lojën e mosdhënies së mandatit liderit të opozitës, nxori në pah deklarimet e tij të cilat, përveç të ishin identike me Gruevskin, ata gjithashtu ishin në një linjë me ato të Moskës zyrtare. Ivanov, arsyetohej për mosdhënie të mandatit me të njëjtin zhargon të Rusisë, e cila sulmonte Perëndimin për përzierje në punët e brendshme, por edhe shqiptarët se nëpërmjet Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, të cilën ata e quanin Platforma Shqiptare, do të bëhet Shqipëria e Madhe.
Ivanov i përkrahu protestat përpara Kuvendit të Maqedonisë, në periudhën përpara se të ndodhte sulmi i dhunshëm në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill 2017-të. Në këto protesta mbaheshin fjalime nacionaliste, anti-perëndimore, madje ka pasur raste kur edhe janë djegur flamujt e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Për të qenë më ironike, Ivanov, euro-komesarin për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, në kohën kur nuk ia jepte mandatin Zaevit për formim të Qeverisë, e refuzoi dhe i rekomandoi të takohej me këta protestues, të cilët më pas dhunshëm hyrën në Kuvend. Por kjo nuk mbaroi me kaq, më pas Ivanov më të njëjtët kërkoi amnisti duke i arsyetuar veprimet e tyre.
- Dhjetor 2016 – Në fjalimin e tij të fundvitit Ivanov e akuzoi NATO-n dhe BE-në për sjellje të papërgjegjshme.
- Mars 2017 – BE, NATO, SHBA dhe Turqia e injoruan Ivanovin për kërkesën e tij që ata ta hedhin poshtë Platformën Shqiptare, në këtë linjë Ivanov ishte Moska zyrtare.
- Mars 2017 – Ivanov e refuzoi eurokomesarin Johanes Han që të takohet për çështjen e dhënies së mandatit. Ai e porositi atë që të takohet me protestuesit kundër Platformës Shqiptare.
- Mars 2017 – Ivanov e quajti hipokrizi rendi ndërkombëtar me standardet e dyfishta, pasi që sias tij, Maqedonisë i është kontestuar e drejta e identitetit dhe prosperitetit.
- Prill 2017 – Për shkak të bllokadës së proceseve demokratike mosformimit të Parlamentit BE, SBA dhe NATO e kanë akuzuar Ivanovin për partizim.
- Prill 2017 – Ivanovi u nderua me me çmimin ”Shenjtëria e tij, Patriarku i Moskës dhe i tërë Rusisë, Aleksej i Dytë” për vitin 2016.
- Prill 2017 – Ivanov, nuk e pranoi ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt pasi që “ka qasje jo-subjektive ndaj gjendjes së brendshme politike në Maqedoni, por edhe për shkak të përpjekjeve të tija direkte në punët e brendshme të Maqedonisë”.
- Maj 2017 – Njëherë refuzoi, por pasi ndodhi ngjarja e përgjakshme e 27 prillit pranoi të takohet me Zëvendës-ndihmës sekretari shtetëror i departamentit amerikan për Evropë dhe Euro-Azi, Hojt Brajan Ji.
- Maj 2017 – Ivanov u përplas me ambasadoren gjermane në Maqedoni, Kristine Althauzer, duke e akuzuar se ka shpërndarë “lajme të rrejshme”. Ivanov vlerësoi se niveli i ambasadores gjermane është “ofendim për vendim”.
- Nëntor 2017 – Ivanov përdor fjalor shantazhues kundër BE-së, duke i porositur se “mossuksesin e BE-së në Ballkan e shfrytëzojnë Kina dhe Rusia”.
- Qershor 2018 – Kryeministri bullgar, Bojko Borisov e anuloi takimin me Ivanovin për shkak sjellja arrogante për marrëveshjen e emrit
- Shtator 2018 – Kancelaria gjermane Angela Merkel, ishte për vizitë Maqedoni, por e bojkotoi presidentin Ivanov.
- Shtator 2018 – Ivanov e bojkotoi referendumin për çështjen e emrit të Maqedonisë, ashtu siç e bënë shumica e funksionarëve të VMRO-DPMNE-së. Qëndrimi i tij në lidhje me Marrëveshjen e Prespës ishte identik si ai i Moskës.
- Shtator 2018 – Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Wess Mitchell vizitoi Shkupin, por e injoroi Ivanovin.
