DOSJE: 14 persona humbën jetën në Spitalin Modular të Tetovës, asnjë përgjegjësi për zjarrin

8 shtator të vitit 2021 Maqedonia e Veriut u godit nga një nga tragjeditë më të mëdha, një zjarr i madh shpërtheu në Spitalin Modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me virusin Covid-19. Nga zjarri 14 persona humbën jetën në flakë. Gati se dy vjet më vonë drejtësi për jetët e humbura nuk ka. Deri më tani, askush nuk bart përgjegjësi për shkaqet e zjarrit. Ndonëse pati një proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u gjykuan për shkaqet e zjarrit, por për vepra tjera penale, megjithatë edhe për këtë dënimet e shqiptuara ishin me kusht. Portalb.mk sjell një retrospektivë të rastit që nga shpërthimi i flakëve e deri te shpallja e aktgjykimit.

Çfarë ndodhi?

Derisa përfundonte manifestimi qendror i 30-të vjetorit të Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut përpara objektit të Kuvendit, natën e 8 shtatorit 2021, në ora 21:02 shpërtheu zjarri në Spitalin Modular të Tetovës i cili mori jetën e 14 personave (8 gra dhe 6 burra), objekti u dogj brenda pak minutash, të tjerët arritën të shpëtojnë të gjallë duke dalë nga dritaret për të shpëtuar jetën, por jo të gjithë ia dolën. Një paciente në moshë të re nderoi jetë pak para se të shpërthente zjarri. Brenda spitalit modular pati familjarë të pacientëve pavarësisht se kjo ishte e ndaluar. Tymi i zi mbuloi të gjithë qytetin.

Në vendngjarje shkuan edhe kreu shtetëror, kryeministri, ministri, kryetarja e atëhershme e Komunës së Tetovës, funksionarë e udhëheqës institucionesh. Në terren arritën edhe 5 prokurorët e angazhuar për të hetuar shkaqet e zjarrit. Pamje tragjike, pak informata, familje dhe qytetarë të shqetësuar. Askush s’dinte të thoshte se cili ishte bilanci i zjarrit masiv. Flitej për viktima, për emra, por institucionet nuk jepnin detaje.

Zjarri në spitalin modular KOVID në Tetovë
Zjarri në spitalin modular KOVID në Tetovë, foto Portalb.mk

Si pasojë e kësaj, u dhanë dorrëheqje ministri i Shëndetësisë dhe zëvendësi, Venko Filipçe dhe Ilir Hasani, si dhe drejtorët e spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi.

Venko Filipçe, Ilir Hasani, Florin Besimi dhe Artan Etemi
Venko Filipçe, Ilir Hasani, Florin Besimi dhe Artan Etemi

Në lidhje me rastin në kërkim të përgjegjësisë pati reagime të shumta, akuza, marshe dhe protesta.

Marshi i Ballistëve në nder të viktimave nga zjarri në spitalin modular të Tetovës, Foto: Portalb.mk
Marshi i Ballistëve në nder të viktimave nga zjarri në spitalin modular të Tetovës, Foto: Portalb.mk

Mbetjet nga objekti i djegur pas shumë zvarritjeve u larguan gjashtëmbëdhjetë muaj pas tragjedisë që ndodhi.

U paralajmërua ngritje e një monumenti në nder të viktimave por kjo nuk u bë sot e kësaj dite.

Spitali modular në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Spitali modular në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Çka e shkaktoi zjarrin, çfarë deklaruan ata që ishin brenda modularit?

Një ditë pas zjarrit, një vajzë nga Tetova, babai i së cilës po trajtohej nga Kovidi në spitalin modular në Tetovë pati deklaruar se zjarri me gjasë ka shpërthyer pasi mjekët në dhomën ngjitur me defibrilator përpiqeshin të reanimonin një vajzë që po luftonte me jetën. Në momentin e intervenimit, pati thënë ajo, ka dëgjuar thirrjet se në dhomën ngjitur duhet të reanimonin një vajzë, mjekët dhe infermierët ishin shpërndarë, kurse menjëherë pas kësaj janë dëgjuar thirrjet paniku se ka shpërthyer zjarri.

Diçka të ngjashme thanë edhe dy të intervistuarit e Portalb.mk të cilët i shpëtuan zjarrit.

