Fjalimi i Ivanovit bojkotohet nga deputetët e BDI-së

Deputetët e BDI-së kanë bojkotuar sot fjalimin vjetorë të presidentit Gjorge Ivanov. Në sallën ‘gjysmë të zbrazët’, mungojnë deputetët e BDI-së dhe opozitës maqedonase e cila prej fillimit bojkoton parlamentin. 

Ivanov në fillim të fjalimit shprehu keqardhje për vendet e zbrazëta në sallë, duke e cilësuar bojkotin si akt jo-demokratik.  

“Me atë që i kanë lënë vendet e tyre në këtë dhomë të demokracisë të zbrazëta, i kanë lënë edhe të papërfaqësuar qytetarëve të cilët i zgjodhën”, tha presidenti Ivanov.

Votimi në zgjedhje, theksoi ai, është e drejtë kushtetuese e qytetarëve, por përfaqësimi i tyre në Kuvend është obligim kushtetues i deputetëve të zgjedhur.

“Dua të theksoj se si president, para shtatë muajve i ftova liderët politik, duke i përfshirë edhe liderin e opozitës Zoran Zaev dhe të BDI­së Ali Ameti, të bisedojmë për interesat e shtetit. Ata ende nuk i janë përgjigjur ftesës, e cila është ende e hapur. Të refuzohet bisedë për interesat e shtetit për mua është shprehje e sjelljes përfundimisht e papërgjegjshme politike. Për këtë arsye atyre të cilët sot nuk janë këtu, dua t’i porosis se dialogu politik nuk është shprehje e dobësisë, por shprehje e pjekurisë politike”, tha presidenti Ivanov.

Shpesh dëgjojmë, shtoi ai, se kultura politike nuk ndërtohet brenda natës.

“Por, ne duhet që për një kohë të shkurtër ta arrijmë atë për të cilën demokracive të zhvilluara u janë nevojitur delkada dhe shekuj. Demokracia është këtu dhe tani. Nevojitet përgjegjësi më e madhe politike dhe kulturë më e pjekur politike”, theksoi Ivanov.

Edhe problemet më të vështira, shtoi, tejkalohen me dialog.

“Nëse e kthejmë dialogun, do të gjejmë zgjidhje. Ndërsa zgjidhjen e kemi të domosdoshme, për shkak se kjo gjendje reflekton në shoqërinë tonë, por edhe në rrugën tonë evropiane dhe euroatlantik”, tha presidenti Ivanov në fjalimin vjetor në Kuvend.

Lajme të ngjashme

Back to top button