Pendarovski i dërgoi mesazh Erdoganit për ekstradimin e Palevskit

Presidenti Stevo Pendarovski dje i dërgoi mesazh kabinetit të homologut të tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, lidhur me ekstradimin e Lupço Palevski-Palço – i dyshuari kryesor për vrasjen e dyfishtë, i cili aktualisht po mbahet në paraburgim 40-ditor ekstradues në Turqi, transmeton Portalb.mk. 

Lidhur me përmbajtjen e mesazhit nga zyra e Pendarovskit nuk kanë dhënë më shumë detaje.

Të hënën, kreu i shtetit tha se po mendonte t’i dërgonte mesazh Erdoganit për ekstradimin e Palevskit dhe theksoi se ky është një rast madhor që nuk duhet lejuar të vazhdojë nëpër korridoret burokratike dhe të lejohet që procesi të zgjasë shumë.

“Është detyrë e Ministrit të Drejtësisë që e bëri atë (dërgoi kërkesë për ekstradim), por çështja është shumë e komplikuar për ta lënë të kalojë nëpër disa korridore burokratike dhe mos thëntë Zoti të zgjasë me muaj apo me vite”, tha Pendarovski.

Kronologjia e ngjarjes tragjike

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së.
 28 nëntor Interpoli shpalli fletarrest ndërkombëtar për të.

Më 2 dhjetor arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjet që kishte lidhje me zhdukjen e saj.

Më 3 dhjetor u bë publike se është gjetur trupi i saj i pajetë. Gjithashtu, u lajmërua se u gjet i pajetë dhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Në të njejtën ditë u caktua paraburgim 48 orësh për tre të dyshuarit, Vllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski ndërsa u bë e ditur se organizatori kryesor dhe kryerësi i vrasjes, Ljupço Palevski ishte arratisur. 

 4 dhjetor, në konferencë për shtyp Prokuroria dhe MPB dhanë detaje për rastin i cili ende hetohej, në të cilën u hodhën dyshime për përfshirjen e babait të saj Aleksandar Gjorçev. Motivi i vrasjeve thanë që është “interes financiar”. Në të njejtën ditë u shpall fletarrest ndërkombëtar nga Interpoli për Ljupço Palevskin. Më vonë u paraburgos dhe babai i saj.

Më 5 dhjetor, Prokuroria Publike konfirmoi se autopsia ka përfunduar, trupi i Vanjës i është dorëzuar familjes. Në të njejtën ditë paraburgos dhe Stefan Dimkovski nën dyshimet se i ka ndihmuar Palevskit të largohet nga Bullgaria në Turqi. Ky i fundit u arrestua në Turqi, lajmëroi ministri i Punëve të Brendshme, ndërkaq u caktua paraburgim 30 ditor për  Vllatko Keshishov, Velibor Manevski, Bore Videvski dhe Aleksandar Gjorçev dhe 48 orë për transportuesin e Pallços.

Më 6 dhjetor, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga nënshkroi kërkesën për ekstradimin e Lupço Palevskit. U publikuan të dhëna nga biografia e Palevskit, e pasur me krime të pandëshkuara, si dhe për ndihmësit e tij, të djathtët radikalë që thirren në devotshmëri ndaj zotit, janë të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë: I bashkon partia “E DJATHTA”.

Më 7 dhjetor, u dërgua në Truqi kërkesa për ekstradimin e Lupço Palevskit dhe u caktuan 30 ditë paraburgim për shoferin e Palevskit, Stefan Dimkovski.

Më 10 dhjetor, Prokuroria apeloi që mos të spekulohet në media dhe rrjete sociale sepse raporti i autopsisë së Vanjës, nuk është ende gati.

Më 11 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski theksoi në rrjedhë është ekspertiza e dy armëve të zjarrit, të cilat janë gjetur dhe kanë të bëjnë me vrasjen e dyfishtë. Presidenti Stevo Pendarovski tha se do të kërkojë nga presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ekstradim të Palevskit.

12 dhjetor, presidenti Stevo Pendarovski i dërgoi mesazh kabinetit të homologut të tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, lidhur me ekstradimin e Lupço Palevski-Palço – i dyshuari kryesor për vrasjen e dyfishtë, i cili po mbahet në paraburgim 40-ditor ekstradues në Turqi.