Derisa Gjorge Ivanov është president, nuk do të ketë ambasadorë të rinj shqiptarë nga Maqedonia

Deri në maj të vitit 2019, kur duhet Maqedonia të mbajë zgjedhje presidenciale dhe të kemi president të ri, ambasadorët shqiptarë të propozuar nuk do të munden të emërohen, për shkak se presidenti aktual Gjorge Ivanov nuk i dekreton, njofton Portalb.mk.

Sot nëpër media qarkulloi emri i Marigona Markut se është emëruar ambasadore e re e Maqedonisë në SHBA. Lajmi është i pavërtetë pasi që Marku është vetëm përkohësisht në atë pozitë me kompetenca të kufizuara. Ambasadorit të Maqedonisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vasko Naumovski i ka skaduar mandati në nëntor të këtij viti, për shkak të pozitës më të lartë në Ambasadë, Marigona Marku me automatizëm e ka marrë detyrën e përkohshme (u.d.) të ambasadorit derisa të zgjedhet ambasador i ri. Pra sipas kësaj, nuk është zgjedhur për ambasadore, por vetëm përkohësisht do të qëndrojë në këtë post, për të cilin vendos presidenti dhe Qeveria.

“Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, pas largimit të Naumovskit, derisa të zgjedhet ambasador i ri me automatizëm e ka marrë detyrën Marku”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Elizabeta Presilska.

E pyetur se kur pritet të zgjedhet ambasadori i ri i Maqedonisë në SHBA, e njëjta tha se nuk kemi informata për diçka të tillë, por po bisedohet për këtë çështje.

Për zgjedhjet e ambasadorëve duhet vendimi i presidentit Ivanov i cili i ka bllokuar procedurat për emërimin e ambasadorëve shqiptarë të propozuar nga BDI-ja, pasi që kjo e fundit nuk e njeh si president. Për këtë, emërimin e ambasadorëve shqiptarë do të duhet që ta presim pasi të largohet Ivanovi, në maj të vitit 2019.

Cila është procedura e zgjedhjes së ambasadorit?

Për t’u emëruar një ambasador duhet që të harmonizohen qëndrimet e presidentit dhe ministrit. Procedurën e nis ministri, i cili deri te Qeveria dorëzon propozim për emërim të ambasadorit. Pas pranimit të propozimit nga Qeveria, kryeministri me letër e informon presidentin për propozimin për ambasador. Presidenti me letër deklarohet në lidhje me propozimin deri te kryeministri, në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të propozimit.

Pas marrjes së qëndrimit pozitiv nga presidenti në lidhje me kandidatin e propozuar për ambasador, Ministria nga shteti ku do të shkojë ambasadori kërkon agrement (pëlqim) për kandidatin për ambasador. Pas marrjes së agrementit, kandidati për ambasador fillon me përgatitjet për marrjen e detyrës, të cilat zgjasin më së shumti 60 ditë dhe vlerësohen të mbaruara pas mbarimit të bisedave të kandidatit për ambasador me ministrin dhe drejtorët në Ministri, transmeton Portalb.mk.

Pas mbarimit të bisedave të kandidatit për ambasador, i njëjti i prezanton pikëpamjet e tij për marrëdhëniet me shtetin ku do të shkojë përpara trupit punues të Kuvendit, kompetent për punë të jashtme.

Pas marrjes së agrementit dhe mbarimit të përgatitjeve, presidenti në fund duhet të nënshkruajë dekret për emërimin e ambasadorit.

Nëse nënshkruan presidenti dekret, i njëjti publikohet në Gazetën Zyrtare, ministri e inicializon, ndërkaq presidenti e nënshkruan letrën e akreditimit, pas së cilës ambasadori e merr detyrën në shtetin e caktuar në afatin sa më të shkurtër kohor.

Mandati i ambasadorit zgjat 4 vjet dhe fillon nga dita e pranimit të detyrës. Në raste të jashtëzakonshme, mandati mund të zgjatet, nëse atë e kërkojnë interesat e shtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button