“Ndodhi shumë shpejtë, në momentin që duhej të viheshe një vajzë e re në reanimacion në dhomën tjetër, kur i kanë pru aparatet për reanimim ka pasur problem elektrik, diçka u ndez dhe përnjëherë u paraqit zjarri. Në këtë moment s’e pash vet por e dëgjova prej shoqes, edhe them çka u bë? Bashkëshortja e fshehu prej meje që mos ta shoh unë pamjen që të mos mërzitem se jam i sëmurë, pjesërisht i palëvizshëm. Në ato momente filloi të shpërndahet zjarri shumë shpejtë”, pati deklaruar për Portalb.mk një pacient i cili i ka mbijetuar tragjedisë.

Zjarri në spitalin modular KOVID në Tetovë
Zjarri në spitalin modular KOVID në Tetovë, foto Portalb.mk

Katër ekspertiza për zjarrin

Dëshmia e vajzës dhe e personit tjetër më lartë doli të jetë edhe në gjetjet e ekspertizave që u kryen për këtë rast tragjik.

Për zjarrin u kryen katër ekspertiza.

E para u realizuaa nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.

E dyta ishte e Fakultetit të Teknologjisë.

E treta ishte bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.

E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Zjarri në spitalin modular KOVID në Tetovë
Zjarri në spitalin modular KOVID në Tetovë, foto Portalb.mk

Proces gjyqësor për rastin, të akuzuar, por jo për shkaqet e zjarrit

Mbi 10 muaj pas ngjarjes, gjegjësisht, Prokuroria ngriti akuzë. Të akuzuarit për këtë rast ishin ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik. Por, jo për shkaqet dhe zjarrin.

Florin Besimi dhe Artan Etemi u akuzuan në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Boban Vuçevski akuzohej në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali Klinik Tetovë akuzohej për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, personat e dyshuar nëse shpalleshin fajtorë, mund të merrnin dënime deri në 5 vjet burgim.

Gjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Gjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Eteminuk u ndoqën penalisht për shkakun e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarrit. Mjeku Boban Vuçevski ishte në gjyq për shkak se lejoi të afërmit të hyjnë në dhomat e spitalit edhe pse ishte e ndaluar. Ky është thelbi i aktakuzës për zjarrin.

Florin Besimi, Artan Etemi dhe Spitali i Përgjithshëm i Tetovës nuk kanë vepruar në përputhje me masat dhe aktivitetet e dala nga marrëveshja e huasë e lidhur në mes të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore sipas të cilës ndonëse kanë qenë të obliguar që në ditën e vënies në punë të Spitalit Modular në Tetovë dhe deri më sot të kenë mjete dhe instalime përkatëse për mbrojtje nga zjarret dhe shpërthimet, mjete të tjera zjarrfikëse, mjete për shuarjen e zjarrit dhe aparate kundër zjarrit. nga zjarri në Spitalin Modular, nuk kanë instaluar mjetet e duhura për mbrojtje nga zjarri ”, thuhej në aktakuzë.

Për Vuçevskin kishte vetëm një paragraf në të cilin kërkohet përgjegjësi nga ai. Por jo për zjarrin, shkaqet dhe as pasojat e mospasjes së aparateve të zjarrit.

“I akuzuari Boban Vuçevski, si person përgjegjës gjatë pandemisë, nuk ka vepruar në përputhje me rregulloret dhe urdhrat që përcaktojnë masat për parandalimin dhe parandalimin e saj dhe nuk ka vepruar sipas urdhrit të dhënë nga drejtori mjekësor në Spitalin klinik të ISHP në Tetovë, ndalimi i vizitave të personave të paautorizuar në ambientet e spitalit, për shkak të shpërthimit të gripit sezonal dhe ngjarjeve globale me Covid-19, si dhe lejohet hyrja e personave të paautorizuar – familjarëve të të sëmurëve me Covid-19, si shoqërues në Spitalin Modular”, thuhej në aktakuzë.

Gjykimi për modularin. Në fotografi: Boban Vuçevski, Artan Etemi, Florin Besimi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Gjykimi për modularin. Në fotografi: Boban Vuçevski, Artan Etemi, Florin Besimi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Proces gjyqësor me shumë shtyrje seancash, mungesa të palëve

Gjykimi filloi më 6 shtator 2022, seanca e parë u shty pasi në seancë i pranishëm ishte vetëm ish-drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi. Munguan, ish-drejtori ekonomik i spitalit- Artan Etemi dhe përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski. Nga Spitali i Tetovës si person juridik nuk pati përfaqësues, kishin dërguar përfaqësues të autorizuar.

