Ivanov në Moskë, reagon Artan Grubi

Presidenti Gjorge Ivanov më 9 maj në Moskë do të marrë pjesë në shënimin e 70 vjetorit nga fitorja mbi fashizmin. Vendimin që të shkojë në Moskë, Ivanov e mori duke u nisur nga politika e bazuar në interesat shtetërore, informojnë nga kabineti i shefit të shtetit.

Në këtë ka reaguar deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi. Ai thotë që është e pakuptimtë një vizitë e tillë që është në kundërshtim të plotë me përcaktimet shtetërore.

“Ivanovi në Moskë nuk shkon në emrin tim, por as edhe të komunitetit të dytë shumicë shqiptarëve.
Ēshtë e pakuptimtë një vizitë e tillë që është në kundërshtim të plotë me përcaktimet shtetërore, por edhe me vullnetin e partnerëve tanë EuroAtlantik. Ky veprim i gabuar paraqet edhe një argument shtesë që konfirmon qëndrimin tonë të drejtë për mos ta njohur legjitimitetin e Presidentit partiak. Vetëm konsensualiteti mundëson legjitimitet të institucioneve dhe politikave.” shkruan Grubi në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Mirëpo nga kabineti i Ivanov thonë se Presidenti Ivanov gjithmonë ka zbatuar politikë të hapur ndaj të gjithëve dhe se vendimi të marrë pjesë në solemnitetin në Moskë në asnjë mënyrë nuk është në kundërshtim me prioritet strategjike të cilat i ka Republika e Maqedonisë, anëtarësimin në BE dhe në NATO.

“Bashkëpunimi i Republikës së Maqedonisë me Rusinë, Kinën dhe të gjitha vendet e tjera të cilat kanë interes për bashkëpunim me Maqedoninë, asnjëherë nuk ka qenë pyetje e përzgjedhjes dhe as në llogari të qëllimeve strategjike”, thonë nga kabineti i Ivanovit.

Prezencën në 70 vjetorin nga fitorja e fashizmit, e konfirmuan edhe presidenti serb Tomislav Nikoliq edhe kryeminstri grek Aleksis Cipras. Si pjesë nga delegacioni i Maqedonisë, në Moskë janë të ftuar të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Lidhja e luftëtarëve.

Edhe pse për arsye ende të pashpjegueshme, BDI zgjodhi të merr pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare me konceptin e paqartë të “presidentit konsenzual” si shkas, kjo parti thotë se nuk e njeh Ivanovin si president legjitim të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Grubi mendon se ne shqiptarët jemi aq axhamij… E pranove ti a s’e pranove me fjalë, me vepër je i nënshtruari i Ivanovit meqë nuk heq dorë nga pushteti i cili është në krizë marramendëse

Back to top button