Kritika të ashpra për Gruevskin dhe Ivanovin në Parlamentin Evropian

Nga institucionet e BE-së edhe njëherë arritën kritika të ashpra në llogari të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, për shkak të bllokadës së proceseve demokratike. Në Parlamentin Evropian në Strasburg, raportuesi për Maqedoninë, Ivo Vajgël, mbrëmë e ka prezantuar raportin për Maqedoninë të cilin e ka përkrahur edhe Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së, njofton Poirtalb.mk.

“Parlamenti nuk mundet që të formohet për shkak të obstruksioneve sistematike të VMRO-DPMNE-së dhe sjelljeve të presidentit Gjorge Ivanov. Sjellja e tij u kritikua nga BE, SBA dhe NATO. Pozita e Ivanovit vetëm se e zbulon partizimin e tij”, tha Vajgël në fjalimin hyrës.

Jan Borg nga Këshilli i BE-së edhe njëherë e ka potencuar shqetësimin e madh për shkak se ende nuk ka Qeveri në Maqedoni. Ai rikujtoi se kryetari i Këshillit, Donald Tusk gjatë vizitës së fundit në Shkup ka kërkuar aftësi politike dhe unitet në vend. Duke e shprehur përkrahjen për Prokurorinë Speciale Publike (PSP), Borg tha se Qeveria e re patjetër duhet të punojë në reformat e vendit nëpërmjet realizimit të Marrëveshjes së Përzhinës dhe rekomandimin e Raportit të Pribesë.

“Presim si prioritet të Qeverisë të jenë reformat në dobi të vendit dhe qytetarëve dhe kthimin e vnedit në rrugën evropiane”, tha Borg dhe në fund e përshëndeti rolin e shoqërisë civile në vend dhe porositi se Qeveria e re patjetër duhet t’i realizojë të gjitha obligimet e Marrëveshjes Kornizë.

Godina e Parlamentit Evropian
Godina e Parlamentit Evropian

Neven Mimica në emër të Komisionit Evropian gjithashtu e theksoi shqetësimin në lidhje me refuzimin e Ivanovit për ndarje të mandatit.

“Kërkojmë nga Ivanovi që t’i respektoj rezultatet e zgjedhjeve dhe të lejojë funksionim të demokracisë. Jemi të shqetësuar pasi që retorika nxitëse e disa aktorëve politik i rrezikon marrëdhëniet ndëretnike”, tha Mimica.

Formimi i Qeverisë së shpejti nuk do të ishte mjaftueshëm, porositi Mimica, duke shtuar se “do të iniciojnë zbatim të plotë të Marrëveshjes së Përzhinës dhe reforma të sundimit të ligjit. PSP duhet të fitojë kohë dhe resurse që ta mbarojë punën”, transmeton Portalb.mk.

Eduard Kukan nga Partia Evropiane Popullore tha se ende pret se që ta sheh dritën e tunelit nga kriza politike në Maqedoni dhe e ka ftuar presidentin Ivanov që “ta respektojë vullnetin e shumicës”.

Tonio Piculla nga grupi i socialistëve i ka kritikuar VMRO-DPMNE-në dhe Ivanovin se “të përballur me humbjen e pushtetit e çojnë vendin edhe në krizë politike”. Ai tha gjithashtu se, ata nxisin protesta, i injorojnë përfaqësuesit e BE-së, e bllokojnë Parlamentin, ndërkaq edhe i rrezikojnë zgjedhjet lokale.

Paraprakisht tre eurodeputetët, Ivo Vajgël, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn, pas takimit me shefin e diplomacisë në ikje, Nikolla Poposki në Strasburg, dolën me deklaratë të përbashkët ku thanë se “nuk shohin kurrfarë arsyetimi për taktikat zvarritëse që shfrytëzohen në Kuvend për zvarritjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë”.

“Si anëtarë të Parlamentit Evropian, i cili i ka përkrahur të gjitha përpjekjet për tejkalimin e krizës aktuale dhe i cili ka punuar për përkrahje të perspektivave evropiane të qytetarëve të Maqedonisë, e shohim me shqetësim se kriza po prolongohet me pasoja të cilat janë në rritje për vendin, duke i përfshirë edhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike’, thonë eurodeputetët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button