Seanca e dytë, e caktuar për 14 tetor 2022 përsëri u shty pasi dy nga të akuzuarit, Vuçevski dhe Etemi nuk patën avokat. Ndonëse të njëjtit kanë pasur dy muaj kohë ta bëjnë të njëjtën, u arsyetuan se nuk e kanë ditur që duhet të kenë avokat.

Seanca e tretë, e caktuar për 8 nëntor 2022 u anulua për shkak se avokati i doktorit të akuzuar Boban Vuçevskit nuk ishte i pranishëm pasi siç u tha se ka pasur seancë tjetër të caktuar prej më parë. Gjykatësi i cili udhëheq lëndën, njoftoi Vuçevskin se nëse avokati i tij nuk paraqitet në seancën e radhës, seanca kryesore do të mbahet pa të.

Seanca e njëmbëdhjetë e gjykimit për spitalin modular në Tetovë. Në foto- të akuzuarit: Boban Vuçevski, Artan Etemi, Florin Besimi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Seanca e njëmbëdhjetë e gjykimit për spitalin modular në Tetovë. Në foto- të akuzuarit: Boban Vuçevski, Artan Etemi, Florin Besimi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Seanca e katërt, e mbajtur më 7 dhjetor 2022 u anulua pasi avokatët e të akuzuarve u ankuan se nuk kishin njohuri të plotë në materialin dëshmues, i cili është në formë elektronike, ndërsa njëri nga avokatët u ankua se nuk mund të merrte as një kopje të materialit të aktakuzës, sepse në gjykatë i ishte thënë se fotokopja nuk funksiononte. Avokatët kërkuan leximin e plotë të çdo materiali dëshmues, të njëjtët kishin ankesa lidhur me paraqitjen e provave nga Prokuroria. Për vazhdimin e seancës kryesore, avokatët do të vendosnin me shkrim lidhur me provat e ofruara nga Prokuroria Publike, dhe të cilat nuk janë në formën apo përmbajtjen e kërkuar, për të shmangur zvarritjen e procedurës. Prokurori publik u pajtua me një gjë të tillë duke konsideruar se është në interes të procedurës penale, pas së cilës gjykata e shtyu seancën kryesore për 27 dhjetor.

Seancën e pestë, të mbajtur më 27 dhjetor 2022 Prokuroria Publike e Tetovës i prezantoi titujt e provave të shkruara të cilat janë të përfshira në aktakuzën e dorëzuar në gjykatë. Avokatët e të akuzuarve kërkuan që përveç leximit të titujve të sqarohen edhe provat e ofruara, ata theksuan se në listën e dëshmive mungojnë tituj si dhe disa nga to janë me mangësi. Pas paraqitjes së provave të shkruara, gjykatësi e shtyu seancën kryesore të vazhdojë me 16 janar. Në seancë nuk ishin të pranishëm dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria.

Seanca e gjashtë, e mbajtur më 16 janar 2023 u anulua për shkak se mungoi i akuzuari Artan Etemi, ish drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës.

Deklarata të ndryshme të familjarëve dhe personelit të Spitalit nëse kishte apo jo aparate kundër zjarrit dhe nëse lejoheshin familjarët brenda modularit ose jo

Seancën e shtatë, të mbajtur më 31 janar 2023 dëshmuan shtatë nga dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria, të cilët natën e tragjedisë ishin brenda spitalit ku ndodhi zjarri, mes tyre dy mjek, një motër medicinale dhe katër familjarë. Sipas dëshmitarëve, tragjedia ka ndodhur brenda pak minutash dhe janë munduar të bëjnë maksimumin që të shpëtojnë pacientët dhe familjarët e tyre, ndërkaq nuk kanë mundur t’i gjejnë aparatet kundër zjarrit. Ata sqaruan rrethanat se si ka ndodhur rasti. Për më tepër rreth kësaj seance lexo KËTU.

Seancën e tetë, të mbajtur më 16 shkurt 2023dëshmuan nëntë dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria, mes tyre dy infermiere, katër familjarë dhe tre persona të cilët kanë kryer ekspertiza për zjarrin. Avokatët e të akuzuarve edhe pse parashtronin pyetje, ata hasnin në kundërshtim nga prokurorët se pyetjet e tyre janë jashtë lëndës për të cilën palët janë të akuzuar. Dy infermieret që dëshmuan thanë se kanë parë të ketë aparate kundër zjarrit brenda objektit të modularit. Por që i gjithë rasti ndodhi shumë shpejtë. Për dallim prej infermiereve, familjarët që dëshmuan, thanë se aparate kundër zjarrit nuk kanë parë të ketë brenda objektit. Në seancë dëshmuan dy prindërit e pacientes në të cilën u krye reanimacioni dhe nga ku më pas filloi edhe zjarri. Për më tepër rreth kësaj seance lexo KËTU.