- Tetor 2018 – Marrëveshja e Prespës, Zëvëndës ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-ve për Evropë dhe Euro Azi, Methju Palmer ishte në Shkup, por refuzoi të takohet me presidentin Ivanov.
Partizimi i Ivanovit
Presidenti Ivanov në disa raste veprimet dhe vendimet e tij kanë qenë të ngjashme me interesat partiake të VMRO-DPMNE-së, apo në mënyrë direkte në favor të tyre. Për partizimin e tij e kanë akuzuar edhe faktori ndërkombëtar, por më së miri e dëshmon fakti kur shumicën e funksionarëve që ndiqte Prokuroria Speciale ai i aboloi (i fali). Ivanov, gjatë fjalimeve të tij dhe qëndrimeve ka pasur dhe qëndrime identike me mikun e tij, ish kryeministrin i cili tani është azilant në Hungari. Për më shumë ndiqni disa nga ngjarjet që kanë dëshmuar që Ivanov vepron në bazë të interesit partiak të VMRO-DPMNE-së.
- Prill 2016 – Padyshim që njeri prej skandaleve më të mëdha të Ivanovit ka qenë falja e të gjithë politikanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre të cilët janë nën hetime, ndaj të cilëve është ngritur procedure hetimore si dhe për një politikan i cili është duke vuajtur dënimin me burg. Pas trysnisë së madhe të brendshme dhe ndërkombëtare, të njëjtën e tërhoqi. Për shkak të faljes për të akuzuarit nga Prokuroria Speciale, protestuesit ia demoluan zyrën në Shkup.
- Dhjetor 2016 – Sikur ish kryeministri Nikolla Gruevski edhe presidenti Ivanov e frikësonte popullatën duke thënë se bëhen plane për federalizimin e Maqedonisë, ndërkaq ai këtë do ta pengojë.
- Janar 2017 – Ivanov në fjalorin e Gruevskit ka goditur sektorin civil duke akuzuar se ky sektor dominohet nga interesat partiake
- Mars 2017 – Ivanovi në një linjë me Gruevskin duke përdorur retorikë antishqiptare për Platformën Shqiptare, madje kërkoi nga BE, NATO, SHBA dhe Turqia ta hedhin poshtë.
- Mars 2017 – Pasi Gruevski nuk formoi qeveri, Gjorge Ivanov edhe pse kishte obligim kushtetues t’ia japë mandatin Zaevit, nuk ia dha. Me këtë shkaktoi tërmet të reagimeve si nga faktori i brendshëm, ashtu edhe edhe ai ndërkombëtar. Ky vendin ishte në të njëjten vijë me reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.
- Mars 2017 – Në kohën kur Gruevski dështoi të formojë krijimin e qeverisë kërkonte zgjedhje të reja, natyrisht Ivanov e mbështeti dhe propozonte zgjedhje parlamentare.
- Prill – Ivanov në një intervistë për gazetën ditore austriake “Viner Cajtung” ka shprehur qëndrime partiake duke kërcënuar liderin e opozitës, Zoran Zaev se do të përfundojë në burg.
- Prill 2017 – Gazeta gjermane “Standard” shkruajti se Ivnaov sillet si marionetë e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, i cili e çon vendin e tij në kaos dhe larg nga BE dhe NATO.
- Prill 2017 – Në kohën kur pritej që të formohet qeveria e re pa VMRO-DPMNE-në, mediat shkruanin se Ivanov e përgatit terrenin për shpalljen e gjendjes së luftës dhe arrestimin e siç thuhet, “puçistëve” në krye me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev. Pas këtyre shkrimeve, ndodhi ngjarja e përgjakshme e 27 prillit kur u futën huliganët dhe rrahën deri në gjakosje deputetët dhe gazetarët.
- Dhjetor 2017 – Në një linjë me VMRO-DPMNE-në, Ivanov kërkoi lirimin e dhunuesve që u futën në Kuvend më 27 prill. Ai madje tha siç u amnistuan luftëtarët e 2001, e njëjta të ndodh edhe me “mbrojtësit” e 27 prillit.
- Qershor 2018 – Ivanov sikur VMRO-DPMNE nuk e pranoi Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit dhe nuk e ratifikoi në Kuvend.
