Avokati Naumovski tërhoqi nismën për kthimin e faljeve të Ivanovit

Avokati Mile Naumovski tërhoqi iniciativën e dorëzuar në Gjykatën Supreme për vërtetimin e qëndrimit parimor dhe mendimit parimor juridik për abolimin e e ish presidentit Gjorgje Ivanov, që ishte interpretuar si tentim për kthimin e tyre, transmeton Portalb.mk.

Avokati ka konfrimuar për “360 shkallë” se ka tërhequr nismën, për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal.

Ai tha se nisma ka qenë më së shume për nenin 353 nga Kodi Penal, i cili ka të bëjë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Tani pas ndryshimeve në kodin penal, avokati ka vendosur ta tërheqë nismën, pasi nuk e sheh të nevojshme që gjykata më e lartë të vendosë për këtë çështje sepse me ndryshimet mes tjerash, janë ulur dëninet për veprat penale në këtë nen. Në ndërkohë, me këto ndryshime, filluan të vjetërsohen edhe veprat për të cilat sipas këtij neni ndiqeshin një pjesë e madhe e të akuzuarve në rastet e ish PSP.

Ai dorëzoi iniciativë në Gjykatën Suprem më 23 qershor të këtij viti. Gjykata për këtë informoi më 9 tetor, përmes një kumtese me shkrim të publikuar në ueb faqe. Në këtë kumtesë, u fitua përshtypja se, fokusi i iniciativës ishte vendosur në faljen e Ivanovit dhe jo në nenin 353 të KP.

Kujtojmë se, ish presidenti Gjorgje Ivanov në vitin 2016, fali 56 persona, një pjesë e tyre të dyshuar në lëndët të ish PSP-së, në mesin e të cilëve edhe funksionarë të lartë të pushtetit të kaluar. Një veprim i tillë i ish-presidentit shkaktoi reagime të ashpra nga faktori i jashtëm dhe i brendshëm, madje u mbajtën dhe protesta. Pas një muaji e gjysmë dhe pas ndryshimeve ligjore në Ligjin për Falje, ai i tërhoqi abolimet.