Seancën e nëntë, të mbajtur më 3 mars 2023dëshmoi një ekspert i elektroteknikës, një dëshmitare e cila ka qenë brenda objektit kur ka shpërthyer zjarri si dhe avokatët e të akuzuarve prezantuan titujt e provave të shkruara. Eksperti i elektronikës tha se rryma elektrike nuk ishte instaluar në formën e duhur në objektin e modularit. Për më tepër rreth kësaj seance lexo KËTU.

Seancën e dhjetë, të mbajtur më 21 mars 2023, dëshmuan dy ekspertë nga Fakulteti Elektroteknik në Shkup të propozuar nga prokuroria së bashku me mbrojtjen e mjekut Boban Vuçevski, dhe dy motra medicinale të propozuar nga ky i fundit. Dy ekspertët theksuan se kanë analizuar nëse instalimi i rrymës në spitalin modular ka qenë në përputhje me standardet, por, siç theksoi, ka qenë e pamundur kjo të konstatohet për shkak të djegies. Andaj për këtë, siç thanë, kanë parë instalimin në spitalin modular të Gostivarit dhe të Kavadarit, ku u theksua se instalimi i brendshëm elektrik ka qenë sipas rregullores. Njëra nga motrat medicinale tha se ka pasur aparate kundër zjarrit, ndërsa tjetra tha se nuk e ka pare nëse ka ose jo. Për më tepër rreth kësaj seance lexo KËTU.

Seancën e njëmbëdhjetë, të mbajtur më 6 prill 2023mbaroi dhënia e dëshmive. Dëshmoi një roje e spitalit i cili tha se ka parë aparate kundër zjarrit në spitalin modular. Ai tha se ka pasur ndalesë te dera për hyrjen e personave tjerë. Një punonjës tjetër i spitalit, tha se mendon se ka parë aparat kundër zjarrit në korridor të modularit. Edhe një mjeke tha se mendon se ka pasur aparate kundër zjarrit, por se nuk ishte e sigurt për të njëjtën. Për më tepër rreth kësaj seance lexo KËTU.

Seanca e trembëdhjetë e gjykimit për spitalin modular në Tetovë (10 maj 203). Në foto- të akuzuarit: Boban Vuçevski, Artan Etemi, Florin Besimi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Seanca e trembëdhjetë e gjykimit për spitalin modular në Tetovë (10 maj 203). Në foto- të akuzuarit: Boban Vuçevski, Artan Etemi, Florin Besimi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Seanca e dymbëdhjetë, e mbajtur më 25 prill 2023, ku ishte caktuar të thuheshin fjalët përfundimtare, u shty për shkak se mungoi i akuzuari, ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi, pasi i njëjti kishte temperaturë, kështu tha avokati i tij. Për më tepër rreth kësaj seance lexo KËTU.

Seanca e trembëdhjetë, e mbajtur më 10 maj 2023, ku ishte caktuar të thuheshin fjalët përfundimtare, u shty për shkak se mungoi avokati i të akuzuarit Artan Etemi, siç sqaroi ai, për shkaqe shëndetësore. Për më tepër rreth kësaj seance lexo KËTU.

Seancën e katërmbëdhjetë, të mbajtur më 29 maj 2023 u thanë fjalët përfundimtare nga Prokuroria, avokatët e të akuzuarve, përfaqësuesit e të dëmtuarve nga rasti.

Prokuroria deklaroi se të akuzuarit sipas provave dhe dëshmive të paraqitura kanë kryer veprat për të cilat akuzohen dhe kërkuan që gjykata të shpallë ata fajtorë. Konkretisht, se dy ish drejtorët (Florin Besimi dhe Artan Etemi) e kanë pasur obligim që të vendosin aparate kundër zjarrit dhe të njëjtën nuk e kanë bërë. Ndërsa për mjekun Boban Vuçevski, theksuan se i njëjti ka lejuar praninë e shoqëruesve të pacientëve.

Në seancë folën edhe pesë përfaqësues të të prekurve nga zjarri në spitalin modular, të cilët theksuan se pajtohen me fjalët përfundimtare të Prokurorisë.