- Tetor 2018 – Pasi që Kuvendi i Maqedonisë siguroi shumicë prej dy të tretave dhe votoi për fillimin e ndryshimeve kushtetuese, Ivanov i kritikoi deputetët se, sipas tij dhe partisë VMRO-DPMNE, kanë vepruar në kundërshtim me vullnetin e popullit.
- Janar 2018 – Ivanov nuk e respektoi gjuhën shqipe, përveç që nuk pati asnjëherë ueb faqe shqipe, ai refuzoi ta dekretojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, qëndrim ky i cili është identik me të VMRO-DPMNE-së.
LEXO: Si e ndërroi mendjen Gjorge Ivanov për dhënien e mandatit?
Sherret, gafat dhe shkrimet për Ivanovin

Presidenti Ivnaov gjatë këtij mandati do të mbahet mend edhe për veprimet e tij ndonjëherë dhe qesharake dhe gafat të cilat kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, por rastet e veçanta të sherreve siç është ai me BDI-në. Gazetat e huaja kanë shkruar në lidhje me vendimet e caktuara të Ivanovit kur ka shkaktuar bllokada në vend, madje dhe duke ia bërë me dije se shkon hapave të Millosheviqit. Sido që të jetë, Ivanov e mbyll mandatin si i akuzuar për dy vepra penale për shkelje të Kushtetutës.
- Korrik – 2014 – Presidenti Ivanov ka bërë skandal në Samitin e 100 të liderëve të biznesit të Evropës Juglindore që u mbajt në Dubrovnik. Ivanov duke vrapuar për të qenë përkrahë kancerlares gjermane Angela Merkel në foton e përgjithshme të bërë me presidentët pjesëmarrës të Samitit e ka shkelur protokollin.
- Dhjetor 2014 – Ivanov ka qenë në “konflikt të hapur” permanent me BDI-në, e cila nuk e ka njohur si president pasi që sipas tyre, nuk ka gëzuar mbështetje te shqiptarët. BDI ka deklaruar se e bojkoton, por në raste të veçanta funksionarë t0δ caktuar të tyre janë gjendur në mbledhje në vilën Vodno. Për këtë arsye, Ivanov nuk i dekretoi dhe ambasadorët shqiptarë të propozuar nga BDI.
- Maj 2015 – Më 9 maj, në Ditën e Evropës, Ivanov udhëtoi në Moskë për të marrë pjesë në shënimin e 70 vjetorit nga fitorja mbi fashizmin. Opinioni këtë vizitë e cilësoi si antiperëndimore.
- Qershor 2015 – Pas një kohet të gjatë heshtje, Ivanov i fajësoi gazetarët për rënien e lirisë së shprehjes në Maqedoni dhe shtoi se gazetarët janë fajtorë për gjendjen e vështirë ne mediat e Maqedonisë.
- Tetor 2015 – Ivanov në Bruksel para pyetjeve të gazetarëve dhe gjatë fjalimit të tij ka bërë gafë, nuk fliste në gjuhën angleze dhe gjithashtu nuk kuptonte se çka po e pyesin. Në mes të fjalimit lëvizte me duar, duke krijuar panik dhe duke kërkuar ndihmë nga Ivica Bocevski i cili punonte në kabinetin e tij dhe përktheu për të.
- Mars 2017 – Pasi refuzonte t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë Zoran Zaevit, gazeta gjermane FAC shkruajti se Ivanov vepron sikur Sllobodan Millosheviqi i cili nuk e ka respektuar rezultatin zgjedhor.
- Shkurt 2018 – Kabineti i Ivanovit u ndau certifikata rreth 20 gazetarëve me të cilat ato u obliguan që të mos shpërndajnë informata që do kenë në lidhje me kryetarin dhe kabinetin e tij. Gazetarëve u janë dhënë certifikatë që të nënshkruajnë pa e ditur se për çfarë bëhet fjalë.
- Tetor 2018 – Presidenti Ivanov e mbaron mandatin si i akuzuar në dy lëndë të Prokurorisë për veprat penale shkelje të kushtetutës, pasi që nuk e ka dekretuar ligjin e gjuhëve dhe Marrëveshjes së Prespës.
- Mars 2019 – Komisioni i Antikorrupsionit ka hapur lëndë kundër Ivanovit pasi që bërë avancime dhe emërime në Armatë në periudhë parazgjedhore kur sipas Kodit Zgjedhor është e ndaluar.