Ivanov: Do të pengoj çdo përpjekje për federalizëm të Maqedonisë

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në fjalimin e fundvitit ka paralajmëruar partitë politike, në veçanti Lidhjen Social Demokrate, por edhe partitë shqiptare, se do të kundërshtojë me të gjitha forcat e mundshme përpjekjet për siç, tha rrënimin e shtetit unitar.

Ai tha se këtë qëndrim e bazon në deklarimet e këtyre partive, si para ashtu edhe pas zgjedhjeve, si për zyrtarizmin e gjuhës shqipe, ashtu edhe për programet e disa partive për ridefinimin e shtetit.

“Asnjëherë nuk do të pajtohem që Republika e Maqedonisë të bëhet shtet binacional. Asnjëherë nuk do të pajtohem që Republika e Maqedonisë të bëhet shtet federal. Republika e Maqedonisë është shtet unitar, i barabartë për të gjithë qytetarët e saj”.

“Dëgjoj se kërkohet dygjuhësi në gjithë territorin e Maqedonisë. Kjo çështje vlerësoj se është e mbyllur me amendamentin pesë të Kushtetutës, që buron nga Marrëveshja e Ohrit, me të cilën rregullohet çështja e gjuhës zyrtare në Maqedoni”, ka thënë presidenti Ivanov duke kërkuar regjistrim të popullsisë, i cili sipas tij do të mbyll çështjen që kanë të bëjnë me gjuhën dhe aspektet tjera etnike.

“Pa regjistrim të ri të popullsisë nuk mund të kërkohen të drejta që varen nga statistikat. Pres nga qeveria e re që sa më shpejt të organizoj regjistrim të ri, që të shohim se sa jemi apo se sa realiteti në terren korrespondon me deklarimet e disa liderëve. Nuk mund të kërkohen të drejta, pa përmbushur obligimet”, u shpreh Ivanov duke i ftuar partitë politike maqedonase që të bashkohen, siç tha, rreth interesave kombëtare maqedonase.

“I bëj thirrje liderëve të dy partive politike maqedonase, VMRO dhe LSDM, të pajtohen dhe përfundimisht të bashkohen rreth interesave kombëtare të popullit maqedon dhe interesave shtetërore të Republikës së Maqedonisë. Është e papranueshme që disa liderë të papërgjegjshëm, interesat e personave t’i vendosin mbi ato shtetërore apo kombëtare. Në emër të qytetarëve maqedonas, i bëj thirrje që të kenë kujdes se çfarë bëjnë”, ka deklaruar Ivanov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button