Nga ana tjetër, avokatët e të akuzuarve theksuan se veprat me të cilat ngarkohen klientët e tyre nuk i kanë kryer dhe se me anë të dëshmive të prezantuara vërtetohet e kundërta. Ata kërkuan që të akuzuarit të shpallen të pafajshëm. Të akuzuarit pohuan se pajtohen me atë çfarë thanë avokatët e tyre dhe nuk shtuan asgjë tjetër.

Me këtë mbaroi procesi gjyqësor ndërsa vendimi u caktua të jepet më 5 qershor 2023.

Seanca e katërmbëdhjetë e gjykimit për zjarrin në spitalin modular në Tetovë (29 maj 203). Në foto- të akuzuarit: Boban Vuçevski, Artan Etemi, Florin Besimi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Seanca e katërmbëdhjetë e gjykimit për zjarrin në spitalin modular në Tetovë (29 maj 203). Në foto- të akuzuarit: Boban Vuçevski, Artan Etemi, Florin Besimi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Vendimi: Dënim minimal dhe lirim për të akuzuarit

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh të cilin duhet ta paguaj brenda 30 ditëve, Ky është vendimi i Gjykatës së Tetovës për rastin e zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 persona.

Të akuzuarit nuk u gjykuan për shkaqet e zjarrit por për vepra të tjera penale.

Sipas vendimit, Florin Besimi dhe Artan Etemi kanë kryer secili vepër penale “krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” .

Me aktgjykimin, Boban Vuçevski, si përgjegjës i spitalit modular, është liruar nga akuza për lejimin e personave të paautorizuar në spitalin modular.

Nga kjo vepër është shpallur i pafajshëm edhe Spitali i Tetovës, i cili është dënuar për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 288 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 4 në lidhje me paragrafin 2 të Kodit Penal. Gjykata i ka shqiptuar personit juridik gjobë prej 1 milion denarë, të cilin duhet ta paguajë në afat prej 30 ditësh nga hyrjes në fuqi të aktgjykimit.

Gjyqtari Jordan Velkovski sqaroi se aktgjykimi është sjellë në bazë të provave të paraqitura në seancën kryesore dhe fakteve që dalin nga ato prova. Ai theksoi se të pandehurit nuk akuzohen për shkaktimin e zjarrit.

Gjykata Themelore në Tetovë me aktgjykim i ka udhëzuar të gjithë të dëmtuarit nga zjarri në spitalin modular në Tetovë që në kontest plotësues t’i kërkojnë kompensimet e tyre. Të dëmtuarit, familjarë të të vdekurve nga zjarri, udhëzohen për fillimin e kontestimit civil për dëmshpërblim.

Shpallja e vendimit të gjykimit për spitalin modular në Tetovë (6 qershor 203). Në foto- të akuzuarit: Boban Vuçevski, Florin Besimi, dhe përfaqësuesi i Spitalit të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shpallja e vendimit të gjykimit për spitalin modular në Tetovë (6 qershor 203). Në foto- të akuzuarit: Boban Vuçevski, Florin Besimi, dhe përfaqësuesi i Spitalit të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pas shqiptimit të aktakuzës, ish-drejtori Florin Besimi, tha se nuk e ka të qartë dhe se i pakuptimtë është vendimi i sotshëm dhe se për të njëjtin do të ankohet pasi siç tha ai nuk ishte fajtor. I akuzuari Artan Etemi nuk ishte i pranishëm në gjykatë gjatë shpalljes së vendimit. Nga ana tjetër, mjeku Boban Vuçevski falënderoi qytetarët të cilët çdo seancë gjyqësore ishin para gjykatës në mbështetje të tij.

Ky është vendimi i shkallës së parë për këtë çështje dhe ka mundësi që mbrojtja apo prokuroria të ankohen në Gjykatën e Apelit.

Gjykata Themelore Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Gjykata Themelore Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pavarësisht gjithë kësaj, askush sot e kësaj dite nuk është shpallur fajtor për zjarrin dhe shkaqet e zjarrit. Kjo nuk është zbardhur ende nga ana e autoriteteve.

Disa nga familjarëe viktimave u patën shprehur se nuk i besojnë drejtësisë së shtetit, por se përsëri nuk i humbin shpresat në lidhje me sjelljen e drejtësisë për jetët e humbura, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e kërkimit të hetimit ndërkombëtar për rastin.

Ndërkaq, një nga familjarët i cili humbi nënën në zjarrin tragjik pas vedimit të Gjykatës ka deklaruar se do të ankohen me avokatët e tyre që të ketë rigjykim procesi, pasi sipas tij në gjykim nuk ishin njerëzit e duhur.

Të gjitha lajmet në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës i gjeni KËTU dhe KËTU