Presidenti Ivanov nuk pranon marrëveshjen e arritur me Greqinë (VIDEO)

Në fjalimin e mbajtur para mediave, Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, njoftoi qëndrimin e tij rreth marrëveshjes së arritur mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në lidhje me ndryshimin e emrit të shtetit, sipas presidentin kjo marrëveshje është e papranueshme dhe hap edhe më shumë probleme, përcjell Portalb.mk.

“ Sot për herë të parë më ishte dorëzuar në shqyrtim marrëveshja e arritur mes kryeministrave të republikës së Maqedonisë dhe Greqisë, në takimin që sot pata me kryeministrin Zaev dhe ministrin Dimitrov, u thash që kjo është marrëveshja e tyre personale, ky është vendimi i tyre personal dhe ata vet do të mbajnë përgjegjësi për të. Kjo marrëveshje e dëmshme e cila është e vetmja në historinë e njerizimit, për mua është  e papranueshme, me këtë marrëveshje thyhet kushtetuta, ligjet dhe rrënohen institucionet shtetërore. Nuk do të lejoj ndërtime të egra politike,” deklaroi presidenti Ivanov.

Sipas Presidentit Ivanovit me këtë “marrëveshje hapen më shumë konteste dhe probleme”.

Ivanov gjatë fjalimit të tij tha se BE dhe NATO nuk duhet të jenë alibi për një marrëveshje të keqe. Si përfundim ai i bëri thirrje gjithë popullit maqedonas, kudo që ndodhet të mos frikohen sepse ai nuk do të bie pre e asnjë kërcënimi apo shtypje që të tërhiqet nga qëndrimi i tij.

Presidenti maqedonas tha se kryeministrit Zaev dhe ministrit Dimitrov i ka thënë se kjo, sipas tij, “marrëveshje e dëmshme”, paraqet braktisjen e pozicioneve të shtetit që tashmë janë ndërtuar dhe të cilat u konfirmuan edhe në dy takimet e fundit të liderëve. Këto qëndrime, siç tha Ivanov, janë mos ndryshimi i Kushtetutës dhe mos pranimi i emrit përdorim të përgjithshëm.

“Kjo marrëveshje e dëmshme, e cila është unike në historinë e njerëzimit, për mua është e padenjë dhe e papranueshme. Me atë shkelet Kushtetuta dhe ligjet, si dhe thyhen institucionet shtetërore. Nuk do të legalizoj ndërtimet e paligjshme politike. Qeveria nuk ka mbështetur forcën dhe guximin për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët dhe për të arritur një konsensus kombëtar. I gjithë ky proces i negociatave është kryer me jo seriozitet, pa përgjegjësi dhe pa transparencë, për të cilën dëshmon edhe rezultati përfundimtar”, deklaroi presidenti Ivanov.

Sipas presidentit Ivanov, me këtë marrëveshje nuk parashikohet vetëm “ndryshimi i emrit kushtetutes, por edhe ndryshimi i preambulës dhe të gjitha neneve kushtetuese ku përmendet emri dhe kushtet, që dalin nga emri Maqedoni”. Ai theksoi se me këtë marrëveshje hapen shumë më tepër çështje dhe probleme, sesa zgjidhen, siç tha ai, pasoja të papranueshme për shtetin dhe popullin maqedonas.

Më tej presidenti Ivanov tha se Greqia ka arritur t’i përmbushë kërkesat maksimale të saj.

“Fuqishëm argumentoj se atë që bëri me maqedonasit në Greqi, tani nëpërmjet kësaj marrëveshjeje po përpiqet ta bëj atë me maqedonasit në Maqedoni. Me marrëveshje të tillë nuk forcohet identiteti maqedonas, por degradohen të drejtat tashmë të fituara në Kombet e Bashkuara. Po shkelet besëlidhja e paraardhësve tanë, e atyre që me zemër të pastër krijuan idealin dhe aspiratën shekullore për Maqedoninë tonë të vetme. Shkelet e drejta 73-vjeçare për vetëvendosje dhe shtetësi të popullit maqedonas, fshihet historia 27-vjeçare e shtetit të pavarur maqedonas. Çdo gjë e shenjtë në Maqedoni shkelet, ndërsa e drejta dhe krenaria e të palindurve të jenë maqedonas u mohohet”, deklaroi Ivanov.

Në adresimin e tij, Ivanov theksoi se Maqedonia po humbet barazinë e saj sovrane që rrjet nga Karta e Kombeve të Bashkuara, duke bërë thirrje për të ndaluar në abuzimin, siç tha ai, të realizimit të qëllimeve dhe angazhimeve strategjike të vendit.

“Bashkimi Evropian dhe NATO nuk duhet të jenë alibi për një marrëveshje të keqe, e cila do të shkaktojë pasoja të pallogaritshme dhe të dëmshme për interesat shtetërore dhe kombëtare të Maqedonisë. Një marrëveshje e tillë nuk bashkon shoqërinë, por edhe më tej e polarizon atë”, u shpreh Ivanov.

Kujtojmë se kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në një konferencë për media të mbajtur gjatë ditës së djeshme, informoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është zgjidhja e arritur rreth kontestit të emrit që ka vendi me Greqinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button